NGA FATMIRA NIKOLLI
Ushtria moderne e Shqipërisë së re duhet të mbështetet në një filozofi të re, jo atë marksiste; në një strategji të re, jo atë të ngujimit; në një doktrinë të re, jo atë të bunkerizimit; në një arsimim të ri, jo atë të indoktrinimit; në një frymë të re, jo atë të mosbesimit; në një organizim të ri, jo atë të centralizimit; në një mision të ri – misionin e lirisë, jo atë të robërisë”. Për Sandër Lleshin, që ka marrë në shqyrtim veprimtarinë e ushtrisë shqiptare në vitet 1966-2011, ky është konkluzioni. Gjenerali që e ka nisur karrierën e tij ushtarake në vitin 1978 dhe ka qenë pjesë me detyrën e Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura në vitin 2013, ka sjellë tanimë një studim me titull “Udhëheqja ushtarake, globalizmi dhe Rasti i Shqipërisë”(Onufri).
Sipas tij, periudha pas Luftës së Ftohtë dhe rrugëtimi i suksesshëm drejt integrimit në NATO nuk kanë mjaftuar për një ndryshim të mirëfilltë të sistemit në rrënjët e tij. “Ende sistemi shqiptar mbetet në thelb një sistem që nuk ka lidhje të mirëfilltë me drejtimin nëpërmjet misionit. Ndonëse gjatë 20 viteve të fundit është folur jashtëzakonisht shumë, është shkruar shumë dhe është zhvilluar jo pak mësim për drejtimin nëpërmjet misionit, në realitetin e funksionimit të Forcave të Armatosura ai ende mbetet një koncept i pakuptuar mirë, gjerë dhe thellë”, – nënvizon Lleshi në konkluzionet e studimit.
Po aty, si për ilustrim, ai vëren se “nëse në vitin 1966 rregullorja e brendshme e Ministrisë së Mbrojtjes u jepte detyra dhe kompetenca drejtorëve të Ministrisë dhe të Shtabit të Përgjithshëm, rregullorja e vitit 2011 u jepte atyre vetëm detyra, por jo kompetenca”. Në këtë pikë, ai shton se tendenca drejt një centralizimi përherë në rritje ka shoqëruar zhvillimin e FA në periudhën që analizohet në këtë studim. “Centralizimi në rritje paraqet një zhvillim të dëmshëm, për faktin se është një zhvillim që ka ardhur në kundërshtim me tendencën historike botërore, e cila jo vetëm në fushën ushtarake, por edhe në fusha të tjera si ekonomia, politika etj., ka njohur në vijimësi një tendencë decentralizuese”. Mbasi ka shqyrtuar “strategji” a urdhra komikë, në këtë pjesë të tretë që “GSH” boton nga libri, ndalemi te koha kur literatura e huaj asgjësohej e kthehej në karton, dhe bibliotekat ‘mbusheshin’ me historinë e Partisë dhe veprat e shokut Enver.
IZOLIMI NGA BOTA
Qëllimi për të ruajtur “çdo pëllëmbë tokë” duket më shumë si një deklaratë metaforike. Shndërrimi i tokës në qëllim final jo rrallë mund të kthehet në një qëllim në vetvete. Por në luftën moderne qëllimi i vërtetë është fitorja përfundimtare. Në funksion të këtij qëllimi, vihen në lojë përkohësisht edhe jetë njerëzish, burime të tjera, madje edhe “pëllëmbë të cak-tuara” të territorit. Me anë të tyre bëhen manovrat taktike, operacionale dhe strategjike, pa të cilat nuk ka luftë të suksesshme. Në kushte të kufizimeve të përmendura më sipër, dhe të shumë të tjerave që nuk janë përmendur, çdo strateg ushtarak do ta kishte të vështirë, që duke vënë përballë forcat e veta dhe ato të kundërshtarëve të gjente formulën e fitores.
Truri që duhej të zgjidhte ekuacionin e stërndërlikuar përfaqësohej nga ushtarakë të formuar në shkollat e vendit apo në shkollat lindore, kryesisht sovjetike. Nga mesi i viteve ’70 edhe numri i ushtarakëve me formim në shkollat ushtarake lindore pësoi ulje të thellë për shkak të goditjeve të rënda politike që pësoi lidershipi ushtarak. Klima e përgjithshme e krijuar në ushtrinë shqiptare në mesin e viteve ’70, pas goditjes së Beqir Ballukut dhe Petrit Dumes, ishte thellësisht diskriminuese për ushtarakët e formuar jashtë vendit. Vetëm për ilustrim meriton vëmendje citimi i Mehmet Shehut në Aktivin e Partisë së Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, të zhvilluar në Durrës më 13.07.1974: “Është interesante, shokë, që të dy bashkëpunëtorët e Beqir Ballukut janë me akademi italiane. ‘Mama mia! U frikësuat ju, por aq më tepër kur ju tha ministri i Mbrojtjes. Ju s’jeni armiq, por frikacakë. Por që të dy ju, do të bëheni trima, sepse partia do t’ju ndihmojë.
Edhe ata që kanë mbaruar në Bashkimin Sovjetik kanë mbeturina të asaj shkolle. Ai që thotë se jo, mua më duket se gënjen. Edhe unë, sa herë mendoj për çështjet ushtarake, them se mos më kanë mbetur mbeturina të akademisë sovjetike”. Duket qartë se e vetmja gjë që kërkohej prej atyre që ishin formuar në shkolla të huaja ishte të harronin ato çfarë kishin mësuar. Duke qenë se kjo nuk ishte shpeshherë e mundur, kuptohet se largimi i tyre nga ushtria ishte rruga më e sigurt. Vendin e tyre filluan ta zënë drejtues të formuar në vend, e për më tepër, pa asnjë lloj formimi ushtarak, që vinin nga “radhët e klasës punëtore” apo të “fshatarësisë kooperativiste”.
Izolimi apo eliminimi i elitës solli si pasojë që planifikimi strategjik dhe zgjidhjet strategjike të kryheshin nga një trupë e re drejtuese, e cila ishte krejtësisht e izoluar nga zhvillimet moderne. Në rastin më të mirë kjo trupë drejtuese zotëronte një nivel rudimentar mendimi strategjik që i referohej Luftës së Parë Botërore. Është në interes të ilustrimit të këtij konkluzioni fakti se një referat voluminoz, i mbajtur nga Zëvendësministri i Mbrojtjes Popullore në Komitetin Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë në vitin 1979, që trajton strategjitë ushtarake të kundërshtarëve potencialë, me të cilët Shqipëria llogariste një përballje të mundshme ushtarake dhe që u ishte dërguar akademive ushtarake si referencë e rëndësishme, mbështetej vetëm në këtë bibliografi: 1. D.O. Smith, “Doktrina ushtarake e SHBA-së”, botim rusisht, 1956 2 .”Strategjia ushtarake” (sovjetike), botim rusisht, 1963, 3. “Mbi shkencën ushtarake sovjetike”, botim rusisht, 1964, 4. “Taktika”, botim rusisht, viti 1966, 5. “Kurs i filozofisë m-I”, botim rusisht, 1974.
Shembulli i mësipërm evidenton se cili ishte niveli njohjes së strategjive të kundërshtareve me të cilët planëzohej ballafaqimi ushtarak nga udhëheqja më e lartë e vendit. Referenca më e “re” ushtarake ishte e viteve ’60, në një kohë që në realitet, siç mund të verifikohet edhe nga ky studim, SHBA edhe Bashkimi Sovjetik i kishin modernizuar në vijimësi mendimin strategjik, teknikën, taktikën, teknologjinë etj. Do të mjaftonte vetëm shembulli i mësipërm për të mbyllur argumentin e shkëputjes dhe izolimit total të mendimit strategjik shqiptar nga rrjedhat botërore. Të gjitha zgjidhjet që lindnin në kushtet e izolimit total, fizik dhe mendor nga bota, ishin të mirëfillta autentike, e kësisoj të “dënuara” për dështim. Vaniteti i lindur në një mjedis të izoluar e çonte, për shembull, Mehmet Shehun deri aty sa të pohonte se “Jugosllavia ka vjedhur tezat tona për luftën popullore dhe duke u bërë disa korrigjime, sipas kushteve të terrenit të saj të gjerë ka organizuar një mbrojtje të mirë”.
SPASTRIMI I BIBLIOTEKAVE
“Spastrimi” i udhëheqjes politike dhe ushtarake të Forcave të Armatosura në vitin 1974, ndër të tjera, ishte pasuar edhe nga një “spastrim” radikal i bibliotekave nga fondet e literaturës së huaj. Izolimi përherë në rritje, paranoja ideologjike dhe dogmatizmi ekstrem kishin inkurajuar bindjen se vendi nuk kishte më nevojë për diturinë dhe përvojën që vinte nga bota. Dukej se mesi i viteve ’70 ishte edhe viti i shkëputjes edhe për fijet e vetme që kishin mbetur. Tashmë dukej se edhe për librat apo revistat profesionale të huaja nuk kishte më vend në Shqipëri. Në zbatim të orientimeve politike të Komitetit Qendror të PPSH dhe të urdhrit përkatës të ministrit të Mbrojtjes Popullore në vitin 1974, zhvilloi veprimtarinë e tij një “komision qendror” dhe disa komisione të tjera të ngritura pranë strukturave të FA. Pas një pune të gjatë dhe shumë voluminoze, literatura e seleksionuar u dërgua për asgjësim “pranë Fabrikës së Kartonit në Tiranë dhe asaj të Letrës në Lushnjë”.
Sipas një dokumenti të kohës, ushtria shqiptare kishte kthyer në karton rreth 130 tonë libra e revista që përfaqësonin 133 tituj, ose 123.256 ekzemplarë. Nga e gjithë literatura ishin ruajtur vetëm nga 2 kopje për Arkivin Qendror të Ushtrisë. Duket si ironi fakti se këtë aksion të pashembullt asgjësimi e shoqëronte procesi i “pasurimit” të bibliotekave me literaturë vendase.
Në një dokument të Drejtorisë Politike, i cili i drejtohej ministrit të Mbrojtjes Popullore më 04.12.1974 shkruhej: “Për të shtuar fondin e bibliotekave të ushtrisë me Historinë e Partisë dhe veprat e shokut Enver, me fondet e Drejtorisë Politike, kohët e fundit, u blenë dhe u dërguan në njësi e reparte 680 copë tekste të Historisë së Partisë dhe 9.065 copë vepra të shokut Enver Hoxha. Gjithashtu iu dhanë fonde plotësuese të gjitha njësive të ushtrisë për të blerë të tilla vepra në libraritë e rretheve”. Procesi i izolimit total, jo vetëm në fushën e politikës, të ekonomisë, të ushtrisë etj., por edhe në fushën e mendimit, ishte me pasoja të jashtëzakonshme për të gjitha zhvillimet që do të pasonin edhe në fushën e mbrojtjes. Në kushte të një izolimi të plotë dhe të mungesës së një zbulimi të mirëfilltë strategjik, mendimi ushtarak kishte gjetur gatishmërinë e përhershme si “zgjidhje” për përballimin e befasisë së sulmit të kundërshtarit.
Komentet