Kancelari gjerman, Olaf Scholz, të enjten i kërkoi Kinës të mos dërgojë armë për të ndihmuar luftën e Rusisë në Ukrainë, teksa i bëri thirrje Pekinit të ushtrojë presion ndaj Moskës për t’i tërhequr forcat e saj.
Nga Parlamenti gjerman, ku foli për vitin e parë të pushtimit rus të Ukrianës, Scholz tha se ishte zhgënjyese që Pekini ishte përmbajtur nga dënimi i pushtimit rus, megjithëse ai përshëndeti përpjekjet e tij për të mos lejuar përshkallëzim bërthamor.
“Mesazhi im për Pekinin është i qartë: përdorni ndikimin tuaj në Moskë për të nxitur tërheqjen e trupave ruse”, tha ai. “Dhe, mos i dorëzoni asnjë armë Rusisë agresore”.
Vërejtjet e Scholzit nënvizuan se si reagimi ndërkombëtar ndaj luftës në Ukrainë theksoi ndarjet globale, me Kinën dhe Indinë që përmbahen nga dënimi i pushtimit rus.
SHBA-ja po shqyrton vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Kinës
Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë për mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Kinës nëse Pekini ofron mbështetje ushtarake për Rusinë për luftën e saj në Ukrainë, thanë burimet për agjencinë e lajmeve Reuters këtë javë.
Konsultimet, të cilat janë ende në një fazë paraprake, synojnë të mbledhin mbështetje nga një sërë vendesh, veçanërisht ato të grupit të G7-ës, për të koordinuar mbështetjen për çdo kufizim të mundshëm.
Nga ana e saj, Kina ka nxjerrë një dokument prej 12 pikash që bën thirrje për një armëpushim gjithëpërfshirës që u prit me skepticizëm në Perëndim.