Ndërkohë që në Austri mbahej Samiti i Vjenës mes Bashkimit Europian dhe të ashtuquajturave “Vende të Ballkanit Perëndimor”, në Tiranë, në një konferencë për shtyp, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, i tregoi gazetarëve diçka shumë interesante. Ai u kishte kërkuar autoriteteve gjermane që të eliminonin të gjitha trajtimet lehtësuese, qoftë edhe të përkohshme, për azilkërkuesit shqiptarë, në mënyrë që ata të mos kishin më asnjë nxitje për t’u nisur për në Gjermani. Ndërkohë që intuita e thjeshtë do të bënte çdo njeri të thjeshtë të priste nga ministri i vet të interesohej për trajtimin sa më dinjitoz e kushtet sa më të mira të qytetarëve, ky zyrtar shqiptar kërkon të kundërtën, kërkon dallimin, diferencimin dhe diskriminimin e azilkërkuesve shqiptarë si dhe pezullimin e atyre pak rregullave sociale që i kanë mbijetuar cunamit neoliberal.
Pse e bën këtë ministri Tahiri? Kjo pyetje i ka dy përgjigje: së pari i bën sepse është përfaqësues tipik i “demokracive” kompradore të Ballkanit, ku legjitimiteti nuk vjen prej popujve se në fakt popujt as pyeten e as merren parasysh, por prej miratimeve që vijnë “së larti”, nga Bashkimi Europian. Së dyti, në një lexim të së pandërgjegjshmes që shfaqet në deklaratën e Tahirit, ai është duke i thënë BE-së, boll pretenduat se jeni demokratikë në ishullin tuaj parajsor. Të gjithë e dimë se këto vende të zhvilluara të “qendrës” globale e kanë krijuar demokracinë e mirëqenien e tyre pikërisht në sajë të shfrytëzimit kolonial klasik dikur, e neokolonial-globalist sot, ku periferitë qeverisen me terapi shoku ekonomik, e nganjëherë edhe ushtarak, duke mbetur të rrënuara e të hapura për investitorë perëndimorë që vjelin krahun e lirë të punës dhe burimet e lira natyrore. Kësaj s’kemi ç’i bëjmë, thotë nënndërgjegjja e ministrit Tahiri, që për vete është tërësisht neoliberal, por së paku hiqeni pretendimin e demokracisë, pra shfaqeni fytyrën tuaj të vërtetë përballë emigrantëve.
Ndërkohë që Europa dhe Amerika Veriore i ngjajnë gjithnjë e më shumë imazhit distopik të filmit “Children of Men” të regjisorit meksikan Alfonso Cuaron, askush nuk ka kohë të mendojë gjatë për Ballkanin. Në një editorial të gazetës britanike “The Guardian” përshëndeteshin marrëveshjet e arritura në Vjenë, sidomos ajo e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, si garancitë që më në fund do të ruajnë paqen në Ballkan. Editorialistët e “The Guardian” nuk e kuptojnë se si është e mundur që burim kryesor emigrantësh të jenë Kosova me Shqipërinë, këto dy vende që as për së largu nuk e përmbushin kushtin për të qenë origjinë azilkërkuesish.
Habitë e “The Guardian” janë habi naive të europianit bashkëkohor, i cili përgjithësisht nuk ka kohë të kuptojë se ç’po ndodh “atje poshtë në Ballkan”, por është i obsesionuar nga stabiliteti si paradigmë politike për të cilën vlen të sakrifikohet gjithçka qytetëruese që ka pasur ky kontinent, duke filluar nga demokracia. Këto habi formohen prej klisheve të natyralizuara tashmë, që e shohin paqen si produkt të çarmatimit të vendeve të dobëta, apo që e shohin zhvillimin ekonomik si produkt të investimeve në infrastrukturë.
Por le t’i shohim me radhë “të arriturat” e Samitit të Vjenës. Së pari le të flasim për marrëveshjen më kumbuese, ajo që nga Mogherini u barazua me marrëveshjen mes Perëndimit dhe Iranit. Bëhet fjalë për marrëveshjen Kosovë – Serbi, në të cilën u vendos që Kosova të ndahet përfundimisht etnikisht, ngjashëm me Bosnjën. Serbët e Kosovës, me marrëveshjen e re, morën të drejtën për një “Asociacion Komunash me Shumicë Serbe” me autonomi tepër të zgjeruar e me fuqi vendimmarrëse decizive brenda Kosovës. Një minoritet prej 6% të popullsisë, i cili kontrollon 30% të territorit të vendit të vogël ballkanik, ndër të tjera burimet kryesore të ujit të pijshëm, minierat më të mëdha, etj. Arsyet për integrim mes komuniteteve të shumicës shqiptare dhe të serbëve të barrikaduar tashmë në shtetin e tyre gjithnjë kanë qenë të vogla, por tashmë janë bërë zero. Dikush mund të presë që së paku, në shkëmbim të kësaj marrëveshjeje, Kosova të merrte njohje nga Serbia, por asgjë e tillë. Pra nëse Bosnja e njohur nga Serbia u shndërrua në formulën e dështimit të ndërhyrjeve stabilizuese të Perëndimit, Kosova e bosnjëzuar por pa njohjen e Serbisë, është garant për çrregullime të vazhdueshme në Ballkan.
Çfarë solli tjetër Samiti i Vjenës? Premtime për instrumente të reja të borxhit me interesa të lehtësuara, për të investuar në projekte infrastrukturore që do të lidhin Beogradin me Durrësin. Por, Durrësi tashmë është i lidhur me Prishtinën me një rrugë tepër të shtrenjtë (të mbështjellë nga afera të mëdha korruptive e të ndërtuar nga Bechtel) që i ka drobitur ekonomitë edhe ashtu të dobëta të Shqipërisë e Kosovës. Kështu që, Europës i mbetet veçse të investojë në pjesën e Serbisë. Po ashtu, u diskutua për një rrugë që do të lidhë bregdetin, si për të përforcuar konceptin e shpëtimit “përmes turizmit”, koncept ekonomik që tashmë i ka lënë në baltë disa shtete të tjera.
E Serbia, nga ana tjetër, përveçse fitoi edhe një tjetër Republika Srpska në Ballkan (në modelin që krijoi Rusia me Krimenë e Donbasin, apo Abkhazinë e Osetinë më përpara), u lavdërua nga Merkel si vendi i cili është më pranë të tjerëve për hapjen e negociatave për integrim në BE.
Vetë deklarata e znj. Merkel rrëfen për diçka të pamohueshme, që është shpërndarja e pabarabartë e zhvillimit/moszhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor, madje në vetë kotësinë dhe paqëndrueshmërinë e kësaj emërtese. Kur ajo thotë se Serbia është më pranë çeljes së negociatave për integrim në BE, është duke thënë njëkohësisht se Serbia ka ekonomi relativisht më të zhvilluar se vendet e tjera, ka infrastrukturë më të mirë, treg më të integruar, rrjet kontaktesh diplomatike e ekonomike më të stabilizuara etj. Kjo nuk vjen për shkak se Serbia ka pasur politikanë më pak të korruptuar, edhe pse sot, çdo faj shumë lehtë i vihet korrupsionit. Kjo vjen për shkak se Serbia është trashëgimtare e një vendi të pabarabartë, ku ajo vetë ka ndarë postin e hegjemonit me Kroacinë e Slloveninë, tashmë të integruara në BE, ndërkohë që vendet e tjera kanë qenë në pozitë të gjysmë periferisë apo periferisë (brenda Jugosllavisë).
Për ta parë të gjallë atë pabarazi që dikur ekzistonte në parajsën e socializmit, mjafton të zbresësh deri në Maqedoni e të shohësh dallimin mes lagjeve shqiptare e lagjeve maqedonase në Shkup. Justifikimi është i lehtë, shqiptarët janë të pacivilizuar, ata nuk dinë të jenë qytetarë, të bëjnë shtet, etj. Janë myslimanë, me mentalitet lindor etj. Me një justifikim të tillë kulturalist shpjegohet edhe fakti se si shqiptarët janë të vetmit që nuk kanë ndërmarrë iniciativa spastruese në Ballkan. Por kulturalizmit i duhet kundërvënë me histori. Shqiptarët janë të pazhvilluar ekonomikisht për shkak të kolonializmit, kufijtë e tyre u ndanë pa i pyetur kurrë ata, në kongrese të ngjashme me Samitin e Vjenës dhe në historinë e tyre gjatë shek. XX kanë përjetuar spastrime masive, përndjekje e diskriminim ekonomik e kulturor në vendet ku ata jetojnë jashtë Shqipërisë. Ndërsa Shqipëria staliniste për gjysmë shekulli u izolua në bllokadë ekonomike prej Perëndimit demokratik dhe prej Lindjes reformiste. Kjo prodhon pabarazitë e mëdha në Ballkanin Perëndimor, ku kemi një “rajon shqiptar” të pazhvilluar, dhe pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë që e kanë njëfarë zhvillimi relativ, prej të cilave më mirë sigurisht që është Serbia.
Çfarë ndodh kur integrohen tregje të tilla të pabarabarta? Meqenëse tregu vetëm e riprodhon pabarazinë, krijimi i unionit ekonomik të Ballkanit Perëndimor (që paska qenë propozim i Edi Ramës, Kryeministrit të Shqipërisë), nuk pritet të dërgojë produkte të Shqipërisë apo të Kosovës në Beograd, por vetëm të përforcojë praninë tashmë dominuese të produkteve serbe (apo edhe maqedonase) në tregjet ushqimore të Kosovës e Shqipërisë, duke ulur ndjeshëm gjasat e bujqësisë vendase. Kosova dhe Shqipëria kanë sektorët prodhues më të dobët, karshi vendeve të tjera ballkanike, papunësinë më të lartë dhe rrogën mesatare më të ulët. Ndoshta i vetmi rajon tjetër që mund t’i bashkëngjitet Kosovës dhe Shqipërisë në këtë rrënim ekonomik, është pjesa perëndimore e Maqedonisë si dhe pjesa perëndimore e jugut të Serbisë, të dyja të banuara nga shumica shqiptare që as për së largu nuk i gëzojnë të drejtat që fitoi minoriteti serb në Kosovë (të drejta që nuk i gëzon asnjë minoritet as në Europën e qytetëruar).
Kjo pabarazi brenda për brenda Ballkanit Perëndimor shpjegon arsyen se pse pikërisht Kosova e Shqipëria kryesojnë listën e azilkërkuesve, ndjekur pas nga pjesa e Maqedonisë që banohet nga shqiptarë e nga pjesa e Serbisë që banohet nga të njëjtët.
Gjatë periudhës së Luftës së Kosovës, shumë shqiptarë nga Shqipëria u paraqitën në zyrat e azilit në Europë me dokumente false të Kosovës, për të përfituar azilin. Shumë të tjerë janë vetëshpallur grekë, për të marrë kartat e homogjenitetit që shteti grek ofronte për minoritarët grekë në Shqipëri. Pas deklaratave të fundit të znj. Merkel, me siguri që do të kemi shumë shqiptarë që do të marrin dokumente siriane dhe irakiane për të kërkuar azil.
Sepse asfalti nuk hahet dhe investimet nëpër rrugë sjellin veç fare pak punësim të përkohshëm. Prodhimi në “rajonin shqiptar” tashmë është bërë në masë të madhe i pamundshëm dhe jofitimprurës, pikërisht për shkak të integrimeve tregtare e financiare të vendeve me pabarazi të mëdha strukturore e zhvillimore.
Po ashtu, demokracia në “rajonin shqiptar” ka vdekur. Në Maqedoni ata qeverisen nga një minidiktator mafioz si Gruevski, racizmi i të cilit doli sheshit në përgjimet e publikuara, e megjithatë Europa nuk e ka problem të luajë futboll me të, madje edhe ta vlerësojë si golashënues, paçka se ai prej vjetësh shtyp opozitën.
Në Kosovë qeverisen prej një gangsteri si Thaçi e prej një eksponenti të shquar të nomenklaturës së korruptuar e brutale jugosllave, si Isa Mustafa. Qeverisja në Kosovë është e thjeshtë, e ndihmuar prej ambasadave ndërkombëtare që janë në rolin e tutorit të Kosovës. Populli mbahet i heshtur dhe i shtypur përmes frikës, në fakt ekziston bindja e përgjithshme se nëse kërkohet demokraci, ndërkombëtarët mund të tërheqin forcat e tyre ushtarake dhe kjo do të nënkuptonte rikthim të menjëhershëm të Serbisë.
Në Serbi, ata shqiptarë që jetojnë në trojet e tyre në jug të saj, ashtu si edhe ata që jetojnë në qytete të tjera ku janë vendosur në kohën e Jugosllavisë, vazhdimisht mbeten të frikësuar prej atij mentaliteti që solli në pushtet Vuçiçin e Daçiçin, ish-bashkëpunëtorë të afërt të Millosheviçit (imagjinoni një Gjermani demokratike të qeverisur nga Goebelsi, po të mos kishte pasur gjyq të Nurenbergut). Serbia, edhe pas masakrave të Bosnjës e Kosovës, kurrë nuk i është nënshtruar një procesi të defashistizimit, siç ndodhi me Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore. Përkundrazi, shumë shpejt elita ish-millosheviçiane e Serbisë u kthye në një të përkëdhelur të Europës së kapluar nga ndjenja e fajit për ndërhyrjen në Kosovë. E kjo nuk do të thotë aspak demokraci apo mirëqenie për popullin serb, i cili po ashtu është i shtypur e i shfrytëzuar, paçka se në një mënyrë tjetër në thelb e në formë, krahasuar me shqiptarët.
E në Shqipëri, me ose pa korrupsion në qeverisje, tash prej 25 vjetësh ekziston bindja dhe praktika se i vetmi produkt që mund t’i falë ky vend Europës janë krahët e lirë të djemve dhe këmbët e lira të vajzave të këtij vendi. Ndërtimi i rrugëve bregdetare dhe premtimet për turizëm nuk ngjallin dot shpresë në një vend që ka pranë Greqinë dhe Kroacinë, pavarësisht selfijeve entuziaste të turistëve që kërkojnë ekzotiken.
Duket situatë e pashpresë. E pra, dikur edhe Shqipëria, edhe Kosova prodhonin, e kishin një industri. Drejt mëkëmbjes së saj do të duhej të fokusohej ndërhyrja e Europës, apo një plan i ri “Marshall” për Ballkanin, që do të duhej të ishte i fokusuar sidomos në zvogëlimin e pabarazisë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në ringjalljen e prodhimit. Prodhimi e industria, aq shkurt sa ekzistoi, solli njëfarë qytetërimi në këto vende, dhe u shndërrua në bazë edhe të integrimit mes minoriteteve e popullsisë shumicë. Shembulli më flagrant i ndarjes së sotme, Mitrovica, ka qenë një qytet i jetueshëm në kohën kur fabrikat e Trepçës prodhonin mirëqenie dhe serbët e shqiptarët punonin bashkë. Por Europa neoliberale nuk dëshiron të shohë në këtë drejtim. Ajo është e bindur se integrimin do ta sjellë me programe të shkëmbimit rinor dhe me ndeshje ndëretnike futbolli, programe që çojnë pareshtur fonde në klikat e mbyllura të pushtetit që kornizon shoqëria civile ballkanike. Naivitet është pak të thuash. Por gjithsesi “të jep shpresë” fakti se amerikanët në Lindjen e Mesme provuan të krijojnë paqe, duke financuar përmes OJQ-ve martesa mes fshatrave me etni të ndryshme. Pra në Ballkan nuk e kemi hasur kulmin e budallallëkut.
* – Titulli është i redaksisë. Titulli i origjinalit është: SAMITI HISTORIK I VJENËS DHE BALLKANI REAL
Komentet