Një samit i ri pallavrash është mbledhur në Tiranë. Bash kuadri që afeksionin më shumë Kryeministri Rama, mjeshtri i ceremonive ku arti i ambalazhimit vihet i tëri në shërbim të boshëtisë së përmbajtjes.
Në këtë Samit dëgjon dhe duartroket shumë për arbëreshët. Duartrokitet për politikanët që u prijnë shqiptarëve etnikë në tre vendet fqinje me Shqipërinë. Vihen baste mediatiko-politike do vijë apo s’do vijë Albin Kurti. Duartrokitet edhe për një shqiptar të “adoptuar” së fundmi, trajnerin brazilian të kuqezinjve. Por vetëm për një kategori shqiptarësh dhe jo më pak të rëndësishmen , ajo kategori që biles i ka dhënë dhe emrin këtij Samiti, nuk dëgjon të flitet! Nuk ekziston më për Shtetin e Edi Ramës ai milion shqiptarësh të Shqipërisë që kanë lënë vendin që nga rënia e diktaturës komuniste dhe janë shpërndarë si zogjtë e pulës në katër cepat e botës në mospërfilljen totale nga ana e qeverive Rama. Është e kundërta që po ndodh biles. Kjo qeveri si në këtë samit, jo vetëm që nuk bën asgjë për t’i afruar me dheun amë shqiptarë që kanë lënë Shqipërinë, por duket sikur ato mjete që ajo ka po I përdor sesi të largojë dhe sa më shumë shqiptarë të tjerë nga vendi. Mbase do të jenë banorët e rinj të Shqipërisë që po sjell Rama me marrëveshjen me Melonin te cilët do të jenë një ditë më te vëmendshëm ndaj shqiptarëve jashtë se ç’është sot me ta shqiptari Rama.
Për kur një medalje për “Emigrantin e panjohur”
Në këtë postim të shkurtër nuk dua të loz me fjalën diasporë për te përcaktuar se kush është e vërteta. Nuk dua të vë këtu një barrierë midis tre grupeve të diasporës, asaj historike – arbëreshët, etnike – shqiptarët autoktonë në vende të Ballkanit që rrethojnë Shqipërinë, dhe shqiptarët e Shqipërisë të emigracionit të kohëve moderne. Por nuk gaboj aspak kur kërkoj që kësaj kategorie të fundit, një minimum vëmendje, respekti dhe mirënjohje kjo qeveri i detyrohet, në mos me vepra të paktën me fjale përndryshe ajo duket si totalisht e harruar këto dy ditë kushtuar Diasporës. Hiç për këtë diasporë të pas viteve 80’në këtë Samit . Niente, nada, nothing, rien, nichts… Nuk e di në cilën gjuhë tjetër i duhet dhënë kjo simbolikisht Edi Ramës, aq i madh është numri i vendeve në botë ku ndodhen sot shqiptarët e Shqipërisë në injorim të plotë nga qeveria e vendit amë.
Silvinjo i cili po e çon kombëtaren në Euro në Berlin pa dyshim e meriton medaljen e artë. Por duheshin menduar akte, gjeste, bëma konkrete edhe për shqiptarët e Diasporës së Shqipërisë . Nevojitej pa tjetër një simbol i fortë nga qeveria e Shtetit amë ndaj atyre që i çojnë çdo vit këtij vendi gati një miliard euro në mënyrë që shqiptarët e Shqipërisë e veçanërisht më të moshuarit dhe dobëtit ekonomikisht ndër syresh të kenë mundësi t’i bëjnë ballë shpenzimeve dhe me jetike që kjo qeveri nuk i përfill më. Diaspora që filloi të largohej në krye të viteve 90’, është heroike dhe medaljen e heroizmit do të meritonte . Sigurisht, ajo nuk ka një mishërim me zë dhe figurë, siç mund të jetë një Vjollca Osmani apo Ali Alimehemti për shqiptarët etnikë në Ballkan, apo, Rosario Petta për arbëreshët. Por pikërisht ashtu si Franca dhe vendet e qytetëruara që respektojnë masën heroike anonime me simbolin e Ushtarit të panjohur, kjo qeveri një short mund të kish hedhur dhe të sillte në Tiranë një punonjëse shtëpie, një kamerier apo një shofer, të gjithë shqiptarë që lodhen e rraskapiten në një vend të botës, deri në humbje të jetës si në La Mansh, për të mbledhur e kursyer sado pak të holla që të plotësojnë buxhetet e thata të familjarëve të lënë në Shqipëri. Edhe buxheti i qeverisë falë tyre plotësohet në një fare mënyre, me taksat mbi konsumin që kryhet në vend nëpërmjet parave që vijnë nga diaspora. Pa dyshim një medalje për « Emigrantin e panjohur » mund dhe duhej te ishte sajuar nga ky Shtet i çartereve kryeministrorë qe fluturojnë me paratë e të tjerëve.
Ftesa e vërtetë për Diasporën është ajo për votim …
Nuk po flas këtu për kurse gjuhe shqipe, minimumi që kjo qeveri mund të dhuronte dhe siguronte për shqiptarët e vegjël që lindin jashtë dhe që vendin e të parëve s’e kanë parë dhe ndoshta s’do e shohin kurrë. Por kur vërej që kjo qeveri nuk ndërmerr minimumin, as ato masa që nuk kushtojnë asgjë dhe që janë të drejta kushtetuese, siç është mundësia e votës për diasporën e Shqipërisë, nuk mund të rri të mos denoncoj këtë përbuzje institucionale me fjalët e forta “J’accuse” . Po asistojmë në një kthim total të shpinës që Edi Rama personalisht po i bën shqiptarëve të Shqipërisë jashtë që prej 10 vitesh që është në pushtet. Në një kohë kur në vende të tjera diskutohet se edhe me sa duhet të rritet në parlament përqindja e deputetëve që përfaqësojnë diasporën, pasi ashtu siç ka kuota për deputetë nga kategoritë e grave apo minoriteteve etnike, ka kuota përfaqësimi parlamentar edhe për diasporat, në Shqipërinë e Edi Ramës së vitit 2023 diskutohet ende nëse a do të mund një ditë diaspora të votojë! Si mund t’i shkohet këtij Kryeministri në një Samiti shoë të Diasporës kur as të drejtën minimale të votës nuk ja plotëson asaj që prej një dekade që ndodhet në pushtet? Pa harruar që edhe ai vetë vinte nga Diaspora… Edhe më keq akoma po shndërrohet situata kur shikon Ligjin e fundit në miratim e sipër nga kjo qeveri dhe që mund ta largojë edhe më shumë diasporën nga shteti i vendit të origjinës. Në këtë momente kjo qeveri po fut duart pa kuptim ne legjislacionin e Gjendjes civile jo për ta përmirësuar por për ta ndërlikuar në mos sabotuar. Për të votuar, një adresë vendbanimi normalisht mjafton. Por kjo e dhënë s’i mjafton më kësaj qeverie që shpik një inovacion fiskal kurioz në gjendjen civile i cili konsiston në detyrimin për shqiptarët t’i deklarojnë qeverisë së Tiranës pronat, jo vetëm ato në Shqipëri por të gjitha që ata mund të zotërojnë jashtë. Përndryshe , s’ka më akte gjendje civile për ta, pra s’ka dokumente për ta , dhe ndoshta nesër nuk do ketë më as shqiptari për ta? Për nenin 14 të ligjit të Gjendjes civile që Rama kërkon të ndryshojë dhe për shumë gjëra të tjera konkrete në jetën e Diasporës të flitej në këtë Samit dhe jo për këngë e valle popullore apo do vijë a s’do vijë Albin Kurti. Përfundimisht , historia do të mbaje mend që tre samitet e para të Diasporës të organizuara nga kryeministri Rama ishin të një shterpësie të pafund. Në mënyrë që i katërti në të ardhmen të na lërë pak më shumë mbresa, do ketë dy rrugë, ose të ndryshojë mënyra sesi qeveria e konsideron këtë diasporë, ose të ndryshojë qeveria. Për kur reforma zgjedhore?