Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit Safet Gjici mori një zgjatje të masës së dënimit në shkallën e Apelit të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pasi apeli vendosi të prishë dënimin e shkallës së parë, i cili e dënonte atë vetëm për abuzim me detyrën dhe e dënoi atë për korrupsion.
Për korrupsion u dënua edhe Alma Kaçi, gruaja që regjistroi një video në të cilën ajo dhe Gjici shfaqen duke kryer seks në zyrën e kryetarit të bashkisë si dhe duke biseduar për përfitimin e fondeve nga ana e Kaçit për ndërtimin e një qendre për trajtimin e qenve të rrugës në qytetin veri-lindor.
Gjici ishte dënuar në shkallën e parë për abuzim me detyrën dhe duhej të vuante 1 vit e gjashtë muaj burg, dënim që niste nga qershori i vitit të kaluar, ditën kur ai u arrestua dhe që pritej të përfundonte së shpejti. Por gjykata e Apelit doli në konkluzionin se Gjici nuk duhej të dënohej për abuzim me detyrën por për korrupsion aktiv. Rrjedhimisht ai u dënua me 4 vite e 6 muaj burg, nga të cilat do të duhet të vuajë 3 vite për shkak të përfitimit të gjykimit të shkurtuar.
Gjici është një nga shumë kryetar bashkish të dënuar apo në proces hetimi për korrupsion nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Më herët, Fatos Tushe, ish-kryebashkiak i Lushnjës u dënua me 2 vjet e 4 muaj burg për shpërdorim detyre dhe po për abuzim me detyrën u dënua edhe ish-kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit Fran Tuci.
Ish-kryetarja e Bashkisë Patos Rajmonda Balilaj është në proces gjykimi nën akuzat e manipulimit të tenderëve ndërsa Luiza Mandi, ish-kryebashkiake e Libohovës, u dënua për abuzim me detyrën. Kryebashkiaku aktual i Libohovës Leonard Hida është marrë i pandehur ndërsa ai i Kuçovës Kreshnik Hajdari është dërguar për gjykim nën dyshimin e veprës penale falsifikim dokumentesh. Kryebashkiaku i Rrogozhinës Edison Memolla është dërguar për gjykim për korrupsion në zgjedhje ndërsa kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, sipas dokumenteve të rrjedhura në media, është nën hetim pasuror. Ish-kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla është dënuar me 2 vjet burg për shkelje të barazisë në tenderë./BIRN