Sot, në komisionin e Sigurisë, nisi shqyrtimi në parim i projektligjit për Policinë e Shtetit dhe i pranishëm ishte ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Por, deputeti i PD, Ervin Salianji, pasi ia ka përplasur në sy konstatimet e ashpra të raporteve të DASH dhe po ashtu edhe të vetë SHISH e deri tek deklarata e fundit e vetë kreut të SPAK-ut për inkriminim të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, i ka kërkuar Ballës në veçanti të japë përgjigje se si është e mundur që vrasësi me pagesë i arrestuar Nuredin Dumani vazhdon të kryejë krime nga burgu.
“Një përgjigje dua për këtë Dumanin – iu drejtua Salianji, – që ka çuditur dynjanë duke dalë nga burgu – nga burgu!!! Të ndodhet kjo më përpara, e di çfarë ndodhte në këtë vend apo jo?! Nga burgu vendos gjoba, nga burgu kryen aktivitet kriminal, nga burgu pastaj përveç këtyre të mirave të tjera që ka, kryen edhe ca gjëra të tjera.”
Balla iu kundërpërgjigj Salianjit me një të folur të avashtë në maksimum duke e spërkatur fjalën e tij edhe me thumba të tillë “se keni qenë në opozitë dhe do të vazhdoni të mbeteni edhe më gjatë” dhe i kërkoi t’i qartësonte raportet për të cilat fliste, duke pohuar se pavarësisht sukseseve dhe vlerësimeve që kishin marrë madje deri edhe në SHBA personalisht para disa javësh, puna e Policisë kishte vend për përmirësim dhe gjeti justifikimin: “na jepnin votën me qëllim që të ecim përpara me pjesën procedurale të shqyrtimit të këtij ligji”…
Megjithatë, në ligjëratën e gjatë plot kundërshti, Balla harroi të jepte përgjigjen për rastin e Nuredin Dumanit.
Atëherë Salianji u detyrua t’ia përsëritje shkoqur pyetjen, ministrit: “Nuk më dhatë përgjigje ministër për një çështje që ju e quajtën shaka, por nuk është hiç shaka. Është një ndër ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur, por këtu, ngaqë ndodhin e ndodhin, nuk bën përshtypje.
A është Nuredin Dumani nën mbrojtjen e Drejtorisë apo Departamentit për Dëshmitarët e Mbrojtur dhe si ka mundësi që nga burgu, kryen aktivitet? A ka përgjegjësi ky departament dhe a keni marrë masa që ndodhin këto ndodhi në Shqipëri, që një personazh ndër më të rrezikshmit kriminal, ka akses, ka mundësi, ka salltanete, komunikon siç e patë në dëshmi dhe ka internet 24 orë?!”
Por ministri i Brendshëm prapë nuk dha përgjigje e iku dhe komisionin e mbylli Nasip Naço, kryetari i Sigurisë duke i sugjeruar Salianjit që herë tjetër të ftonin për dëgjesë në komision grupe interesi për ligjin e Policisë së Shtetit.
Duke mos marrë asnjë përgjigje dhe parë këtë skenë, Salianji i përcolli me fjalë ironike: “Të thërrasim edhe Dumanin, se edhe ai ‘grup interesi’ është!”/SYRI.NET