Para do ditësh, gjatë një shtegtimi nëpër faqet e internetit, hasa rastësisht në një video interesante, të cilën Portali “Albamedia” e kishte hedhur në youtube më 30 nëntor 2017. Videoja titullohej:“Gjuha Shqipe! Ja Çfarë Thotë Misionari Amerikan. Mos e Humbisni”.
Në atë video flet një misionar amerikan, një djalë i ri për të cilin nuk ka tekst shoqërues, në mënyrë që publikut t’i bëhet e ditur se si quhet dhe ku shërben ky zotëri.
Pasi e dëgjova të gjithë videon, vendosa të regjistroj disa thënie të këtij misionari dashamirës për gjuhën shqipe, për çka e meriton të falënderohet publikisht. Më poshtë po radhis disa fragmente nga thëniet e tij.
“Është gjuhë shumë e lashtë. Interesant është fakti se ajo e formon vetë degën në gjuhët indoevropiane”.
“Është një hartë që mund ta gjeni në internet dhe ka të gjitha gjuhët të grumbulluara. Dhe ja ku është gjuha shqipe, qëndron aty e pavarur”.
“Ata (shqiptarët – E.Y.) e përdorin alfabetin romak…”.
“Ata kanë 36 shkronja, ndryshe nga anglishtja që i ka 26”.
“Ne kemi 5 terma të ndryshme për të thënë “e bukur”, kurse ata kanë 1 ose 2”.
Misionari amerikan thotë një të vërtetë absolute për lashtësinë e gjuhës shqipe, çka e kanë pohuar një numër i madh dijetarësh të shquar evropianë. Këtu po mjaftohem vetëm me katër syresh.
Një figurë e shquar e kulturës evropiane, dijetari gjerman Leibnici (Gottfried Wilhelm Leibniz (1646 – 1716), ka thënë:
“Në qoftë se duam të dimë historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe, duhet t’i drejtohemi gjuhës shqipe”.
Studiuesi gjerman Johan Turhan, në librin me titull “Kërkim në histori”, të botuar në Lajpzig në vitin 1774, ka deklaruar:
“Asnjë popull tjetër i botës, në të cilën jetojmë, nuk është aq i panjohur për Evropën Perëndimore, për sa i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës se shqiptarëve. E megjithatë, ai është populli kryesor i botës së lashtë e të rëndësishme që çdo historian do të donte ta njihte: historia e tyre do të plotësonte zbrazëtitë e mëdha në historinë e vjetër dhe të re të Evropës”.
Albanologu i shquar austriak Maksimilian Lamberci (Maximilian Lambertz – 1882-1963) shkruan:
“…historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet vetëm kur shqiptarët të marrin pjesë në shkrimin e saj”.
Albanologu francez me emër të madh Robert d’Anzheli (Robert d’Angely – 1893-1966), në veprën e tij të njohur “Enigma”, nënvizon:
“Është një histori e vogël dhe mësimdhënëse e popullit evropian më të vogël të sotëm, por që, në kohën e vet, ka qenë më i madhi i Evropës dhe burim i pothuajse gjithë popujve të kontinentit tonë. Deri sot, për fat të keq, ai iu ka munguar nxënësit, studiuesit, historianëve, letrarëve dhe gjithë publikut të ngritur të gjuhës frënge”.
Pra, siç del nga sa thotë misionari amerikan dhe nga sa u citua më sipër, gjuha shqipe, faktikisht, është “Kryezonjë” e gjuhëve evropiane. Por misionari amerikan, si fare i ri në moshë (siç shihet kur flet në video), me sa duket, është në fillesat e mësimit të gjuhës shqipe dhe prandaj nuk ka arritur ende t’i hyjë thellë studimit të lashtësisë së saj. Kjo është arsyeja që ai, si kudo në Evropë, por, për fat të keq, edhe në Shqipëri, të thotë se shqiptarët “përdorin” alfabetin romak, domethënë latin. Kjo pikërisht për fajin e Akademisë së Shkencave (e cila në ditët tona është e paqenë), që nuk ka guxuar kurrë ta thotë publikisht me argumente shkencore se cili është alfabeti ynë. Se në këtë mes ka një paradoks të kulluar: edhe thuhet që gjuha shqipe është një gjuhë e lashtë, por shqiptarët na përdorkan alfabetin latin!!!
Studiuesi i talentuar Çlirim Xhunga, njohës i mirë i disa gjuhëve evropiane, në gazetën “Koha jonë” të datës 31 mars dhe 01 prill 2005, ka botuar një ese shkencore mjaft interesante dhe ka argumentuar shkencërisht se greqishtja e vjetër dhe latinishtja vijnë nga shqipja.
Po atëherë si qenka e mundur të thuhet në Evropë dhe në Shqipëri që shqiptarët përdorkan alfabetin latin, kur dihet që shqiptarët kanë një prejardhje shumë më të lashtë sesa romakët?
Sa herë që përkujtohet Kongresi i Manastirit (14-22 nëntor 1908), thuhet se ai u dha shqiptarëve përfundimisht një alfavet “latin”. Me siguri që pjesëmarrësit e atij Kongresi nuk e kanë pasur informacionin e duhur ose nuk janë munduar për të hulumtuar në thellësitë e shekujve se gjuha shqipe ka pasë trashëguar alfabetin ilirik, të cilin romakët e morën nga ilirët. Një gjë të tillë duhej ta kishte thënë me kohë Akademia e Shkencave.
Por atë që duhet ta thoshte dhe ta argumentonte shkencërisht me zë të lartë Akademia e Shkencave, e thotë një i huaj, dhe pikërisht një shkencëtar i shquar romak. Ky është Gaius Plinius Secundus, i njohur si Plini Plaku (23-79 e.r.), një natyralist i famshëm romak ky, që botoi në vitin 77 serinë madhështore prej 37 vëllimesh për historinë natyrore, të titulluar “Naturalis Historiae” (Historia e Natyrës). Në këtë vepër ai shkruan:
“Ilirët (arbërit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët”.
Një tjetër shkencëtar i njohur, profesori hungarez Imre Toth, specialist i sllavistikës, në një libër të vetin që ua ka kushtuar Kirilit dhe Metodit, dy krijuesve të alfabetit të sllavishtes së vjetër, të botuar në Sofje, në gjuhën bullgare, në vitin 1981, thekson se, gjatë punës për krijimin e atij alfabeti, ata u mbështetën në shtatë burime. Mes këtyre burimeve, burimi i tretë (f. 60 e librit në fjalë) ishte staro allbansko pismo (shkrimi i vjetër shqip).
Dihet që Kirili dhe Metodi e krijuan alfabetin e sllavishtes së vjetër në shek. IX (viti 860). Ta quash shkrimin shqip të vjetër në shek. IX, do të thotë që “mosha” e tij duhet të jetë mijëravjeçare dhe nuk besoj se profesori Toth duhet të dyshohet për “shqiptarocentrizëm”. Prandaj të gjithë ata njerëz të shkolluar që mendojnë ende se alfabeti ynë qenka “latin”, zbulojnë formimin e tyre të mangët intelektual.
Misionarit amerikan i bën përshtypje pasuria e alfabetit të gjuhës shqipe, i cili ka 36 shkronja, ndërkohë që anglishja ka vetëm 26.
Për dijeninë e misionarit të nderuar, dëshiroj të theksoj se studentët shqiptarë dhe të gjitha ata që e kanë pasion studimin e gjuhëve të huaja, kanë një talent të veçantë, a thua se e kanë si një dhunti hyjnore, për t’i zotëruar mjeshtërisht. Në këtë mes ndikon me siguri edhe pasuria tingullore e gjuhës shqipe, e cila në alfabetin e saj ka një të tillë pasuri bashkëtingëlloresh dhe zanoresh që nuk hasen në gjuhët e tjera evropiane. Prandaj Faik Konica thotë:
“Megjithatë, në rajonin e diskutuar ka një krahinë të gjerë, qëndresa e patrembur e së cilës i ka kapërcyer të gjitha format e organizuara te vrasjeve, mashtrimeve dhe grabitjeve. Kjo është Çamëria, të cilën grekërit e shtrembërojnë në Camuria. (Nuk u vë faj grekërve për këtë shtrembërim që vjen nga paaftësia e alfabetit grek për të riprodhuar gjithë tingujt e gjuhës shqipe dhe të shumë gjuhëve të tjera për këtë çështje). I ndjeri senator Kabot Loxh (Cabot Lodge) në shtypin grek dilte gjithmonë me emrin Kampot Lone”.
Misionari amerikan, siç u citua më sipër, thotë se anglishtja paska 5 fjalë të ndryshme, sinonime për mbiemrin “e bukur”, kurse gjuha shqipa paska “vetëm” 1 ose 2.
Dëshiroj ta theksoj përsëri se misionari amerikan është larg zotërimit të gjuhës shqipe, prandaj edhe bën një deklaratë të tillë, e cila është shumë larg së vërtetës. Mbiemri “e bukur”, nuk ka një ose dy sinonime në gjuhën shqipe, por ka një mori të tilla, si bukurane, bukuroshe, e hijshme, e hirshme, e këndshme, e lezetshme, e nurshme, e pashme, hirmadhe, hirplote, i thotë hënës dil apo të dal, kaleshe, kokonë, kumbull, nepërkë e shkruar, nure, nurmadhe, rrunëzake, të merr në qafë, vetullbiskonjë, yll i këputur, zogë, zogëlarë, etj.
Me siguri që poezia popullore, poetët dhe shkrimtarët kanë në thesarin e fjalorit të tyre edhe një mori të pamatë sinonimesh të tjera me ngjyrime poetike emocionuese, si lule prilli (kur merr ujë te burimi më dukesh si lule prilli), lule maji (ishte vajza vajzë mali, si një yll, si një lule, lule maji, trëndafil), thëllëzë mali, zogë behari (dil, moj nëne, dil, dil të bësh sehir, se ç’të sjell yt bir, një thëllëzë mali, një zogë behari).
Duke pasur parasysh lashtësinë e gjuhës shqipe, e kësaj Kryezonje të gjuhëve evropiane dhe pasurinë e saj të jashtëzakonshme leksikore, e cila është e konkretizuar me kohë me skedarin e Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë, ku (sipas një informacioni të hershëm), me vite të tëra, rrinë të paprekura 5 milionë skeda me fjalë të regjistruara, të mbledhura gjatë dhjetëvjeçarëve nga gjuhëtarët e atij Instituti dhe nga ekspeditat e organizuara gjuhësore që fjalët i vilnin në mbarë vendin, atëherë lind një pyetje fare e thjeshtë:
Po si shpjegohet që gjuha shqipe nuk ka një fjalor shpjegues me, të paktën, 100 mijë fjalë?
Për të marrë një informacion shterues rreth arsyeve se pse gjuhës shqipe i ka munguar dhe vahdon t’ mungojë për një kohë të gjatë një fjalor i tillë, iu drejtova me disa pyetje drejtorit të Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë, prof.dr. Valter Memisha.
———- Forwarded message ———
From: Eshref Ymeri <[email protected]>
Date: Wed, Oct 17, 2018 at 12:03 PM
Subject: Re: Përshëndetje miqësore
To: Valter Memisha <[email protected]>
I dashur Profesor Valteri,
Meqenëse kam nëpër duar një shënim për botim në internet dhe që lidhet me gjuhën shqipe, dëshiroj t’ju drejtohem me disa pyetje pikërisht Juve, si drejtor i Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë, si një veteran i punës shkencore në atë Institut dhe si bashkautor i Fjalorëve të gjuhës së sotme shqipe. Përgjigjen tuaj do ta përshij tërësisht në shënimin tim.
Së pari, pas botimit të Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe të vitit 1980, a është ndërmarrë ndonjë nismë për hartimin e një Fjalori të madh me 100 mijë fjalë? Nëse është ndërmarrë një nismë e tillë, atëherë pse është penguar realizimi i saj?
Së dyti, pas botimit të Fjalorit të gjuhës shqipe të vitit 2006, a është ndërmarrë nga Instituti juaj ndonjë tjetër nismë për hartimin e një Fjalori të madh me 100 mijë fjalë? Nëse po, atëherë kush e ka penguar arritjen e një objektivi të tillë?
Po në ditët tona a ka ndonjë nismë për hartimin e një Fjalori të tillë? Sepse disa nga profesorët, leksikografë, kanë ndërruar jetë, ata që i kemi mes nesh janë të moshës së tretë dhe do të ishte një shërbim i madh për kombin shqiptar që ata të angazhohen për përgatitjen e Fjalorit të lartpërmendur.
Me sa jam në dijeni, në arkivin e Institutit që Ju drejtoni, prehen 5 milionë skeda (apo ndoshta më shumë). Para vitit 1990, organizoheshin ekspedita gjuhësore për vjeljen e leksikut. Nuk jam i informuar nëse pas vitit 1990 ka vazhduar puna e organizuar për vjeljen e leksikut të fjalëve të reja ose jo.
Do të ishte një mrekulli e vërtetë që gjithë ajo rezervë e pashtershme leksikografike të mos vazhdojë të mbetet e pashfrytëzuar për hartimin e një Fjalori të madh të gjuhës shqipe.
Së fundi, mendoj se çdo shqiptar me vetëdije kombëtare do të ishte fatlum sikur, me nismën e Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë, Kuvendi i Shqipërisë, në një seancë të posaçme, të merrte në analizë problemet e gjuhës shqipe dhe të nxirrte një dekret për ruajtjen e pastërtisë së saj.
Ju falënderoj paraprakisht dhe më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen dhe respektin tim të thellë.
Eshref Ymeri
Tiranë, 17 tetor 2018
Prof.dr. Valter Memisha, tepër korrekt, më ktheu përgjigjen në vijim, për çka i jam shumë mirënjohës.
———- Forwarded message ———
From: Valter Memisha <[email protected]>
Date: Fri, Oct 19, 2018 at 3:54 AM
Subject: Re: Përshëndetje miqësore
To: Eshref Ymeri <[email protected]>
I dashur profesor,
Ju falënderoj për interesimin.
- Pas hartimit të Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe(1980) me rreth 42.000 fjalë dhe me 180.000 kuptime, si edhe me rreth 7.000 njësi frazeologjike, u hartua Fjalori i gjuhës shqipe (2006), me 48.000 fjalë dhe me 5.000 njësi frazeologjike.
Menjëherë, pas hedhjes në qarkullim të këtij fjalori, pra, në vitin 2006, filloi puna për hartimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, me 4 vëllime (me drejtues projekti dhe kryredaktor akademikun Jani Thomai), si projekt i Akademisë së Shkencave. Filloi puna me intensitet të lartë për hartimin e vëllimit të parë, mbi bazën e vëllimit të parë të hartuar që në vitin 1976, por duke e përditësuar, plotësuar e sjellë në parametrat e leksikografisë bashkëkohore lëndën që ishte mbartur nga puna e bërë para 30 vjetëve.
Puna u ndërpre për shkak të reformës në Akademi dhe rënies drastike të numrit të punonjësve në sektorin e leksikografisë pranë Institutit. Megjithatë, në vitin 2008, tashmë në kuadrin e Qendrës së Studimeve Albanologjike, u hartua projekti për një fjalor të madh njëvëllimësh, vepër me 100.000 njësi (zëra leksikografikë) (me dy mundësi 90.000 fjalë + 10.000 njësi frazeologjike ose 100.000 fjalë + 10.000 njësi frazeologjike).
Projekti u hartua i hollësishëm dhe me të gjithë përbërësit. Ndër të tjera, u parashikuan efektet financiare me rreth 400.000 dollarë gjithsej. Në qoftë se vepra do të hartohej për rreth 5 vjet, kjo shumë e parashikuar nënkuptonte një shpërndarje me rreth 80.000 dollarë në vit. Brenda kësaj shume, po them modeste, ishin pagat e punonësve të brendshëm, si dhe honoraret e leksikografëve që kishin dalë në pension. U dorëzua projekti në Ministrinë e Arsimit të asaj kohe dhe nuk na erdhi asnjë përgjigje.
Ky problem është ngritur çdo vit, sepse hartimi i një Fjalori normativ, por edhe i një Fjalori thesaurus, është jo nevojë, por domosdoshmëri. Në organet e legjislativit tremben nga shuma e parave të kërkuara (qofsha i gabuar). Por pas 10 vjetësh, pra, në vitin 2018, kushtet kanë ndryshuar: në Institut kam mbetur vetëm unë si leksikograf profesionist (ka kolegë të tjerë, por ata nuk kanë hartuar asnjëherë një vepër leksikografike kombëtare kolektive), ndaj, për të thirrur në një proces hartimi (të mundshëm) leksikografët pensionistë (emrat më të njohur i kanë kaluar të 80-at), duhet që për ta të paguash honorare. Në qoftë se llogarisim një punë 5-6 vjeçare (minimalisht për të hartuar një vepër të tillë, sepse një deri në dy vjet duhet të hartosh fjalësin, të bësh vjelje të reja, etj.; për dy deri në tre vjet duhet të hartosh fjalorin; një vit duhet për redaktim, korrektim, diskutim, botim) dhe një minimum prej 15-20 forcash hartuese e ndihmëse (në vendet e tjera punojnë qindra forca për një fjalor të madh), atëherë, për të dorëzuar veprën të përfunduar, duhen rreth një miliard lekë të vjetër (rreth 180-200 milionë në vit). Kjo shumë i tremb organet financiare. Dhe ne po mbetemi pa fjalor!
- Për mbrojtjen e gjuhës shqipe (standardit), në vitin 2002, kur drejtor i Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë ishte prof.dr. Jorgo Bulo, u ngrit një grup pune pranë Akademisë së Shkencave, me kryetar akademik Luan Omari. U hartua projektligji, u dorëzua në Kuvendin e Shqipërisë, por kanë kaluar 16 vjet dhe nuk kemi asnjë informacion se ky projektligj mund të diskutohet dhe të kthehet në ligj.
Ju falënderoj, i nderuar.
Tiranë, 19 tetor 2018
Nga ky informacion shterues që më dërgoi prof.dr. Valter Memisha, të cilit i jam shumë mirënjohës për korrektesën e tij intelektuale, rezulton se shteti shqiptar nuk e ka vënë dhe nuk e vë ujët në zjarr për problemet e gjuhës shqipe. Pas vitit 1990, shumë përfaqësues të politikës, si dhe punonjës të mjeteve të informimit masiv, qoftë atyre të shkruara apo pamore, e kanë ndotur gjuhën shqipe me lloj-lloj fjalësh të huaja, krejtësisht të panevojshme. Po ashtu, disa nga shtëpitë botuese kanë pasë hedhur në qarkullim përkthime me një shqipe të masakruar. Por megjithatë, këto përçudnime që i janë bërë dhe vazhdojnë t’i bëhen gjuhës shqipe, nuk kanë ngjallur kurrfarë shqetësimesh në sferat e larta të shtetit shqiptar. Madje edhe vetë drejtuesit e organit më të lartë ligjvënës, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për 16 vjet rresht, nuk e marrin mundimin absolutisht që ta vënë në rendin e ditës projektligjin e Akademisë së Shkencave për gjuhën shqipe, për ta diskutuar dhe për ta kthyer në ligj në njërën nga seancat plenare. Kjo është për të vënë duart në kokë. Kjo shpërfillje e shtetit shqiptar ndaj problemeve të gjuhës shqipe dhe sidomos ndaj ruajtjes së pastërtisë së saj, është me të vërtetë revoltuese. Gjuha shqipe është e vetmja pasuri dhe krenari kombëtare jona, e cila, megjithëse gjatë sundimit pesëshekullor të perandorisë otomane u ndalua rreptësisht hapja e shkollave shqipe, mbeti e “regjistruar” në gojën e popullit me një forcë mbijetese të jashtëzakonshme. Nuk e di me siguri nëse ndonjë gjuhë tjetër do të kishte mbijetuar pas ndalimit të hapjes së shkollave për pesë shekuj me radhë. Kjo forcë mbijetese e gjuhës shqipe dëshmon për natyrën e saj hyjnore.
Në kushtet kur shteti shqiptar vazhdon të mbetet shpërfillës ndaj problemeve të gjuhës shqipe, çka reflektohet më së miri edhe në rrëgjimin e trupës shkencore të Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë, është e domosdoshme që Instituti në fjalë të ngrejë më këmbë mjetet e informimit masiv, në mënyrë që shqetësimet e veta t’ia bëjë të njohura mbarë opinionit publik.
Tiranë, 22 tetor 2018
Komentet