Nuk po analizoj intervistën që dha Lulzim Basha mbrëmë tek Zëri i Amerikës, se këtë gjë do ta bëj më vonë. Tani do të merrem me reagimin e mediave të Berishës ndaj kësaj interviste.
Por nuk kam si të mos e vë re se intervistën e tij të mbrëmshme që i dha gazetares Ardita Dunellari tek VOA Lulzim Basha deri në mesditen e sotme nuk e ka vendosur ende në faqen e tij zyrtare në Facebook, çka mund ta bënte shumë lehtë, vetëm me një klik, dhe kjo është shumë flagrante.
Ndërkohë duke u kthyer tek reagimet, gjëja e parë, po krahasoj reagimet e këtij krahu ndaj intervistës që dha në tetorin e vitit të shkuar kryeparlamentari Ilir Meta tek e njëjta media.
Po citoj nga ajo kohë tre tituj dhe linqet po i vendos në fund që lexuesi të ketë mundësi t’i shohë vetë:
“Gjyq publik Metës në “Zëri i Amerikës” për korrupsionin, shkruante me të madhe në faqen e parë Rilindja Demokratike, gazeta e PD, e cila vazhdon e njeh si autoritet të parë dhe të padiskutueshëm ish-liderin e saj.
“Gazetarja e VoA e kryqëzon në intervistë. Ilir Meta e sulmon: Hajde bëhu Prokurore, ti e zgjidhke korrupsionin”, është një kryelajm i syri.net, portal që mban qendrim të hapur pro Berishës.
“Skandali i Zyrës së Shtypit të Kuvendit. Çensurohet intervista e sikletshme e Ilir Metës në VoA”, është një tjerë kryetitull që vjen po nga syri.net, duke konstatuar me të drejtë censurimin që bëri faqja online e Kuvendit të Shqipërisë, ku kryekuvendar ishte i intervistuari në fjalë.
Këta tre tituj që përmenda më sipër do të ishin konform etikës gazetareske dhe çdo gjë do të ishte OK, sikur e njëjta qasje realiste dhe e balancuar të ishte edhe ndaj intervistës që dha mbrëmë lideri i opozitës tek Zëri i Amerikës. Por Mediat e Berishës heshtin ndaj intervistës që Lulzim Basha i dha gazetares të VOA Ardita Dunellari.
Duke mbrojtur haptas interesa politike dhe partiake, ata dalin nga misioni që kanë, abuzojnë me të vërtetën dhe kthehen në trushpëlarës të opinionit publik.
Dhe më kryesorja është se duke përfaqësuar interesat e partisë apo të kupolave partiake, këtu ka korrupsion të pastër, sepse jo vetëm mashtrojnë opinionin publik, duke shkelur mbi kodin e shenjtë të gazetarisë dhe fjalës së lirë, por këtë gjë nuk e bëjnë gratis.
Atë kohë kur Ilir Meta e dha intervistën tek Zëri i Amerikës, pati reagime të forta me kahje të kundërta nga formatet e militantëve të kategorive të ndryshme, përfshirë elitën politike.
Ky është shëmtim i mirëfilltë, pasi intervista analizohej si larje hesapesh për riciklim dhe assesi shërim apo çlirim kombëtar nga kapja e shtetit.
Ndërsa tani kur shohim reagimin e heshtur nga shtypi i Berishës në rastin e intervisitës së Lulzim Bashës tek Zëri i Amerikës, atëherë kambanat e alarmit duhet të bien pa u ndalur, sepse këtu merret vesh degradimit i shtypit të lirë, që është shtylla e katërt në një sistem demokratik!
Në Shqipëri drejtësia është e korruptuar, politika është e korruptuar, mediat janë të korruptuara, ndërsa ligjin e bëjnë kupolat e lidërshipit të partive.
Në Shqipëri ka shurdhanë, shurdhëri dhe oligarkë politikë me enturazhin e qenve të tërbuar të militantëve profiterë, ku pjesë janë edhe mediat !
A mund të shtyhet më tej kështu ?
Jo, në asnjë mënyrë!
http://www.rilindjademokratike.com/index.php?option=com_content&view=article&id=21849%3A2015-10-29-23-56-45&catid=58%3Alajme-kyce&Itemid=106
http://www.syri.net/2015/10/29/gazetarja-e-voa-e-kryqezon-ne-interviste-ilir-meta-e-sulmon-hajde-behu-prokurore-ti-e-zgjidhke-korrupsionin-video/
http://www.syri.net/2015/10/29/skandali-i-zyres-se-shtypit-te-kuvendit-censurohet-intervista-e-sikletshme-e-ilir-metes-ne-voa/
Komentet