Shqiptarët, pa dallim brezash, e kanë përjetuar dhe po e përjetojnë si rrallë ndonjë komb tjetër, emigrimin, këtë të vërtetë të dhimbshme, të lidhur pazgjidhshmerisht me fatin e tyre. Janë faqe historie të shpërndara nëpër botë që duhen ruajtur me fanatizëm për t’u transmetuar me dashuri e besnikëri, në mënyrë që kurrë të mos flerë e të harrohet vepra e atyre burrave të mençur, që me aq sakrifica bënë histori në çdo cep të botës, atje ku fati i hodhi. Është historia që meriton të shkruhet si udhë përpjekjesh, si trashëgimi e patjetërsuar identiteti, si mision njerëzor për të hyrë në rrjedhat e jetës së kulturuar dhe lidhjes mes kombeve.Eksperienca e lavdërueshme e punës akademike e shkencore, veprimtaria e pasur botuese, librat, studimet, esetë, aktiviteti kulturor dhe politik në ndihmë të çështjes së popullit shqiptar, të Kosovës e Çamërisë, në veçanti aktivizimi i vazhdueshëm për të drejtat e njeriut; të gjitha së bashku, janë dëshmi e qartë e fizionomisë së prof. Sami Repishtit si personalitet i kulturës shqiptare në diasporë.
Tek figura e Sami Repishtit bashkohen dhe veprojnë në harmoni aktivisti politik, njeriu akademik, si dhe shkrimtari me intuitën letrare. Me fjalë të tjera, ai e ka mjaft të zhvilluar edhe ndjenjën artistike, sikundër bie në sy sidomos kur lexon veprën e tij ”Pika loti”, me kujtime nga burgu që bëri në Shqipëri në kohën e diktaturës.
Për mendimin tim, prof. S. Repishti qëndron në krye të intelektualëve të diasporës shqiptaro-amerikane. Ai është pasardhës i denjë i Rilindasve, sepse ka zbatuar me besnikëri idealet e tyre të larta. 11)
Lindi në Shkodër, më 5 korrik 1925.
Në këtë qytet, kreu shkollën fillore dhe Liceun e Shtetit At GJERGJ FISHTA. Studimet universitare për histori moderne i filloi në Universitetin e Firences, Itali. Si student, gjatë viteve të pushtimit të huaj (1939-1944), u aktivizua në lëvizjen e rezistencës.
Mospajtimet me idetë komuniste, bënë që më 22 tetor 1946, të arrestohet për “veprimtari kundër pushtetit”. Më 28 nëntor 1946, dënohet nga gjykata ushtarake speciale, me 15 vjet burg dhe punë të detyruar, nën akuzën formale “armik i popullit”.
Mbasi vuajti dënimin për dhjetë vjet, lirohet në korrikun e 1956-ës mbas një kalvari të gjatë mundimesh por, tani më:
…Çdo ditë, çdo orë, po bahej nji torturë e padurueshme që nuk mund të zgjatej ma.
Nji mbramje nuk u ktheva në shtëpi. Atë natë udhëtova si i çmendun nëpër kodra e pyje të panjohur, e në agimin e ditës së nesërme u gjeta përsëri vetëm, i mërguem në dhe të huej, që nuk ngroh e as paqon…1)
Punëtor krahu, vazhdimisht i përndjekur, më 22 gusht 1959 arratiset në Jugosllavi, ku menjëherë e burgosin.
Lirohet nga ky izolim në prill 1961 dhe punësohet përkohësisht (ndërkohë studion serbokroatishten dhe anglishten.)
Por shumë shpejt (qershor 1961), përfundon në kampin e refugjatëve të Gerovës, Kroaci.
Aty… Çdo ditë e ma shumë, në masën e këtyre gjysëm-leckamanëve që ishim ne, të hedhun nëpër rrugët e botës, pa dijtë se ku shkojmë, përpiqesha me kuptue domethanien e ngjarjeve të zhvillueme gjatë dhe mbas Luftës së Dytë Botnore, sidomos vendosjen e diktaturës komuniste në Shqipni: akte, njerëz, lëvizje!
Ku ishte dhe ku po shkonte vendlindja ime? 2)
Më 1 shtator 1961, arratiset nga kampi i Gerovës dhe vendoset në Itali.
Qëndroi në Trieste, në kampin e refugjatëve San Sabba, ku në tri javë fitoi të drejtën e azilit politik. Mbas një qëndrimi gjashtëmujor në kampet e Capua-s dhe Latina-s, pranë Napolit dhe Romës, mbas shumë vuajtjesh, më 9 prill 1962, emigroi për në SHBA, ku filloi jetën e re si shqiptaro-amerikan. Studimet e larta i plotësoi në New York, SHBA, dhe në Paris, Francë.
Në tërë këtë maratonë, Amerika vjen para Sami Repishtit, si shfaqja e një lumturie të pavullnetshme. Emigrimi iu bë imponim nga rrethanat e jetës.
Në udhën e saj mes tokës dhe qiellit, lumturia kërkon për strehë një shpirt të kthjellët, gjë që duket se i mungon gjatë, për shkak të së kaluarës dhe brengave që shkaktoi koha.Gjithsesi, viti 1962 mbart suksese të njëpasnjëshme në veprimtaritë akademike e kulturore të Sami Repishtit.
Amerika i hapi shtigje të reja për karrierën profesionale, por i shtoi brengat në thellësi të shpirtit të tij që mbeti kurdoherë mërgimtar.
Shpejt e kuptoi ftohtësinë e kësaj bote të madhe ku largësia e qënieve më të afërta, do t’i krijonte përreth …një shkreti zharitëse, ku etja do të mbetej përjetë e pashueme.3)
Bota e re, u shfaq si mundësia më e mirë e realizimit të ëndrrës së tij për të qënë i lirë, ndërkohë që shpirti i mbetet skllav i dashurisë për shqiptarët dhe trojet etnike.
Janë të ndjera fjalët e zemrës:
“Më fal, o Zot!”
Në këtë ishull begatie ku jetoj unë sot, buka më zen fytin shpesh herë, e pesha e aktit që m’u imponue ma ndrydh zemrën…4)
Vitet 1962-1979, shënojnë një varg diplomash universitare dhe pasuniversitare, dëshmi e vullnetit për të studiuar dhe për t’u kulturuar, me idenë për të jetuar si një shqiptar i denjë në ”botën” intelektuale të emigrantëve shqiptarë në SHBA. Këtij synimi Sami Repishti ia arriti suksesshëm. Më 1977 doktorohet për gjuhë dhe letërsi franceze.
Në këtë “rendje”, pasioni për kulturë, kërkonte, ndër të tjera, të plotësonte mungesat e një dashurie të pazëvendësueshme për vendlindjen dhe familjen.
Shkollimi intensiv dhe aftësia i krijuan mundësi të favorshme për punësim në pozicione të nderuara si: Kryetar i Departamentit të gjuhëve të huaja për shkollat e qytetit Malvere, NY, 1975-1991; Koordinator i programit për studime të avancuara, Lice-University, Adelphy, Garden City, NY, 1976-1991; Pedagog i frëngjishtes, Adelphy University, 1978-1991.
Për 25 vjet me radhë ka dhënë mësim në gjimnazet amerikane dhe në universitetin Adelphi si pedagog i jashtëm. Më 1991 ka dalë në pension dhe sot merret me të drejtat e njeriut.
Është për t’u shënuar se në qershor 1962, prof. Sami Repishti, ka marrë pjesë në 50-Vjetorin e themelimit të Organizatës Panshqiptare Vatra (1912-1962), ku ka takuar Imzot Nolin dhe është anëtarësuar në këtë organizatë. Ka qënë anëtar i Bordit, për disa vjet, deri më 1968, kur u tërhoq përkohësisht për arsye mospajtimi me orientimet e Vatrës lidhur me partizanitë për partitë politike të emigracionit shqiptar.5) Aktualisht, është një nga anëtarët e respektuar të Vatrës.
Që nga viti 1977 deri në 1986-ën, me botues Xhevat Kallajxhiun, ka kontribuar fuqishëm për gazetën Dielli, me artikuj e studime për Kosovën, për sqarimin e problemit kosovar në diasporë dhe për qarqet amerikane, zyrtare dhe akademike. (Shumica e artikujve janë në gjuhën angleze).
Prof. Sami Repishti ruajti shoqëri intime me prof. Arshi Pipën, të cilin e pati njohur që më 1956-ën në Shkodër, mbas lirimit nga burgu. U takuan përsëri, mbas disa vjetësh, në New York më 1962. Bashkëvuajtja dhe karakteri i fortë, i bëri të afërt këta miq tërë jetën, që me gjithë qëndrimet politike disa herë jo të përbashkëta, kishin farkëtuar një qëndrim reciprok të admirueshëm. .…ndajshe me Arshiun dhimbjen e pafund të shkëputjes për së gjalli nga prindët që na lindën, na rritën me aq kujdes e ngrohtësi…e që na i deshtëm me gjithë zemër!6)
Së bashku ata kanë marrë pjesë në shumë simpoziume pranë universiteteve amerikane në New York. Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën, në University Graduate Center, (City University of N.Y., Nëntor 1982), ka qënë veçanërisht e suksesshme. Në këtë Konferencë, morën pjesë 18 profesorë europianë dhe amerikanë dhe ligjeratat e tyre u botuan në vëllimin Studies on Kosova, CUP, 1994.
Më 1989 u botua gjithashtu një studim i përbashkët: Reflections on the Kosova Problem Across Frontiers (winter-spring), janar 1989.
Konsultimet reciproke për probleme të shkrimeve të tyre dhe takimet e përzemërta, të dy miqtë i kanë vazhduar gjatë, deri më 20 korrik 1997, kur Arshi Pipa u nda nga kjo jetë.
Në kujtimet e tij profesor S. Repishti shënon:
…Unë ruej për këtë shok të ngushtë, inteligjent, me karakter dhe shkollar serioz, kujtimet ma të mira…7)
Të qenët shqiptar, idealet e vërteta, i bënë figurat e shumë intelektualëve të mërguar, të mbeten kurdoherë të miqësuara dhe të lidhura shpirtërisht.
Lidhje të vazhdueshme miqësore, prof. Sami Repishti, ka ruajtur edhe me “…shokun e mirë dhe të vjetër”, 8) studiuesin e njohur prof. Peter Prifti.
Shqiptarizmi ka bashkuar intelektualët në punët e Komunitetit Shqiptar në SHBA, pa dallim feje e krahinash, duke mbetur tregues i lidhjeve të qëndrueshme mes diasporës.
…Vëllazën e motra katolikë..
Ju keni përkrahjen e miliona shqiptarëve muslimanë e orthodhoksë që ju kuptojnë e ju duan. Dhe së bashku dora-dorës, të gjithë ne, si komb shqiptar do të hymë në Europë me gjithë shkëputjen e gjatë 50-vjeçare.
Europa është shtëpia jonë. 9)
S. Repishti ka edukatën qytetare dhe tolerancën shpirtërore të besimtarit të mirë që t’i bashkojë njerëzit, ta konceptojë si një të tërë kombin shqiptar dhe t’i tregojë atij pa paragjykime rrugën e qytetërimit e të shpëtimit.
Aktiviteti i tij për çështjen shqiptare shtrihet gjërë në NAAC (National Albanian-American Council), Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, regjistruar zyrtarisht në Washington DC në qershor 1996, vazhdimi i American Friends of Albania, që prof. S. Repishti me shokët e tij themeluan më 1991-92, për ndihmë ekonomike amerikane për Shqipërinë.
S. Repishti, ka qënë një nga pesë themeluesit dhe i zgjedhuri si i pari Kryetar i Këshillit. Këtë detyrë e ka mbajtur deri në dhjetor 1998. Si Anëtar Nderi i Bordit është marrë me përgatitjen e materialeve informuese për autoritetet amerikane zyrtare dhe akademike, në lidhje me problemin gjithëshqiptar në Ballkan.
Është e rëndësishme të shënohet se, KKSHA (NAAC), nuk merret me probleme partiake, si në SHBA edhe në hapësirën shqiptare në Ballkan.10)
KKSHA ndjek parimin themelor të forcimit të miqësisë shqiptaro-amerikane, të demokracisë e prosperitetit ekonomik për të gjithë shqiptarët në Ballkan me përkrahjen e SHBA-së dhe afron amerikanët me prejardhje shqiptare, ose miq anembanë Shqipërisë, me interesa të përbashkëta për kombin.
Ky mision ka arritur të bashkojë rreth vetes shqiptaro-amerikanë të suksesshëm që kontribuojnë konkretisht për çështjen shqiptare, mendërisht dhe financiarisht.
Me këto motive, prof. Sami Repishti aktivitetin e tij politik në SHBA, kryesisht e ka kontribut për të drejtat e njeriut në përgjithësi, dhe sidomos për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Tema e Kosovës, problemet ekonomike dhe politike të saj, janë objekt i trajtimit të mjaft artikujve.
Autor e bashkautor i disa veprave me karakter historik, ka të botuar në shtypin shqiptar dhe të huaj shumë artikuj e studime mbi problemet shqiptare dhe të drejtat e njeriut.
Studiuesi Peter Prifti, një nga figurat e njohura intelektuale jo vetëm në Komunitetin shqiptaro-amerikan po në tërë hapesirën e diasporës shqiptare shkruan:
Sami Repishtin e kam njohur mbi 20 vjet të shkuar. Kam bashkëpunuar me të për një kohë të gjatë për çështjen e Kosovës.
Përveç aftësive që ka treguar në lëmin politik, Repishti ka bërë punë të denjë thjesht si shkencëtar. Ai ka zbuluar dokumente me vlerë në lidhje me komunitetin ebrej në Shqipëri, gjithashtu ka vënë në dukje dokumentin e Patrikanës së Stambollit, që i fali autoqefalinë Kishës Ortodokse të Shqipërisë.
Tek figura e prof. Repishtit bashkohen dhe veprojnë në harmoni aktivisti politik, njeriu akademik, si dhe shkrimtari me intuitën letrare. Me fjalë të tjera, ai e ka mjaft të zhvilluar edhe ndjenjën artistike, sikundër bie në sy sidomos kur lexon veprën e tij ”Pika loti”, me kujtime nga burgu që bëri në Shqipëri në kohën e diktaturës.
Për mendimin tim, prof. S. Repishti qëndron në krye të intelektualëve të diasporës shqiptaro-amerikane. Ai është pasardhës i denjë i Rilindasve, sepse ka zbatuar me besnikëri idealet e tyre të larta.11)
Prof. Sami Repishti është pjesëmarrës aktiv në jetën e bashkësisë shqiptaro-amerikane që nga viti 1965, duke dëshmuar vazhdimisht para Kongresit Amerikan dhe duke mbajtur lidhje me Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, gjithmonë për çështje shqiptare.
Është dekoruar disa herë nga qeveritë shqiptare dhe amerikane për veprimtari patriotike e akademike.
Aktualisht, jeton në New York, i respektuar dhe i vlerësuar nga autoritete dhe personalitete të kulturës shqiptare, nga miq e dashamirës.
Dhoma e përfaqësuesve të Kongresit Amerikan si dhe vetë zëvendës presidenti Al Gore, e kanë vlerësuar me rastin e 75-vjetorit të lindjes; shenjë kjo e respektit për prof. Sami Repishtin dhe për intelektualët shqiptarë që jetojnë në SHBA.12)
Kjo është vetëm një pjesë e jetës së këtij intelektuali, pjesa tjetër, po kaq e qënësishme, lidhet me “enigmat” e pazbuluara të një bote të madhe, botës shpirtërore të emigrantëve, e cila mbetet kurdoherë tronditëse nën peshën e mallit që këput, nën kujtimet ngjethëse të vuajtjeve apo gëzimeve në vetmi, nën ”mbretërinë” e një heshtjeje që kulmon ose shpërthen ndër rrëfime që pasqyrojnë një pushtet plot fuqi, të lidhur me idenë sublime të sakrificës për t’u larguar fizikisht nga ngrohtësia e familjes, për t’u ushqyer në heshtje, në largësi, me dashurinë për të gjithë.
Pikërisht, kjo i ka kushtuar shumë ditë të dhimbshme e lotë të hidhur prof.Sami Repishtit, për të cilin:
Nji Shqipni e lirë, e pavarur, demokratike, e bashkueme dhe europiane asht andrra jonë, asht e ardhmja e jonë.
Çdo zgjidhje tjetër asht nji botë pa vision, nji tunel pa perspektivë.13)
”Pika loti” dhe lotë shprese
Shqiptarët kanë çdo arsye të shpresojnë se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë dhe më e sigurt se e kaluara e hidhur, ose e tashmja zhgënjyese.*
Libri”Pika loti”, tregime burgu, me ngjarje të jetuara, është reflektim i vlerave jetësore të kombit shqiptar.
Vetë autori, Sami Repishti, është dëshmi e gjallë e shpirtit intelektual, që në emër të humanizmit hedh dritë mbi vlerat e kombit dhe të genit shqiptar.
Kjo mishërohet në lirinë e shprehjes poetike, në gjetjen e formave të larmishme për pasqyrimin e botës së lirë njerëzore si dhe të elementeve të përafërta me poezinë moderne, në ”duelin” shpirtëror të njeriut mes qënies dhe mosqënies.
“Pika loti”, një emërtim figurativ, dhembshuror e melankolik, domethënës e mbresëlënës, bëhet thirrës e premtues në vazhdim.
Këtë e motivon përmbajtja e librit e strukturuar në tregime të jetuara, në kujtime të paharruara jo vetëm në kujtesën e autorit, po të gjithë atyre që vuajtën për vite e vite, diktaturën dhe shtypjen njerëzore.
Tema patriotike, qëndresa ndaj vështirësive, vuajtjet e burgut dhe tema e dashurisë, vijnë të lartësuara në sytë e njerëzve. Autori përcjell mesazhe paqeje dhe demaskon politikën e kohës, duke sjellë një pathos krenarie që dallon nga forca e karaktereve të përshkruar me mjeshtëri dhe dhëmshuri prej tij, dhe që bashkëshoqërohen nga liria, civilizimi, emancipimi, gjë që i ka munguar jetës sonë.
Sami Repishti është një nga ata intelektualë shqiptarë që është përballur me sistemin e egër të një diktature të egër, po falë formimit që ka, ai flet me gjuhën e një shpirti fisnik që ushqen dashuri për njerëzit dhe urrejtje për kriminelët.
Vërtetësia e fakteve shoqëron bindshëm shkrimet e këtij autori që kthehet në një sfond të gjallë të mbijetesës njerëzore, në një piedestal mbi të cilin ngrihen vuajtjet, dhimbjet dhe sakrificat e mijëra njerëzve, që në një farë mënyre janë shndërruar në heronj të një gjenerate sa të vjetër, aq edhe të re, pasi historia përsëritet në forma të ndryshme.
E shfrenuar, e keqja kërkon të integrohet në çdo hap të një shoqërie interesash, por forca shpirtërore shëmb shpesh kulla të larta, për t’u treguar të tjerëve se njeriu është një qënie që kërkon të mirën.
Vuajtjet dhe jeta e telave me gjemba tek ”Pika loti”, tregime burgu, shpesh japin hapësira që shfaqin luftën për mbijetesë, si motiv e refren të saj.
Autori ka veçoritë individuale të paraqitjes së fakteve që janë emocionuese, sepse ngjarjet janë të jetuara e të ndjera dhe sepse kërkojnë të ecin në rrjedhën e një jete të lirë dhe njerëzore.
Me vërtetësi përshkruhet mbijetesa e intelektualëve, forca që mbajti gjallë shpresën e kombit, e cila përmes mureve me tulla të kuqe dhe gurë, të burgjeve të vjetër e të rinj mundi të rezistojë dhe t’i bëjë ballë fuqisë shkatërruese të diktaturës, duke dalë mbi botën migjeniane të vuajtjes dhe mjerimit të pashpirt.
”Pika loti” tregon se, edhe kur njeriu fizikisht është i mbyllur e i izoluar me mekanizma hermetikë, shpirti dhe mendja e tij mund të jenë të lirë dhe të pakufizuar.
Njeriu i hapësirave tek Sami Repishti është mërgimtari i detyruar të jetojë larg Atdheut me mallin e rikthimit me kushte: Në një Shqipëri vërtetë të lirë.
Duke vënë barazim mes diktaturës dhe ferrit, shpirti i lirë i autorit aspiron për një botë ideale dhe të pastër, të kundërt nga ajo ekzistuese e cila Pikat e lotit i kthehen në lotë shprese.
Me një gjuhë të zhdërvjellët, të pasur në figuracione, nën ndikimin joshës të dialektit verior, autori Sami Repishti, paraqet përmes Pika loti, ”frytin e emocioneve të tij”, një botë tragjike që e rrethoi në rininë e tij, po që nuk mbetet aty; ajo shpërthen jashtë rrathëve të hekurt të diktaturave për të qënë më entuziaste.
Duke deklaruar se Atdheu im është liria 14), Sami Repishti ka shpallur moton e pakthyeshme: sakrificë në emër të lirisë, madhështuar brenda vetes deri në sublimitet, për të mos iu nënshtruar padrejtësive njerëzore. Liria identifikohet kështu me vendlindjen e paqtë, me ngrohtësinë familjare, me të dashurit e zemrës, aq sa … Atje larg, bukuria vezulluese e qyteteve, e shtëpive luksoze e të rehatshme, e rrugëve të gjelbëra, nuk janë burim kënaqësie.”
..Sot, shkretija për mue nuk asht rana djegëse dhe pa bimësi; ajo nuk asht veçse një shkrimje në hapsinë. Shkretia e vërtetë asht kjo e zemrave tona.
Na jemi vendi, na jemi masa, na jemi kuptimi i çdo gjaje në këtë botë që ose asht e jona, ose nuk asht fare për ne. 15)
Njerëzit me shpirt të ndjeshëm, ruajnë tërë jetën barrën e rëndë të përgjegjësive, edhe pse nuk janë vetë shkaktarë të padrejtësive e dhimbjeve njerëzore. Tregimet e burgut, përcjellin bindshëm këtë mesazh sikurse edhe idenë se ndjenja e dashurisë është e fuqishme tek autori jo vetëm për njerëzit e familjes, po edhe për miqtë dhe shokët e qelive të burgut.
Rruga e flijimeve në emër të së drejtës njerëzore, shembujt përbuzës të shtypjeve të pamëshirshme, filozofia e një jete mbi bazat e parimit moral të barazisë, i kanë bashkuar kurdoherë mendjet fisnike në premtime për ardhmërinë, në dëshirat për të ndërruar të vjetrën, për t’i shërbyer paqes e njerëzisë.
Largimin prej vendlindjes, Shkodrës kurdoherë të adhuruar dhe humbjen e dashurive të mëdha, të njerëzve të zemrës, të babës, nënës, vëllait, shokëve, Sami Repishti e përjeton dhimbshëm.
Re të akullta ngrihen shpesh mbi shpirtin e tij të trazuar.
Gremina drite, vërtitje në thellësi të kohëve, zgjojnë trishtime të së kaluarës.
Pika loti qëndron si dëshmi e lotëve të një zemre të vrarë dhe të një shpirti të ndjeshëm, që mbetet i tillë për sa kohë jeton nën hijen e kujtimeve të hidhura, të qelive të burgut ose burgut të jetës.
Tregimet Të falem nanë, Një vorr i harruem, Elegji për vllanë, Plaku i numrit 10, etj., janë lutja para nënave shqiptare, simbolit të dashurive të heshtura, fisnikërisë dhe dhimbjes së ndrydhur thellë, që kalon muret e vuajtjes njerëzore.
Thellë, në veten tonë, lumturia zotëron forcën për të larguar trishtimin dhe çastet e dëshpërimit që të mbërthejnë në dhimbje shpirtërore.
Le të kujtojmë se është e vështirë të jetosh po nuk është e lehtë edhe të vdesësh.
Jeta është e çmuar, shumë e çmuar. …
Keni provuar ndonjëherë të kuptoni se si e kaluara bën të ”thyhen varret”?!
Ndodh që zbulimi i dhimbjes së vuajtur e ”zgjon” viktimën dhe hedh dritë mbi fajtorin dhe frymën e së ”keqes” që ka shkaktuar dhimbje.
Rëndesa e ndërgjegjes nuk i lë kockat të prehen as në varr.
Ku ka më të rëndë se ”guri i pendesës” që kur bie në shtrat të vdekjes të zë frymën.
Për këtë arsye, në terrin e çdo kohe, të largët a të afërt, njeriu duhet të jetë mishërim i drejtësisë.
Tregimet e burgut, janë disa nga ato dhimbje të jetuara, të varrosura për së gjalli, të mbështjella me qefin, që natyrshëm ndodh ”të zgjohen” nga dremitjet për shkak të ndiesive të forta njerëzore.
Nganjëherë mendimet marrin një forcë të papërmbajtëshme, gërryese, ndërkohë që heshtja dhe emocionet bëjnë që vuajtja të jetë e pandërprerë.
Rëndesa e së kaluarës, me peshën e saj, e bën hera-herës zemrën të fërgëllojë e të mos gjejë qetësi edhe në çastet e lumtura.
Të tilla ndiesi, duket se provon autori i Pikave të lotit, tek jeton aq larg Shkodrës, qytetit të lindjes dhe njerëzve të zemrës, prej të cilëve u nda padrejtësisht dhe dhunshëm, sepse nuk mundi ta duronte “furtunën” e madhe që fryu në ato vite.
Ajo që përmbysi gjithçka, ajo që vrau arsimtarin, që zhduku klerikun, që kalbi në burgje studentin, që shtrydhi në tortura tregtarin, që mundi me uri punëtorin dhe që vorfnoi deri ku nuk shkon ma katundarin. Ajo përdhosi nxanësin, ajo helmoi rininë. Ajo çmendi naivët. Ajo naltësoi idiotin. Ajo bani kult urrejtjen, kurse karrierën ideal ! 16)
Nën këtë trysni mbytëse, Sami Repishti zgjodhi rrugën e emigrimit.
Në largësi fizike, me shpirt të ndjeshëm, ai përjeton ankthin e një “gabimi”, që e bëri me bindje për idealin e lirisë pa kushte.
Është forca e një karakteri jo të dobët por human, që nuk e paralizon ideja e të menduarit qartë se liria ka çmim të shtrenjtë. Ajo merr ngjyrën e gjakut dhe hijen e vdekjes. Ndodh të të hedhë mbi krye rrebeshin e hekurit dhe “zjarrit të lëshuem në emër të së drejtës dhe lirisë. 17)
Ai vetë, Sami Repishti, e ka provuar këtë.
Duket qartë se gjurma e pashlyeshme e lumit të kujtimeve, brenda vetes, nuk do ta lërë të qetë gjatë, më gjatë se sot, deri në ndërrim të jetëve.
Dhimbjet e mëdha mbeten të tilla, tronditëse në heshtjen e qetësinë e tyre, tek njerëz të mëdhenj.
”Nën hijen e Rozafës” Narrativë e jetueme*
Aty si tash para se me ardhë fiset
ishe
me tambël në plasaritjen e currave
e me themele në ujin e njelmë.
Të dhanë vetëm nji emën: Shkodra.
E të thirrën qytet me kunora
e të hodhën përkrye gur
e hekurat e para.
……dhe ndeje me petka të reja
në shkamb
e ndritun ballë diellit mbi fusha.
Aty si tash para se me ardhë fiset 18)
Nën hijen e Rozafës vjen mbas Pika loti si vazhdim i një brenge që nuk mbetet në kufijtë e subjektives. Narrativa e jetueme, merr përmasa të pashmangshme objektive. Hapësira e përfshirjes së ngjarjeve në vepër, hap një horizont vërtetësisht bindës dhe domethënës për të ardhmen.
Përvojat e autorit dhe reflektimet mbi ngjarjet dhe personazhet, flasin me gjuhën e fakteve, duke e bërë brengën e një shpirti të paqetë, ”aventurën” e rrezikshme të një mase individësh të panënshtruar ndaj padrejtësive njerëzore, me përparësinë për të vënë veten në rrezik për një të ardhme ndryshe të shoqërisë shqiptare.
Në vepër, fati i pamerituar i disa individëve dhe i kombit në tërësi, vjen si predikim për të ardhmen, ku kuptimi për jetën duhet të njohë lirinë e individit. Sot, mendësitë e vjetëruara duhen llogaritur të falimentuara në qelitë e burgjeve.
Apo e vjetra, nostalgjike, thërret ende për kthim mbrapa? Në këtë shekull?!
Narrativë e vërtetë, një rrjedhë mendimesh edhe pse shpesh të trishta, por që vijnë me një linjë melodike në ligjërim, vështruar në aspektin letrar e filozofik, e bëjnë këtë vepër të ndëgjohet si një kërkesë parësore që del nga kufijtë e brengës personale për t’u kthyer në shqetësim intelektual, në kapërcim të kohëve.
Libri u kushtohet Dëshmorëve të Lirisë dhe Viktimave të tiranisë, të të gjitha vendeve e të gjitha kohëve. Mendjeve fisnike që transformojnë tragjedinë tonë kolektive, në nji kryqëzatë kundër torturës, në çdo vend e në çdo kohë, me mirënjohjen ma të thellë.19)
Një botim prej 343 faqesh, vepra është njëherësh krijim artistik dhe dokumentaro-historik, që dallon cilësisht për kulturën e mendimit e të gjuhës së shkrimit, si edhe në rrafshin tematik dhe atë të ndjeshmërisë.
E plotë dhe e saktë në përshkrime e fakte, ajo shërben si burim i gjallë të dhënash për brezat e rinj të shqiptarëve dhe lexuesit jo shqiptarë, që e njohin historinë e kombit tonë vetëm nga njëra faqe. Është gjithashtu një sinjal i fortë ndërgjegjësimi për autorët dhe aktorët e tragjedive brenda dhe jashtë kufijve shqiptarë.
Përmes përshkrimeve të ndjera dhe frymës humaniste në përshkrimin e të vërtetave njerëzore, njihet më mirë e kaluara dhe e sotmja e kombit tonë, bota e vuajtjes, tragjedia fatale e shumë viktimave të përballura me vdekje mizore, e atyre që deshën me pasion Shqipërinë dhe u sakrifikuan për të, atyre që njohën dashurinë për njeriun, dashuri që mundi edhe vdekjen.
Gjatë viteve 30 dhe 40 të shekullit të kaluar, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë e mbi të gjithë botën, ”fati zuri për gryke” edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rijtë, edhe Sami Repishti u gjend në një udhëkryq ku duhej marrë një vendim, qoftë edhe me rrezikun për jetën.18) Atëherë, ai i tha “jo” diktaturës dhe mori rrugën e mërgimit.
Akti rebel që ndërmori thuaj se e vrau por në të vërtetë e çliroi njëkohësisht.
Një akt aq vendimtar sa arratisja ilegale në ballafaqim me vdekjen, S. Repishtit i dukej sikur ishte ndërmarrë në nji atmosferë joracionale. Por mendja qartësohet dhe …pjesëmarrja në nji marshim historik, justifikohet nga vendi ku zhvillohet e koha në të cilën jetohet; të dyja janë mbështetja ma e fortë që mund të mendohet. Atëherë, çdo gja duket sikur zen vendin e vet, frika e botës përreth largohet për ata që mendojnë, ankthi avullohet nga vala e ngrohtë e entuzizmit të pjesëmarrjes në këtë marshim.20)
Me leximin e kësaj vepre ku rrëfimi vjen natyrshëm e me aq sinqeritet, krijohet një ide e qartë e së kaluarës së autorit, sidomos e viteve para l959-s, kur ai jetoi si pjesëtar aktiv i historisë së vendit të vet. Përshkrimi në një linjë shpështjellje ngjarjesh të jetuara dhe të gjykuara nga pozita të një mendjeje jo të rebeluar, po të një mendësie të shpallur haptas, pro lirisë së merituar të individit, pozicionon “qëndrimet” e autorit në kuadrin e tyre kohor dhe vendor.
Titulli Nën hijen e Rozafës, njëherësh realist dhe romantik, historik dhe artistik, afirmon faktin që autori jeton nën influencën e fortë të legjendave, të trashëgimisë, të traditës së hershme të popullit shqiptar, duke e konceptuar Rozafën si një kështjellë mbrojtëse dhe pikë përqendrimi të rezistencës kundër “forcave të jashtme”.
Por, me sa duket, pak nga pak, legjenda e Rozafës, një therori njerëzore në Altarin e zotave të zemrueme iliriane, sikur e ka ftohur entuziazmin rinor të autorit për “kështjellin”, dhe e ka detyruar të dyshojë dhe më vonë të mendojë dobishmërinë e një “idhulli” që kërkonte jetë njerëzore për ushqim! A ia vlente një therori e tillë? Duhej për të gjaku i të rinjve dhe i prindërve të tyre? A mjaftoi kjo për t’i bërë të qëndrueshme themelet e Rozafës?!
Duke iu referuar thënies kuptimplote për vlerat e jetës njerëzore Nji jetë nuk vlen gja, por asgja nuk vlen aq sa nji jetë njerëzore 21), autori S. Repishti pohon sërish faktin se u ka qëndruar besnik parimeve që lidhen me shenjtërinë e lirisë njerëzore, jetesës me dinjitet dhe demokracisë për të gjithë, pa asnji dallim. Këto pikëpamje i paraqesin dukshëm veprat dhe qëndrimet e tij edhe sot. Këto parime, Sami Repishti i emërton besnikëria ndaj vetevehtes , besnikëria ime si individ kundrejt të gjithë vëllazënve e motrave të racës së vetme njerëzore.22)
Përshkrimi i ngjarjeve që jetoi dhe pjesëmarrja në procesin historik që kaloi vendi i tij i lindjes deri në vitin e largimit të autorit nga Shqipënia (l959), sikurse ndihet qartë në narrativën e jetueme Nën hijen e Rozafës, është përshkrimi i fazave të burrënimit të autorit dhe atij të brezënisë së tij që me të drejtë ai e emërton brezëni e djegun; …sepse…në entuziasmin që karakterizoi rininë tonë, shokët e mij dhe mua, u hodhëm vrullshëm në zjarrin e betejës që ziente, dhe përfunduem “të djegun” në atë zjarr, si flutura në dritën e kandilit fatal që e tërheq, e dolëm të sakatuem nga torturat, burgimet, ekzekutimet etj., gjithëherë në altar të “Nanës Shqipëni!”
Kështu u rrit autori, sikurse u rritën me mijëra të rij shqiptarë që u përballën me diktaturat e egra të shekullit të njëzetë. Hap mbas hapi, Sami Repishti u ndesh në jetë me njerëz e ngjarje që e frymëzuan, e tronditën, e neveritën, rrezikuan shkatërrimin e plotë të tij, por ..sa ma e thellë ishte gremina e vuejtjes vetiake dhe kolektive, aq ma shumë u rrit tek unë besimi në njeriun e fisnikërinë e tij, derisa erdha në përfundimin se dashunia për njeriun vëlla ishte përgjegjja ma e mirë që mund t’i jipet mjerimit, shtypjes, e barbarizmit bashkëkohor…!
Shqiptarët kanë fjalë bese, nder, burrëri.
Këto i përjetoi S. Repishti në qëndrimin burrëror e sjelljen e malësorëve shqiptarë në burg. Në thjeshtësinë e mendësisë së popullit të vet, ai pa e provoi cilësi fisnike që paraqesin esencën e “njerëzimit” dhe respektin për jetën njerëzore, cilësi që plotësojnë atë, pa të cilën bota do të ishte nji shkretëtirë shpirtërore e morale, ku do të sundonte “ligji i xhunglës” ku i forti vret, ku i dobëti vritet në heshtje e errësirë…
Me gjithë jetën e vështirë, autori shprehet i pakompromis me të keqen duke mos e pranuar kalimin e kufirit në botën ku mbretëron hakmarrja individuale e institucionale, ndërkohë që njohja e përgjegjësive duhet të jetë një kambanë që duhet dëgjuar si një kujtesë që pengon të përsëritet e kaluara lënduese.
Zbulimi i dhimbjes së vuejtun, e ngre viktimën në sferën e absolutes, dhe hedh dritë mbi fajtorin e frymën e së “keqes” që shkakton këtë dhimbje.
Autori nuk e humbet besimin në mirësinë imanente të natyrës njerëzore, në cilësinë hyjnore të faljes së fajit e gabimit, një frymë kjo që duket se i ka dhuruar një gjendje lirie nga barra e vuejtjes së pësueme e nga kujtimet e kobshme të saj, duke e bërë që të tingëllojë si një thirrje finale, mesazhi që uron dashuri për breznitë e reja.
Pse shkruej? Jam viktimë e, denoncimi i krimit e kriminelit, justifikon mbijetesën time!
Drita këput vargojt e lidhun në errësinë. Drita sjell lirinë! 23)
Qoftë tragjedia jonë kolektive, frymëzim për nji kryqëzatë kundër torturës, në çdo vend dhe në çdo kohë. Kurrë ma, kurrë ma …! 24)
Referenca
1-Sami Repishti, “Pika loti” tregime burgu, Botimi “At GJERGJ FISHTA”, Shkoder, 1997, fq. 21
2- “Pika loti”, f. 142
3- “Pika loti”, f. 137
4- ”Pika loti”,f.138
5- Sami Repishti, Shënime autobiografike.
6- S. Repishti,”In memoriam”, Shoku im Arshi Pipa- Me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes. Phoenix, nr.5-6, Shkodër 1998.
7- Letërkëmbimi im me prof. Sami Repishtin, 30 Tetor 2000.
8- Letërkëmbimi im me prof. Sami Repishtin, 24 Tetor 2000.
9- S.Repishti: “Promemorie, Madhështore”, Baldvil, Nevv York, 2 Nëntor 1997 (Shkruar me rastin e përkujtimit të Nënë Terezës në Katedralen e Saint Patrick-ut). Phoenix, nr. 7-8, Shkodër 1998, f. 109.
10- Artikull rreth formimit të KKSHA , Illyria, Nevv York, 10-14, 1996, f. 14
11- Letërkëmbimi im me prof. Peter R. Priftin, “Pak fjalë për Prof. Sami Repishtin”, Peter Prifti, 25 Dhjetor 2003, San Diego, Kaliforni.
12- S.Repishti, “Promemorie, Përshëndetje të gjithë shqiptarëve: Gëzuar vitin 2000!”, Phoneix, nr. 1-2, 2000, Shkodër, f. 9-15.
13- S.Repishti, “Përshëndetje me rastin e përurimit të Kishës Katolike Shqiptare në Harstdale të Nevv Yorku-t.” Phoenix, nr.5-6,1999, Shkodër, f. 353.
* S.Repishti, “Promemorie, Përshëndetje të gjithë shqiptarëve: Gëzuar vitin 2000!”, Phoneix, nr. 1-2, 2000, Shkodër, f. 9-15.
14- Sami Repishti, Intervista “Atdheu im është liria”, gazeta “Zëri i rinisë”, Prishtinë, 28 Nëntor-14 dhjetor, 1991.
15- Sami Repishti, “Pika loti” tregime burgu, Botimi “At GJERGJ FISHTA”, Shkodër, 1997, f. 128
16- Po aty, f. 124.
17- Po aty, f. 145.
* Sami Repishti ”Nën hijen e Rozafës”,Tiranë 2004
18- Ali Aliu” Antologji e poezisë shqipe” gjysmë shekulli i artë, Tiranë 2002, “Aty si tash para se me ardhë fiset”, poezi nga Martin Camaj, fq. 25.
19- Sami Repishti ”Nën hijen e Rozafës”,Tiranë 2004, f. 7
20- Po aty, fq. 334
21- Letërkëmbimi im me prof. Sami Repishtin, 30 Nëntor 2004.
22-Po aty, “Une vie ne vaut rien; mais, rien ne vaut une vie humaine!”A.Malraux.
23- Sami Repishti ”Nën hijen e Rozafës”,Tiranë 2004, f. 12, 341.
Komentet