Para pak ditësh, radhëve të punonjësve të rënë në krye të detyrës iu shtua edhe një dëshmor tjetër, nënkomisar Simon Gjeta pasi dora gjakatare e krimit e ndau nga ne.Me shpresën dhe lutjen hyjnore që Ti miku im, Simon, të jesh dëshmori i fundit, nisa të hidhja në letër këto radhë, por e kisha të pamundur. Sapo e përfundoja, e fshija prapë sepse më dukej e mangët, e paplotë. Vërtetë ngjarje të tilla të lenë pa fjalë, edhe kur ajo të vjen, është e pafuqishme për të përmbledhur gjëmën që ndodhi. Ndjehesha i pazoti, në kokë më bubullinin qiejt.
Miku im, Ti mund ta lije të ikte kriminelin (dhe juridikisht ishe i justifikuar, sepse koha dhe vendi ishin të papërshtatshme), siç kanë ikur dhe shumë herë të tjera gjatë këtyre viteve në “drejtim të paditur” (drejtim të paditur në Shqipëri!). Ti edhe mund t’i shmangeshe këtij aksioni, sepse kishe mbi 3 muaj që qëndroje larg shtëpisë, në Malësinë e Dukagjinit, në luftë me kultivuesit e drogës. Kishe të gjithë të drejtën të qëndroje në shtëpi, për t’i shërbyer nënës tënde të sëmurë, sepse ishte fundjavë. Por jo, Ti nuk ishe nga ai brumë i thartuar. Ti ishe majaja e Policisë Shtetit. Këtë e kishe treguar kudo ku kishe shërbyer, në Tropojë, Gjadër, Kurbin, Tiranë, Fier dhe së fundi në Shkodër.
Ishe Ti miku im Simon, që ju përgjigje thirrjes së qeverisë shqiptare “Atdheu në rrezik”, në vitin 1997, pasi vije nga radhët e shërbëtorëve të përkushtuar të shtetit dhe të vendit. Ishte koha e “vitit të mbrapshtë”, kur shteti kishte rënë, kur policia vuante hemorragjinë e largimeve nga radhët e saj. Dhe shteti ynë ta “shpërbleu” sakrificën, duke të nxjerrë në lirim “për shkurtim të funksionit organik”.
Miku im, Ti nuk shkove drejt vdekjes me dëshirë për t’u shpallur “Dëshmor i Atdheut”, por kur ajo të erdhi pranë, nuk u frigove. Ti nuk kishe kohë të mendoje as për të. Ti e sfidove edhe atë. Ti bëre sakrificën më sublime, për hir të shoqërisë shqiptare dhe shtetit ligjor aq shumë të kërkuar prej saj. Edhe për këtë arsye do të kesh nderimin tonë dhe do të kujtohesh në përjetësi.
Ti miku im, nuk e di se faqet e gazetave dhe kronikat e televizioneve hapen me ty. Me të drejtë të quajnë hero, dëshmor. Politikanë dhe shtetarë të të gjitha rangjeve e krahëve politikë artikulojnë po ashtu.
Mua kjo nuk më ngushëllon, pasi shoqëria dhe politika shqiptare në veçanti kujtohet për ne punonjësit e policisë vetëm pas rasteve të tilla tragjike. As dhënia e titujve pas vdekjes, as tronditja e thellë e qeveritarëve, as muzika funebre e kanaleve televizive, as breshëritë mortore nuk më ngushëllojnë. Jo se këto nuk kanë vlerë, përkundrazi, por mua nuk më mjaftojnë, acarohem dhe protestoj me vetveten: “Pse kaq shumë të rënë nga policia?”, “A e dini o njerëz se numri i këtyre të rënëve është rreth 300 dhe gati po kaq janë të gjymtuar?”, “A është e nevojshme të kemi kaq shumë të renë në krye të detyrës?”
Dhe po ashtu i kthej përgjigje vetvetes: “Jo, është shumë e rendë, e paperceptueshme dhe e pajustifikueshme”. Ata ishin njerëz të thjeshtë e të përkushtuar në punë, ata ishin prindër, ishin bijë nënash, ishin vëllezër, ishin shokë e miq të mirë. “Pse kjo shoqëri i ktheu në ‘Dëshmorë të Atdheut?’”. Në pafuqi të gjej pse-në, i drejtohem Zotit të plotfuqishëm, – përse? – e pyes. Asnjë nuk kërkon dëshmorin, do njeriun e afërt ta ketë pranë. As Zoti nuk më jep përgjigje.
Vërtetë pse kaq shumë “Dëshmorë të Atdheut” nga ky profesion? Ku e gjejnë kurajën këta kriminelë të qëllojnë mbi policinë? Cili është përgjegjësi për këtë?
Migjeni ynë i madh, i dashur Simon, si gjithmonë aktual, akuzon: “Merrnje dhe çonje në qytet kët shtatore. Vendosnje në nji shesh dhe si përmendore kushtonja ndokujt. Kushtonja atij që ka ma shumë merita për kët vend!” …
Duke pranuar bashkëfajësinë si pjesë e gjithë shoqërisë shqiptare, unë sot ngre gishtin mbi kryefajtorët:
Ajo është POLITIKA. Fjalori agresiv i tyre në luftën politike, inkriminimi verbal që i bëjnë njëri-tjetrit për lidhje me trafiqet më të zeza në rajon, mbështetja që kërkojnë te krimi për të ardhur apo mbajtur pushtetin, etj.
Fajtori i dytë është SISTEMI I DREJTËSISË, i cili ka tradhtuar drejtësinë. Është prokuroria që nuk i kopsit mirë çështjet, madje (në jo pak raste) harron edhe elementaren, zbatimin e afateve procedurale. Janë gjykatat, “biznesi” më fitimprurës dhe më i suksesshmi në Shqipërinë postdiktatoriale, ku konvejeri i pashtershëm i gjyqeve, seancave të pafundme, alibive dhe kundëralibive nga avokatë e sekserë të krimit, që përfundojnë në rastin më të mirë me dënimin e butë të tyre, për të riprodhuar cirkuitin e pafund të kërkesave amnistale.
Sa për kujtesë: “Dëshmori i Atdheut”, Simon Gjeta, ishte i pastrehë. Nga 27 vite vjetërsi punë që duhet të kishte, ka vetëm 15 vite, si rrjedhojë e “reformave” që janë bërë në strukturat e sigurisë kombëtare.
O persona me pushtet dhe ish-pushtet! Ju që përdorni policinë, kudo dhe kurdo ku strukturat e tjera të shtetit dështojnë të kryejnë detyrën për të cilën paguhen nga taksapaguesit, duajeni dhe vlerësoni punën, kontributin dhe vlerat e punonjësve të Policisë së Shtetit që në të gjallë të tyre. Kur ata bien në krye të detyrës, gjithçka bëhet e magët, shndërrohet në dekor.
O bashkatdhetarë me fuqi të shumta! Ju që për çdo problem tuajin kërkoni zgjidhje nga Policia e Shtetit dhe për çdo shqetësim e parregullsi e akuzoni atë, duke harruar se edhe ata janë njerëz me halle dhe problemet e tyre familjare. Është policia dhe figura e policit që ju ofron siguri, prandaj ndihmojeni dhe mbështeteni atë. Është e drejta juaj të jetoni pa pasur frikë nga krimi, për të rritur cilësinë e jetës dhe sigurisë. Por zgjidhja e këtij problemi nuk mund të arrihet vetëm nga policia, ajo kërkon që policia dhe publiku bashkërisht, të gjejnë rrugët për t’iu adresuar zgjidhjeve. Nuk është e drejtë që patjetër duhet të vriten punonjës policie në krye të detyrës, që të nderohesh dhe të respektohesh. A nuk ju duket edhe ju se gjithçka tjetër që sjellim në ritualin kurorë ose buqetë me lule, është tashmë më shumë se i konsumuar.
I dashur miku e im Simon, i bindur se shpirti yt është në parajsë për të mbrojtur edhe jetët tona, në përfundim të këtij homazhi, po kujtoj një debat që kam bërë disa kohë më parë me një mikun tim opinionist të njohur, i cili po më ankohej për policinë. I thashë: “OK, policia ka 1001 kusure, por mos harro se punonjësit e policisë janë më atdhetarët dhe më të devotshmit të shoqërisë shqiptare”. Ai atëherë nuk ma pranoi këtë tezë dhe më kundërshtoi, por pas heroizmit tënd dhe të Dëshmorit tjetër të Atdheut, Ibrahim Bashës, ai pranoi dhe më tha: “Po, ti kishe të drejtë”.
Komentet