Ekzekutimi sot i pronarit të televizionit ‘Media Plus’ në Lezhë, Kastriot Reçi dyshohet të jetë krim në vazhdën e disa vrasjeve të tjera të ndodhura për hakmarrje nga Belgjika, në Romë dhe Shqipëri.
Dyshimet janë se vrasja e vëllait të Kastriotit, në Romë dy vite më parë, Gaspër Reçit, të jetë bërë si hakmarrje për vrasjen e Saimir Jakut, ish drejtor i OSHEE-së.
Ndërkohë vrasja e Kreshnik Gjinit në Belgjikë është bërë si hakmarrje e vrasjes së Gaspër Reçit.
Ja çfarë shkruante Panorama në 2017 për sagën e vrasjeve:
Vrasja e shqiptarit në Belgjikë/ Hetohet hakmarrja, dy atentatet që dyshohen
Policia shqiptare përfshihet në hetimet për vrasjen e 31-vjeçarit Kreshnik Gjini, i cili u ekzekutua tri ditë më parë në komunën e Forestit të Belgjikës, shkruan “Panorama”.
Ka qenë policia belge ajo që ka kërkuar ndihmën e policisë shqiptare për hetimin e ngjarjes, e cila duket se ka lidhje me një serial vrasjesh e hakmarrjesh të ndodhura edhe në vendin tonë.
Një vajzë e identifikuar me emrin Cristina, e cila ka qenë e dashura e Kreshnik Gjinit, ka pohuar për policët belgë se daja i 31-vjeçarit është vrarë një vit më parë në Shqipëri.
Daja i Kreshnik Gjinit ka qenë Sajmir Jaku, ish-drejtori i linjës së Tensionit të Lartë për veriun në OSHEE. Ai u vra më 9 shtator 2016 në Rrëshen, ndërsa ngjarja mbeti e pazbardhur, pavarësisht pistave të hetuara nga ana e policisë.
“Ai ndihej i kërcënuar”, ka thënë e dashura e Kreshnik Gjinit në dëshminë e dhënë para hetuesve. Bazuar në historinë e 31-vjeçarit të vrarë, por edhe në dëshminë e dhënë prej së dashurës, hetuesit belgë dyshojnë se vrasësit janë shtetas shqiptarë që mund të kenë vepruar për çështje hakmarrje.
Në këtë pistë hetimi, policia rendit tri vrasje që dyshohet se kanë lidhje me njëra tjetrën, edhe pse kanë ndodhur në Shqipëri, Itali dhe Belgjikë.
SERIALI I VRASJEVE
Sajmir Jaku, drejtor i Tensionit të Lartë në OSHE për veriun, u vra më 9 shtator 2016. Dyshohet se dy persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje zyrtarin, ndërsa nga të shtënat me armë edhe një person tjetër mbeti i plagosur. Policia ka thënë se Sajmir Jaku është qëlluar me kallashnikov kur ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet e zonës më të frekuentuar të qytetit të Rrëshenit me një shok.
Pas vrasjes, autorët braktisën automjetin tip “Benz-Mercedes” në një fshat të Kurbinit ku e kanë djegur dhe më pas u larguan. Ngjarja mbeti e pa sqaruar edhe pse për hetimin e saj u angazhua policia dhe prokuroria me gjithë burimet e tyre njerë- zore. Me dhjetëra veprime hetimore u kryen për disa muaj me radhë, por përfundimisht ngjarja ka mbetur pa autor. I vetmi fakt që dihet është se autorët e atentatit kanë qenë dy persona.
VRASJA NË ITALI
Një tjetër krim që dyshohet se ka lidhje me këtë serial është vrasja e ndodhur më 28 prill 2017 në Itali, ku u ekzekutua shtetasi Gasper Reçi, i cili u qëllua me katër plumba. Viktima Gasper Reci, 43 vjeç nga Rrësheni, u vra në banesën e tij në Via Simeri Crichi, në Tor Vergata.
Në banesën e Reçit ka qenë vetëm vajza e tij në momentin kur ai u ekzekutua me armë. Sipas policisë italiane, Gasper Reci kishte precedent penal në të kaluarën për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Policia dyshon se vrasja e Gasper Reçit mund të jetë kryer si hakmarrje për vrasjen e Saimir Jakut. Ndërsa krimi i fundit i ndodhur në Belgjikë, ku u vra Kreshnik Gjini, mund të jetë kryer si hakmarrje për vrasjen e Gasper Reçit.
Në lidhje me tri ngjarjet, mësohet se sektori i krimeve të rënda në Policinë e Shtetit, është duke shkëmbyer informacione e prova me policinë belge. Kjo e fundit mësohet se ka kërkuar ndihmë në hetimin e vrasjes së shtetasit Kreshnik Gjinit në Holandë, tri ditë më parë.
Kjo kërkesë për ndihmë në hetimin e ngjarjes është bërë në adresë të policisë shqiptare, bazuar në informacionet e dyshimet se krimet mundet të kenë lidhje me vrasjen e zyrtarit të OSHEE në Shqipëri.
Si u vra ish-drejtori i OSHEE në qendër të Rrëshenit në 2016
Ish-drejtori i Tensionit të Lartë në OSHEE, Saimir Jaku, 33 vjeç, i cili deri pak javë para vrasjes ishte zyrtar i shtetit, është ekzekutuar me breshëri automatiku rreth orës 09:40, të datës 9 shtator 2016 në një nga lokalet më të frekuentuara të Rrëshenit.
Zyrtari i kishte shpëtuar një atentati më parë. Mësohet se viktima ishte transferuar më 1 shtator 2016 në Drejtorinë e Tensionit të Lartë në Tiranë, në pozicionin Shef Sektori i Asistencës Teknike SCADA + GIS/ Dega Teknike, ndërkohë që mbante dhe pozicionin e anëtarit të Këshillit të Qarkut në Lezhë.
Autorët e krimit e qëlluan viktimën me breshëri në rrugicën e lagjes së tij, por asokohe i shpëtoi atentatit që ndodhi për motive banale. Ai i ka shpëtuar një tjetër sherri, ku u tentua të vritej sërish. Këto ngjarje kanë ndodhur vite më parë dhe sipas banorëve të Rrëshenit, konfliktet ishin sheshuar.
“Kjo ngjarje nuk ka lidhje me ato të mëparshmet. Është një atentat i organizuar dhe i paguar nga dikush. Mund të ketë lidhje edhe me punën e tij në OSSHEE, të mëparshmen ose atë të tanishmen. Nuk dimë të ketë pasur ndonjë konflikt në këto kohët e fundit”, ka pohuar një dëshmitar, i cili ishte i njohur me viktimën Jaku.
Hetimet u zhvilluan për ndonjë konflikt të mundshëm të Jakut, pa lënë jashtë vëmendjes vrasjen për shkak të detyrës. Policia ka thënë se po verifikohej edhe periudha kur i ndjeri ka qenë emigrant në Itali.
PANORAMA
Komentet