Lirimi i Dr Sali Berishës, kryetarit të Partisë Demokratike dhe Opozitës Shqiptare përtej lirisë personale të tij është një mundësi për RINGRITJEN e kësaj force politike.
Ai vërtet ka qenë i izoluar si kurrë më parë për 333 ditë por kjo ndoshta i ka dhënë mundësinë ta shohë dhe vëzhgojë forcën e tij politike nga një këndvështrim krejt tjetër dhe i ftohtë..
Unë shpresoj shumë që ai ka patur mundësinë të shohë dhe të kuptojë çfarë nuk shkon me Partinë Demokratike.
Kjo parti që i mbijetoi goditjes më të rëndë që nga krijimi i saj me 12 Dhjetor 1990 falë rezistencës së pashoqe të kryetarit të saj por edhe qëndrestarëve që nuk u tronditën dhe lëkundën asnjëhere dhe nuk e bënë këtë qëndresë për përfitime personale ka shansin që të ringrihet në mënyrë që ti përgjigjet momentit historik dhe nevojës së shqiptarëve për ta ndalur rrënimin e Shqipërisë.
Mali i punëve që presin zgjidhje është i madh sa asnjëhere tjetër më parë.
Ka prioritete në disa nivele, prioritete imediate, afatshkurtëra e afatgjata.
Por, asnjë nga këto nuk mund të realizohet nëse PD nuk riformaton në radhë të parë veten e saj.
Kjo parti ka nevojë urgjente reformimi e kjo nevojë më shumë se e saj është e opozitarëve demokratë që duan të shohin një forcë politike vibrante, të fuqishme që funksionon si një makineri efiçiente. Kjo realizohet me njerëz të besueshëm dhe që kanë besimin e publikut i cili nuk do as jargavitës para kryetarit e as individë të përfolur apo të njohur si të korruptuar gjatë viteve të pushtetit të saj qëndror apo lokal!
Kur them këtë të nderuar miq, nuk e kam fjalën as për gjueti shtrigash e as prerje kokash pasi kjo parti për kushtet ku ndodhet vendi ka nevojë për kontributin e të gjithëve.
Por, partia demokratike sidomos në nivelet e larta duhet të pastrohet nga individet që janë pjesë e dosjeve hetimore të cilat mbahen në sirtaret e ‘Irenave’ të regjimit apo të kapur në rrjetin e përgjimeve që qarkullojnë sot në publik apo rrjetet gazetareske.
PD ka nevojë akute të çlirohet nga këto individë. Koha e jashtëzakonshme e foltores por edhe sfidat e mëvonshme kanë dëshmuar se çfarë do elektorati dhe ku janë problemet!
Ku ishin gabimet e së kaluarës e se pa reflektuar mbi ta ne nuk mund të levizim përpara.
Koha 11 mujore e izolimit të kryetarit të saj na dëshmoi se kështu siç është kjo parti nuk shkon larg, është anemike pa ide e nuk ngjit ashtu siç duhet me elektoratin e nëse kjo është kështu nuk është faji i elektoratit por strukturave të saj të çdo niveli që duhet freskuar e riformatuar duke u bazuar në votën dhe vullnetin e lirë të mbështetësve të saj e jo makinacioneve e manovrimeve nga lart për të klanizuar seksionet dhe strukturat siç ka ndodhur me disa degë fjala vjen në mërgatë.
Është e lehtë për ti larguar njerëzit por shumë e vështirë për t’i afruar sidomos ata që kontribuojne apo që duan të kontribuojnë pa interesa postesh apo qëllime karrieriste.
Partia Demokratike pas 12 viteve shumë të vështira në opozitë ka mundësinë e fundit për tu bërë forca që duan të djathtët dhe shqiptarët! Ajo ka nevojë për HAPJEN e shumëpritur. E kur them hapje nuk e kam fjalën për të garantuar karrige për ata që vijnë kur ju skadon fjala vjen partia e Lulit por për demokratët e ndershëm me integritet e që kanë dhënë prova për këtë ndershmëri e këtë integritet. Ata i njihni të gjithë por ata ndryshe nga jargavitësit e kryetarit nuk vijnë duke çarë me brryla por duhet të ju krijohet mundësia e të sigurohet një garë e ndershme dhe e drejtë.
PRIMARET, duhet të behen jo si ato të kaluarat POR të tilla që askush të mos i kontestojë e kjo është plotësisht e mundshme dhe e realizueshme. Kjo është edhe ilaçi më i mirë i bashkimit mjaft të vështirë e traumatik.
Si të jetë partia sot do të jetë qeveria dhe shteti nesër e nuk mund të jetë ndryshe!
Statura, përvoja, energjia dhe liderishipi i Sali Berishës përpos faktit që ai është 80 vjeçar duhet të shihet jo si handikap siç mundohen ta paraqesin lëkurëshiturit apo patronazhistët mediatikë që bombardojnë opinionin çdo ditë e çdo natë por si bekim për demokratët. Ta shfrytëzojmë pozitivisht çdo moment të lidershipit të tij!
Imagjinoni për një moment të dashur miq sikur ai të ishte thyer apo tërhequr!
Ku do ishte Partia Demokratike?
A e imagjinoni dot?
Ka shumë pak kohë, shumë pak kohë por e mjaftueshme nëse bëhet gjëja e duhur.
Brenda dhe jashtë vendit të angazhohemi jo për hir të një partie politike sepse nuk është ai qëllimi në vetvete por synimi është shpëtimi i Shqipërisë, ndalimi i rrënimit tē saj e kjo nuk arrihet dot jashtë Partisë Demokratike.
Ne duhet ta ndalojmë me çdo kusht e çdo mjet një vjedhje tjetër mandati qeverisës nga klani mafioz i rilindjes. Duhet ndaluar se s’bën! I duhen prerë arteriet ushqyese sistemit të patronazhimit.
Rilindja nuk fiton me votë të lirë! Mos bini viktimë e anketave Zaloshnjare apo Euroblushare që gatuhen në bodrumet e rilindasve. Kush predikon partiçkat e vogla apo opozitat oksfordiste ose jeton në deluzione ose është në shërbim të rregjimit. Kjo është bash arësyeja që përpos rezervave që unë si shumë të tjerë kemi shfaqur ndaj PD-se e kemi mbështetur dhe vazhdojmë ta mbështesim këtë forcë politike.
Kur unë kritikoj kam një qëllim të vetëm forcimin dhe përmirësimin e saj e asnjë synim tjetër. Vetëm debati i shëndoshë do të na çojë aty ky duhet të aŕrijmë, shkulja e së keqes e bërja e Shqipërisë vend normal e i jetueshëm.
Këtë ju a thotë jo një individ që synon karrierë pasi unë jam i realizuar dhe i përmbushur në profesionin tim por një person që vetëm do ta shohë Shqipërinë një vend normal.
Këtë ju a thotë jo një i ri fluturak që i është mbushur mendja se është kokë e madhe e duhet të bëhet funksionar i lartë, minimumi deputet siç shumë prej jush i shihni në media apo në jetën tuaj të përditshme por një si ju që deri para 5 vitesh jam marrë thjesht me jetën time personale por jam investuar modestisht për interesin publik, për interesin e vendit tonë të përbashkët sepse më dhemb kur e shoh që punët në vendlidjen tonë shkojnë siç po shkojnë!
Ky protagonizëm miq nuk ka qenë pa kosto personale, kercënime të herëpashershme për mua dhe familjen time por përpos kësaj nuk kam asnjë pendesë për këtë e sikur ta ktheja kohën pas do të bëja të njëjtën gjë veçse më fort e ndoshta më mirë.
Sikur të gjjthë të rrimë në kafe e në guaskën personale të jeni tē sigurtë që asgjë nuk do të ndodhë.
Të gjithë nga një tullë që ta bëjmë mur.
O tani o kurrë!
Koha e fjalëve ka mbaruar – tha Dr Berisha.
Është koha për veprim!