Disa vjet më parë udhëtoja drejt Stambollit bashkë me piktorin ballkanas Omer Kaleshi. Them ballkanas, pasi Omeri për nga familja dhe origjina është shqiptar: ai është rritur në një mjedis shqiptaro-maqedonas, kaloi rininë e tij në Shkup dhe studimet universitare në Stamboll, duke u bërë më së fundi shtetas turk. Edhe pse ka mbi 50 vjet që jeton në Paris, ai përsëri është dhe mbetet një piktor ballkanas dhe “drama ballkanike” mbetet thelbi i krijimtarisë së tij. Shkonim në Stamboll sepse ai do të hapte një ekspozitë personale si çdo dy vjet. Dhe padyshim, për çdo shqiptar që shkon për herë të parë në Stamboll, siç isha dhe unë, e ka të pamundur që mos të ndeshet me gjurmët e arnautëve. Në histori, këto gjurmë janë të shumta, nga familjet e Qiprillinjve e më pas, familjet nga dolën vizirë, njerëz politikë e gjeneralë të shquar, por ato nuk mungojnë dhe në lëmin e artit dhe të talenteve të mëdha. Dy janë ata më të shquarit që kanë lënë gjurmë shumë të mëdha në artin turk të shekullit XX: Abedin Dino, një intelektual avanguardist, piktor e kineast, i cili gjatë një periudhe do të punonte në një atelier me Picasso-n, dhe Sabri Berkel (1907-1993). Një nga ato ditë në Stamboll, duke iu ngjitur lagjes “Maçka” mbi Bosfor, së bashku me Omerin, ne ndaluan në shtëpinë e një dekoratori të njohur, Nihat Arr, një njeri tepër simpatik dhe për më shumë një nga miqtë e afërt të Sabri Berkel. Edhe ai ishte nga Shkupi dhe me origjinë nga një familje shqiptare. Madje shpesh me Sabriun, ata kujtonin vitet e fëmijërisë së tyre. Edhe ai si Sabriu, apo më vonë dhe Kaleshi, kishte emigruar në Turqi. “Sabriu kishte dëshirë të kthehej shpesh te unë dhe të pinim çajin bashkë”, – më tregonte Nihati. “Ishte një njeri me sqimë dhe kishte merak të vishej bukur dhe pastër. Këpucët i kishte qejf, por dhe kapelat. Ishte një artist me një shije të veçantë dhe shumë modern. Shkoja gjithnjë sa herë hapej një ekspozitë të tij. Ç’mjeshtër, ç’talent i madh!”
Omer Kaleshi e kishte njohur Sabri Berkelin pikërisht në kohën kur kishte filluar studimet në Institutin e Arteve të Bukura të Stambollit, madje që në ditën e parë të konkursit, kur profesori bënte pjesë në jurinë e shkollës dhe dikush ia kishte treguar atë, veshur me bluzën e bardhë që të gjithë e quanin Sabri Arnauti. Që të dy, Omeri dhe Nihati ruajnë kujtime të çmuara për artistin që kritika turke e kishte cilësuar “Matisi turk”, dhe jo më kot. Figurat e tij, me një harmoni lëvizjesh e ngjyrash të kursyera, krijonin një gjendje të gëzuar, siç ta krijonte dhe Matisse në tablonë e famshme të tij me balerinat. Të rrokësh gjendje njerëzore, një situatë, një imazh, brenda pak linjave, është si të gjesh “linjën e artë” të asaj që quhet kryevepër.
Sabri Fetahu kishte lindur në një familje shqiptare në vitin 1907, në Shkup. I ati i tij, Hajrullah Fetahu, kishte një librari në Shkup dhe ishte një njeri i shkolluar dhe i lexuar. Në fakt, ai ishte nga Peja, por si shumë kosovarë të tjerë në atë kohë, edhe ai kishte lënë Pejën, vendlindjen e tij dhe kishte zbritur në periferi të Shkupit, në Buzallakovë. Në vitin 1927, Sabriu mbaroi shkollën serbo-franceze në Shkup dhe meqë kishte talent për pikturë, një vit më vonë shkoi të vazhdonte studimet në Akademinë e Arteve të Bukura të Beogradit. Më pas, përmes një burse, ai arriti të shkojë në Firence, ku u regjistrua në Akademinë e Arteve të Bukura. Shkonte në një nga qytetet më me emër të Rilindjes italiane. Pikërisht në këtë Akademi ai do të pikëtakohej me shokun e tij të fëmijërisë, bashkëpatriotin Abdurrahim Buza. Vitet në Firence do t’i lidhnin shumë të dy këta artistë e miq të vjetër, miqësi që do ta ruanin gjatë gjithë jetës së tyre. Ndryshe nga Abdurrahim Buza, Sabriu do të ndiqte kurset apo atelieret e afreskut me profesorin italian Galileo Chini, si dhe ato të mozaikut, akuafortes, punimit të bakrit, me piktorin Celestini. Sapo u kthye nga Firence në Stamboll, në vitin 1935 ai hapi ekspozitën e tij të parë personale në Galerinë e Arteve të Bukura të Stambollit. Piktori që kthehej nga Firence, vinte me një botë tjetër formash, ngjyrash, lëvizjesh. Dukej qartë se ai ishte shkëputur nga ai art tradicional piktural që zhvillohej në atë kohë.
Në ato vite, në “Grupin D” ishin mbledhur një grup avanguardistësh nën shembullin e grupimeve të reja artistike franceze, ku bënte pjesë dhe një tjetër piktor me origjinë shqiptare, i cili ato vite prezantonte pikturat dhe vizatimet e tij: ky ishte Abedin Dino. Interesant është fakti se pikërisht një intelektual i madh shqiptar, piktor dhe poet, Arif Dino (vëllai i madh i Abedinit), adhuruesi i Rimbaud-së dhe Apollinaire-it, do të shkruante i entuziazmuar për ekspozitën e Sabri Arnautit në revistën La Turquie Kemaliste dhe më pas në revistën në gjuhën shqip, Përpjekja shqiptare, e cila botohej në Tiranë, duke theksuar modernitetin e piktorit të ri të influencuar nga Rilindja italiane. “Nga Giotto, Sabri Fetahu asimiloi cilësitë e volumit dhe të konstruksionit, nga Masaccio mori frymën e lirisë në art, nga Fra Angelico solli pamjet e thella mistike. Më në fund, nga Andrea Del Castagno dhe Guirlandaio mësoi teknikën, domethënë të gjitha nuancat e vështirësitë e artit të afreskut… Michelangelo pat qenë dhe mbeti për të një burim hyjnor i një fuqie e zotësie të përjetshme, një ideal i pathyer dhe një simbol i bukur i përjetësisë së Artit”.
Rruga artistike e Sabri Fetahut do të ishte një rrugë në kërkim të formave dhe ngjyrave, duke eksperimentuar disa mënyra e shkolla pikturale perëndimore siç ishin abstraksionizmi dhe kubizmi, por duke krijuar gjithnjë diçka origjinale, të tijën, të papërsëritshme, me figura të Orientit dhe që nuk e gjen në asnjë nga abstraksionistët dhe kubistët francezë.
Në Muzeun e ri modern të artit në Stamboll janë një seri tablosh të Sabri Berkelit. Bashkë me Omerin nuk mund të mos impresionoheshim para tablove të mëdha të mjeshtrit, që nga larg, me format e tij elokuente dhe figurat që pushtonin hapësirat e mëdha, të kujtonte Matisse-in. Disa punime të Sabri Arnautit kanë mbetur dhe te një nga galeristet e tij, Besi Cecan, e cila është dhe galeristja e Omerit. Në fondin e saj ne pamë disa tablo të mrekullueshme të Berkelit që qëndronin mjeshtërisht krah veprave të bashkëpatriotit të tij, Abedin Dino. Duke u interesuar gjithnjë e më shumë për jetën e piktorit, i cili e lidhi jetën me nënën e tij, Xhevahiren, Omeri më tregoi se kur ishte student në akademi dhe punonte tablotë e para me figura me peshq, ai shkoi t’ia tregonte tablotë Sabri Arnautit, edhe pse ai ishte student dhe nxënës në atelierin e piktorit tjetër të njohur Bedri Rrahmi. Ishin “Peshq në litar”. “Sabriu i pa dhe u kënaq shumë”, – kujtonte Omeri. Dhe duke i rrahur shpatullat djaloshit të ri i kishte thënë për ta nxitur: “Vazhdo kështu”! Duke qenë se Omeri ishte një student i veçantë dhe atipik, që punonte gjithnjë në vetminë e tij dhe jo në atelierin e studentëve, midis piktorëve të tjerë dhe modeleve, ai e mbështeste bashkëpatriotin e tij, pasi e kishte nuhatur talentin e vërtetë tek ai student i heshtur që bënte një pikturë tjetër nga ajo që ndeshje në atë kohë në ekspozitat e pikturës. Në vitet ‘80, Omeri e takoi Sabriun disa herë dhe në Paris, kur ai vinte te miku i tij i vjetër, piktori i njohur, Hakki Anli, që banonte pranë sheshit Denfert Rochereau. “Sabriu qëndronte gjithnjë në një hotel pranë shtëpisë dhe atelierit të mikut të tij Anli. Ai ishte perëndimor dhe avangardist, mjeshtër i madh dhe i gravurës e vizatimit, – më thoshte Omeri. – I pëlqenin kërkimet e reja. Fliste italisht, frëngjisht dhe ishte në kontakt me zhvillimet e artit bashkëkohor. Pëlqente shumë “Renesancën italiane”, “shkollën veneciane” të pikturës… Një herë, në vitin 1985, dola dhe e prita në aeroport”. Të nesërmen Sabriu ishte ngjitur dhe në atelierin e Omerit, i gëzuar të shihte një krijimtari pjellore dhe mjaft interesante. Duke parë pikturat, ai i kishte thënë Omerit me dashuri: “Omer, të lumtë, ti ke çarë vetë në fushën e artit, pa ndihmën e askujt dhe pa bursa nga shteti. Më habit fakti që ti ke mundur të spikatësh në një vend si Parisi, që është dhe kryeqyteti i pikturës “.
Në fakt, Sabriu e pëlqente shumë Parisin, madje kishte një lidhje të vjetër me këtë qytet. Në vitin 1946 ai kishte ardhur me rastin e një ekspozite kolektive “Ekspozita e Artit të Vjetër dhe bashkëkohor turk”, ku pati rastin të njihej me fondin e artë të pikturës botërore në muzeun e Louvre-it dhe muzetë e tjerë të njohur francezë. Një vit më vonë ai do të vinte pranë mjeshtërve të librit në shtypshkronjat franceze lidhur me artin e lidhjes së librave specialë. Ishte padyshim një artist i gjithanshëm, i cili ushtroi jo vetëm afreskun dhe mozaikun, të cilat i studioi në rini të tij, por dhe pikturën e vajit, aquaforte, punime në gdhendje, duke përjetuar rryma e korrente të ndryshme artistike si epokën abstraksioniste, kubiste etj. Ndër punimet e tij më të bukura do të mbeteshin pa dyshim “Sheshi Taksim”, “Arkitekt Sinani”, “Macja”, ”Shitësi i bozës”, “Shitësi i kosit” apo “Shitësi i simiteve”, personazhe këto të rrugës, të jetës së përditshme. Madje atë ditë në Stamboll, në një nga rrugët e Kostandinopojës së vjetër, kur bashkë me Omerin pikasëm një bozaxhi me tasat në krahë që thërriste, ai menjëherë më kujtoi pikturën e Sabriut që ishte një nga më të famshme të tij: “Shitësi i bozës”. Kuptohet, artisti ishte një vëzhgues i hollë i jetës, i botës njerëzore dhe ai kishte talentin ta kapte figurën me një elokuencë të jashtëzakonshme. Gjatë jetës artistike të tij, Sabri Arnauti ekspozoi në shumë vende të botës, si në Paris, Amsterdam, Bruksel, Tokio, Berlin e Vjenë apo në “Bienalen” e Venecies, si dhe në shumë qytete të tjera të artit botëror. Shumë nga galeritë turke ekspozuan pikturat e tij si “Maçka Sanat Galerisi”, “Vakko”, “Tem Sanat Galerisi”, “Garanti Bankasi Sanat Galerisi” apo galeria “Nev”, etj. Është interesant fakti se ky piktor që e filloi krijimtarinë me një pikturë realiste, evoluoi drejt një arti tjetër, drejt abstraksionit dhe variacioneve gjeometrike, çka u bënë dhe thelbi i pikturës së tij. Pikërisht këto kërkime e bënë atë pararendës të modernizmit në pikturën turke, çka shprehet dhe sot në sitin internet të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë ku shkruhet se “Sabri Berkel është një nga mjeshtrit tanë që ka luajtur një rol të rëndësishëm në modernizimin e promovimin internacional të pikturës turke”.
Siç kujton piktori i njohur Kujtim Buza që e ka njohur nga afër atë, Sabri Fetahu erdhi në Shqipëri në vitin 1982, në kuadrin e një ekspozite të pikturës moderne turke në Tiranë. ” Mbaj mënd që ai përfaqësohej me një pikturë tipike kubiste, – kujton Buza. – Kur u futën në kufi, nga ana e Qafë Thanës, duke udhëtuar maleve, Sabriu nuk fliste. Vetëm shikonte me kureshtje peizazhin dhe thoshte i habitur: “Vaj, vaj, Vatan!”… Ditët që kaloi kanë qenë mbresëlënëse. Dhe takimi me Abdurrahimin kishte qenë i përmallshëm dhe shumë vëllazëror. “Është e treta herë që takohemi – i kishte thënë Abdurrahimi: në fëmijëri në Shkup, në rini në Firence dhe tani në pleqëri në vatan”. – “Inshalla apet”, (Përsëri)! – kishte thënë Sabriu. Kujtim Buza kujton dhe një tregim tjetër mjaft interesant të babait të tij Abdurrahimit, kohën kur të vegjël, Abdurrahimi dhe Sabriu luanin në kalldrëmet e Pit-Pazarit të Shkupit, te Ura e Gurit dhe në sokakun pranë Sahat-Kullës ku banonte, imazhe që në fakt Sabriu i ka përjetësuar në disa prej skicave të tij, ku duket lagja ku banonte, si të ishte një lagje tiranase, me shtëpi të ulta me mure rrethuese dhe me një qipariz diku. “Vizatonim tinëz, – tregonte Abdurrahim Buza, – dhe shkarravitnim muret përreth xhamisë duke hyrë në gjynah. Unë isha më i shkathët, zevzek dhe sherret. Sapo më kishte vdekur nëna Esma dhe dy motrat, Sanije dhe Myzejen. Me Sabriun shkonim në varrezat e Gazit-Babës. Ai qante, unë jo. Ktheheshim në magazet e miellit ku futej treni dhe mësonim biçikletën. Pastaj rrafshonim me duar pak miell dhe vizatonim mbi të me gishtat e vegjël…”
Sabri Arnauti nuk do të kthehej më në Shqipëri. Pas punës së tij për një kohë të gjatë si drejtor i Muzeut të Artit Modern, ai vazhdoi të drejtonte atelierin e tij në Akademinë e Arteve të Bukura të Stambollit, deri sa doli në pension dhe u tërhoq në studion e tij dhe botën e pikturës Dora e tij u bë më e ngadaltë, thua se përsëri po kthehej në kohët e vegjëlisë kur vizatonte me gishtat e tij të lyera me miell. Por tashmë, bota e vizatuar ishte tjetër botë… Ai jetoi në lagjen Nishantash të Stambollit, jo larg ndërtesës së Akademisë së Arteve “Mimar Sinan” dhe lagjes latine Pera pranë kullës së famshme të Gallata-s, ndërkohë që i ati i tij nuk pranoi ta linte fshatin e tij pranë Shkupit gjersa vdiq. Sabri Fetahu vdiq në vitin 1993 në një spital të Stambollit, duke lënë pas një krijimtari të shumëllojshme dhe tepër moderne. Matisi kishte lënë kështu pas tij jo vetëm adhuruesit e tij, por dhe si-vëllezërit e tij…
Komentet