Ish-kryekomunari i Shëngjinit, Salvador Kaçaj i është përgjigjur sot deklaratave të kryeministrit Rama i cili një ditë më parë në Lezhë tha se i kishte futur njerëz që të bashkohej sërish me PS-në.
I ftuar në News24, Kaçaj tha se deklaratat e Ramës janë prej panikut që e ka kapur për shkak të humbjes që do të pësojë në qarkun e Lezhës.
Pyetje: Para 12 vitesh ishte Rama krah jush apo ju krah Ramës?
Kaçaj: Unë në 2011 isha përfaqësues i PDK dhe ishim në koalicion me PS. U bëra kryetar i Shëngjinit me mbështetjen e të gjitha palëve, edhe të demokratëve. Kam treguar se jam një drejtues i aftë. Kryeministrin e mirëkuptoj, nuk është ai që ka qenë në 2011. Ai sheh ëndrra me sy hapur ose është nën efektet e pluhurave që përdor. Nuk është e vërtetë që e kam telefonuar. Të gjitha çfarë thotë janë gënjeshtra.
Pyetje: Kur keni folur për herë të fundit me Ramën?
Kaçaj: Ka mbi 5 vite. Ai është një gënjeshtar ordiner. Ato gjëra edhe sikur të kishin ndodhur, nuk thuhen. Ai është nën efektet e pluhurit blu.
Pyetje: Pse u prishët?
Kaçaj: Atë e ka kapur paniku i humbjes. Ai do ta humbasë Lezhën me rezultatin 3-0. Ai do ta humbasë Kurbinin, do të humbasë Lezhën. Pjerin Ndreu nuk është kryetar i bashkisë së Lezhës, nuk është votuar. Ai mori vetëm 6%. Ne do fitojmë edhe në Mirditë. Rama e ka parë këtë që po ndodh dhe e ka kapur paniku. Edhe deklarata që bëri është në panik e sipër. Del në Qarkun e Lezhës dhe vetëm gënjen. Thërret administratën në miting dhe në fund u thotë “iu hëngsha zemrën”. Një turp i madh. Ai e urren Lezhën.
Pyetje: Pse?
Kaçaj: Ka 10 vite një që një rrugë 10 km nga Thumana në Krujë nuk e bën. Ndërkohë që në kohën e Berishës janë bërë shumë investime, shëtitorja e Drinit, katër shkolla, qendra e Lezhës, lungomarja e Shëngjinit. Në Kurbin prej 10 vitesh nuk ka bërë asnjë investim. Në Mirditë ka bërë vetëm qendrën me ca gurë të turpshëm.
Pyetje: Në publik është perceptuar sikur keni qenë me PS dhe tani jeni me PD. Ju keni kandiduar në 2011 me siglën e PDK…
Kaçaj: Ka ndodhur vetëm për 6 muaj. Pas 6 muajsh i jemi bashkëngjitur Berishës. Të dëgjosh çfarë ka thënë Rama për familjen time dhe xhaxhain tim, unë sot e mirëkuptoj. Marrëdhënia jonë ka qenë afërsisht 1 vit dhe më pas jemi divorcuar dhe i jemi bashkëngjitur PD-së me Nard Ndokën.
Pyetje: Si do ta ftoni elektoratin gri në kutitë e votimit?
Kaçaj: Ju do ta shikoni që këto zgjedhje do të kenë surpriza. Ne do të marrim Elbasanin, Durrësin, Vorën dhe Tiranën me një kandidat të shkëlqyer si Këlliçi. Në veri gjithashtu do ketë fitore spektakolare, që nga Malësia dhe Madhe, në Kukës dhe në Kamëz.