Ndahet nga jeta një mike e madhe e shqiptarëve Nga Prof.Gjovalin Shkurtaj
“Ndarja nga jeta e zonjës Erica Bauhofer, bashkëshortes suaj të dashur, është kumt shumë pikëllues dhe i dhimbshëm, një humbje e rëndë që erdhi mbas një beteje të gjatë shtatëvjecare, të cilën ajo e luftoi me dëshirën e vullnetin e plotë që mos t’ju linte vetëm, që t’i rrinte përkrah Basilit të saj të dashur, të shtrenjtë e fisnik.
Sa dëshirë kishim që ta takonim sivjet meqë do të vinim (dhe jemi) në Zvicer, por lajmet e pamira për gjendjen kritike të zonjës së dashur Erica na bënë të pranonim pritjen se mos Zoti do të bënte atë që mjekësia nuk e bëri dot, por…
Nuk gjejmë fjalë për ta shprehur pikëllimin tonë, na është mbledhur fjala si lëmsh në fyt, por, qoftë edhe me zë të mekur e të drithëruar, si miq të familjes suaj, po dhe si shqiptarë, kemi detyrën që krahas dhimbjes të shprehim edhe vlerësimet e merituara për zonjën Erica Bauhofer Schader, për kontributet e saj të cmueshme që ajo, bashkë me Ju, ka dhënë për Shqipërinë e Shqiptarët, për shkollat shqipe në diasporën kosovare në Zvicer dhe në vendlindje.
Ajo, bashkë me Ty, i shtrenjti Basil, si dy pëllumba të bardhë, keni ndërmarrë shumë herë udhën për Shqipëri, keni mbledhur e dërguar të holla e mjete mësimore për shkollat e Balldrenit e të Kolajakut në rrethin e Lezhës dhe, për kontributet tuaja të vyera, që të dy jeni dekoruar me titullin “Qytetar Nderi” të Balldrenit.
Zonja Erica Bauhofer Schader u nda së gjallësh me trup, por ajo do të jetë përherë e nderuar dhe e gjallë në kujtesën e në zemrat e të gjithë atyre që e njohën dhe që ia dinë bujarinë dhe gatishmërinë e saj për t’i ndihmuar e respektuar shqiptarët e gjuhën shqipe.
U prehtë e qetë në paqe kjo zonjë e nderuar, flokëbardha e zemerbardha Erica Bauhofer Schader, mike e madhe dhe e sinqertë e shqiptarëve të mërguar në Zvicer, përkrahëse dhe mbështetëse e palodhur e Juaja, i nderuar Profesor Schader, në të gjithë veprimtarinë Tuaj të vyer si albanolog, si studiues e hartues veprash me rëndësi pedagogjike e për pajisjen e shkollave shqipe në diasporë e vendlindje me fjalorë të përshtatshëm dy- e shumëgjuhësh.
Kujtojmë se Prof. Basil Schader është përkthyesi në gjermanisht të librit të Enver Hoxhës “Vite të vegjëlisë”, botuar vetëm para pak muajsh.
Prano, mik i shtrenjtë, ngushëllimet tona më të sinqerta dhe qofshin këto fjalë zemre, sadopak lehtësuese për dhimbjen tuaj të madhe për bashkëshorten tuaj të dashur e të veçantë.
Prof. Gjovalin Shkurtaj”
Komentet