Kampi i Qafë-Barit në Pukë, është një nga kampet më famkeqe të regjimit komunist. Me mijëra kundështarë të regjimit kaluan aty vite të tëra, duke punuar në miniera në kushte çnjerëzore, në një klimë terrori dhe dhune të vazhdueshme. Njëri prej tyre, Bedri Blloshmi, rikthehet në këtë kamp-burg 40 më vonë. Ai rrëfen për News24 mizoritë e Qafë-Barit, që sot ka mbetur vetëm një rrënojë.
I fshehur në mes të maleve, në një rrugë që gjarpëron mes pyjeve të dendur, mundësia për tu arratisur ishte pothuajse zero.
Bedri Blloshmi, i dënuar politik gjatë kohës së komunizmit, ka kaluar dy vite të jetës së tij në këtë Kamp. Megjithëse kanë kaluar mbi 40 vjet, ende e ka të freskët momentin e mbërritjes në Qafë-Bari. Ai shprehet se kujtimi i parë që i vjen në mendje sa vë këmbën në këtë kamp, është ftohti. Me borën që i kalonte 1.5 metrat, të dënuarit duhet të pununonin në galeritë e minierës, me tre turne. Të veshur keq dhe të ushqyer sa për të mbajtur shpirtin gjallë, për ata që nuk realizonin normën, vinte tortura në “Zyrën Teknike”.
Në fakt, e para gjë me të cilën përballesh sa hyn në territorin e kampit është ajo që quhej “Zyra teknike”. Me dritare nga oborri, ajo ishte vendi i torturave, e zgjedhur jo pa qëllim në atë pozicion, që të dëgjohej nga të gjithë të burgosurit ajo që ndodhte brenda. Blloshmi kujton se asnjëherë, asnjë i bugosur nuk doli dot në këmbë prej saj, nga troturat çnjerëzore që ushtroheshin mbi ta.
Ecim në oborrin e kampit-burg. Kudo që hedh sytë, çdo pjesë e tij i kujton një histori Bedriut. Menca, infermieria, oborri, për një ish-të dënuar në këtë kamp, kanë tjetër kuptim. Menca ishte vendi ku u torturuan të burgosurit, pas Revoltës së Qafë-Barit që ndodhi në të njëjtën ditë, 10 vjet pas asaj të Spaçit, por fundi i saj qe më i hidhur. Oborri, ishte vendi ku u vra në tortura Sandër Sokoli. Atij ju thye shtylla kurrizore nga dhuna, dhe u la të vdiste në agoni, pa ju dhene ndihmë. Infermieria ishte vendi ku trupat zhdukeshin, apo ndryshohej shkaku i vërtetë i vdekjes.
Kujtime të tilla, nga burgu dhe puna e detyruar, i rikthehen sa vë këmbën në këtë oborr, dhe rikthimet në Qafë-Bari, nuk i pëlqejnë Bedriut, tashmë të moshuar. Por nevoja për të rrëfyer, edhe për shokët që ja vranë para syve e nuk dolën dot nga ky ferr, e bën të vijë në këtë vend, sa herë duhet t’u tregojë atyre që nuk e kanë jetuar atë kohe. “Edhe pse kanë kaluar 40 vjet, kur shkel këtu, tmerri është i pranishëm kudo”- thotë Bedriu. Kudo që lëvizim nëpër kamp, vështrimi i tij, shkon në dritaret e zyrës teknike, dhe kujtimet, e përlotin ish-të burgosurn, që mundi të dilte i gjallë nga ky ferr.
Kujtimi i xhelatit Edmond Caja, sillet ende në këtë kamp, edhe pas 40 vitesh. Pengu që ai nuk e ka marrë ende dënuimin e merituar për krimet që ka bërë, e mbush më zhgënjm Bedriun.
Për të, ky nuk ishte një burg, e as një kamp pune, por një kamp i ngjashëm me ata të nazistëve, për shfarosjen e armiqve.
Mes përhumbjes nga kujtimet e dhimshme, vendos të na tregojë një histori që gjithë këto vite e ka mbajtur për vete, “Në orët e gjata të torturave dhe izolimit, për t’i dhënë fund vuajtjes, kam menduar edhe t’i japë fund jetës”- thotë, por shpresa se situata poltitike do të ndryshojë e mbajti gjallë.
Bashkë me ne në Qafë-Bari, ishin edhe një grup studentësh, por teksa u tregon atë që ka jetuar në këtë kamp, në sytë e tyre thotë se sheh një habi, dhe u duket e pa besueshme se si mendja njerëzore mund të prodhojë tortura të tilla.
Në 22 maj, u mushën 40 vjet nga Revolta e Qafë-Barit, dhe të vetmit që e kujtojnë këtë ferr, janë ata që kanë mbetur ende gjallë nga ish-të burgosurit. Shteti e ka lënë në harresë këtë vend, duke i lënë godinat të shëmben, e të marrin me vete edhe atë histori të trishtë, që u prodhua brenda këtyre mureve e telave me gjemba.
(BalkanWeb)