Deputetja demokrate, Majlinda Bregu, ironizon në FB faktin se qeveria ka një plan për t’iu përgjigjur krizës së refugjatëve, ndërkohë që nuk ka një plan për të zgjidhur problemin e largimit masiv të shqiptarëve.
Por a ka një plan qeveria?
Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm, ka dhënë një intervistë të gjatë për rrjetin Euronews, ku shpjegon fillimisht arsyet se përse shqiptarët duhet të qëndrojnë këtu.
Sipas tij, ky është një fenomen i çuditshëm.
“Ne kemi punuar me partnerët që të ndërmarrim masa për të ndaluar këtë fenomen të çuditshëm. Nuk ka asnjë arsye që shqiptarët të kërkojnë azil në vendet e BE. Shqipëria është një vend demokratik, ne po shkojmë drejt integrimit europian. Po reformojmë gjyqësorin dhe po luftojmë korrpsionin, po bëjmë reforma që do ndërtojnë një ekonomi të qëndrueshme, po luftojmë varfërinë dhe këto janë masa që nuk i lejojnë askujt të kërkojë azil,” tha Tahiri.
Megjithatë shqetësim i tij mbetet pagesa që marrin shqiptarët kur shkojnë në Gjermani si azilkërkues.
“Edhe persona me rroga relativisht të mira kanë shkuar atje. Duket më fitimprurëse që të jesh në listën e pritjes atje sesa me rrogë këtu. Shkon atje, pret për 6, 8 apo 9 muaj, edhe më shumë. Merr një shtëpi gjatë kësaj kohe. Ndonjëherë merr leje punësimi dhe merr përfitimet sociale gjatë kësaj kohe. Këto janë faktorë tërheqës dhe ftues, që e vështirësojnë punën për ne që të luftojmë këtë fenomen,” tha Tahiri.
Duke bërë thirrje që Shqipëria të klasifikohet si vend i sigurt origjine, Tahiri thotë se janë gjithmonë e më pak shqiptarë që duan të shkojnë tanimë në Gjermani.
“Duket e rehatshme të qëndrosh për një vit atje dhe të jetosh një jetë që nga distanca duhet e rehatshme, por nuk është kështu. Por tani janë pak që besojnë se do gjejnë një perspektivë atje. Do të sugjërojmë që për azilkërkuesit ilegalë, përgjigjia të vijë sa më shpejt, brenda dy javësh,” thotë Tahiri.
Por sa fiton një azilant në Gjermani?
Gazeta Bild, në një nga shkrimet më të lexuara, i jep përgjigje kësaj pyetje.
Në zyrën sociale në Fyrth të Bajernit, punojnë rreth 50 persona për mbi 1600 azilantë.
Pas regjistrimit, azilantët marrin menjëherë para xhepi.
-Për një person që është vetëm, pagesa është 143 euro në muaj
-Për të martuarit është 129 euro për secilin
-Për fëmijët nga 0 deri në 6 vjeç është 84 euro
-Për fëmijët nga 7 deri në 14 vjeç është 92 euro
-Për fëmijët nga 15 deri në 18 vjeç është 95 euro në muaj
Sapo azilantët vendosen në një banesë të qëndrueshme, pagesa rritet.
-Për personat që janë vetëm shkon në 325 euro në muaj
-Për të martuarit shkon në 297 euro secili
-Për fëmijët nga 0 deri në 6 vjeç shkon në 211 euro
-Për fëmijët nga 7 deri në 14 vjeç shkon në 238 euro
-Për fëmijët nga 15 deri në 18 vjeç shkon në 269 euro
Për shkak se refugjatët nuk kanë llogari bankare, paratë jepen në cash.
Se si i shpenzojnë paratë, kjo është punë e vetë azilantëve.
Askush nuk u kërkon llogari.

Komentet