Sa herë Vatranët e denoncojnë, Elmi Berisha shkon tek Sali Berisha për indulgjencë!
Një javë përpara dy Vatranë të nderuar, zotërinjtë Lek Mirakaj dhe Valentin Lumaj, dolën me qendrime publike ndaj kreut të Vatrës.
Dhe këto qendrime nuk janë as të parat dhe as të fundit, por në vazhdimësi.
Z.Mirakaj, bëri publike një video ku shihet qartë manipulimi i numërimit të votave për t’i zgjatur mandatin kryetarit nga dy në katër vjet.
Për herë të parë, pas mbi një shekulli që është krijuar Vatra, pretendohet të zgjatet mandati!
Z.Lek Mirakaj gjithashtu shprehu shqetësimin se kreu i Vatrës, me rrethin e tij të ngushtë, ka synim që ta kthejë krenarinë kombëtare në një kompani lobimi dhe biznesi , se kreu i Vatrës injoron transparencën dhe është fokusuar tek interesat materiale dhe se, në perspektivë, po tentohet që Vatra të kthehet lavatriçe për pastrim parash. “Vatra nuk ka nevoje per marreveshtje bashkepunimi me qeverite shqiptare, perkundrazi duhet t’i rrijë larg qeverive ne Atdhe qe ndërrohen here pas here, ndersa misioni i Vatres mbetet gjithmon i njejte, vetëm çështja kombetare”, vë theksin Lek Mirakaj.
Në fakt, biznesi është ajo që i shkon edhe për shtat Elmi Berishës se është pronar picerish dhe biznesmen.
Valentin Lumaj, po ashtu në një letër të hapur drejtuar Vatranëve, vë në qendër të vemendjes me detaje shpërdorimin e buxhetit të Vatrës, duke përmendur emra që njihen si enturazhi i Elmi Berishës, të cilët e shoqërojnë edhe kur vjen e shkon tek Sali Berisha!
Ka kohë që Vatranët shprehin pakënaqësitë e tyre për mënyrën si drejtohet Vatra.
Jo shumë kohë më parë Elmi Berishës i bëri thirrje për dorëheqje përmes një letre të hapur Serxhio Bitiçi, Vatran veteran, një emër i nderuar që identifikohet me kontributet e komunitetit shqiptaro-amerikan për Shoqatën Panshqiptare dhe çështjen kombëtare. “Asht koha të përpilosh Exit Strategy, tue u dorëheq për hir të demokracisë!” “Të kam shkrue e-mail të shumta dhe shkrime ndertuese për çashtje të degradimit dhe keqsimit të Federatës historike, që po vuen nga menaxhimi i dobët the shkeljet e shumta, që po i bahen Kanunores, në administratën tande. Nuk më ke dhanë asnji përgjigje deri me sot”, i shkruan Sergio Bitiçi, duke e parë si të domosdoshme riorganizimin e Vatrës.
Dhe janë plot e plot Vatranë që, prej disa vitesh, e denoncojnë lidërshipin e Vatrës për keqdrejtim dhe shkarje majtas. Disa muaj më parë, me rekomandim të Vatrës, Presidenti i Republikës dekoroi një ish-Sigurims.
Të mos harrojmë gjithashtu se Elmi Berisha organizoi gjyqin kundër një grupi Vatranësh, mes tyre edhe kundër të ndjerit ishkryetarit të Vatrës, Dr.Gjon Buçaj, të cilët u detyruan të paguanin nga xhepat e tyre shpenzimet e gjyqit, ndërsa për padinë që ngriti Elmi Berisha, pagoi xhepi i Vatranëve.
Si gazetare e kam ndjekur këtë situatë dhe kam denoncuar me fakte shkeljen e Kanunores si dhe të Amendamentit të Parë të Kushtetutës Amerikane.
Po ashtu Elmi Berisha keqpërdor Departamentin e Shtetit, sikur ky institucion mban lidhje me zotërinë në fjalë, çka nuk ka si të jetë e vërtetë.
Zyrtarë të DASH takohen me Vatrën jo me Elmi Berishën. Takohen me Vatrën e kolosëve që i krijoi emrin dhe famën, jo me emra të përveçëm që po e fundosin Shoqatën Pan Shqiptare.
Veprimet që bën Elmi Berisha dhe grupi i tij nuk fshihen duke shpërdorur emrin e DASH dhe as fotografitë dhe pritjet me politikanët në Shqipëri e Kosovë, me të cilët tani ata takohen aq rëndom, duke harruar se Vatra, si OJQ është e pavarur nga politika.
Edhe takimi i Elmi Berishës me Sali Berishën nuk ndryshon asgjë.
Sali Berisha nuk është Papë që t’i shesë indulgjenca Elmi Berishës për mëkate.
Natyrisht që takimet e Sali Berishës një e dy me Elmi Berishën, ngrenë shqetësimin për Vatranët dhe nuk mirëpriten nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan, që e ndoqi Berishën nga Foltorja në Foltore kur premtonte rithemelim të PD, ndërsa Vatra dhe Dielli i Elmi Berishës ia përplasën derën në fytyrë.
Sali Berisha nuk shet indulgjenca, e qartë, por të paktën duhet të mbajë qendrim korrekt ndaj shqetësimeve të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan për tërheqjes drejt tatëpjetës që Elmi Berisha me shokë po i bën Vatrës.
Fotografitë e tij me Elmi Berishën, Sali Berisha le t’i mbajë për albumin personal, nuk ka asnjë arsye as që t’i botojë Syri i partisë orë e çast, sepse nuk përbëjnë asnjë lajm, përkundrazi.
Z.Sergio Bitiçi: Elmi Berishës, kryetarit të Vatrës: Asht koha të përpilosh Exit Strategy, tue u dorëheq për hir të demokracisë!
(Video) Vatra bunker – Po tentohet që Vatra të bëhet lavatriçe pastrim parash – Manipulimi për zgjatjen e mandatit në 4 vjet të kryetarit Elmi Berishës Nga Lek Mirakaj
BUXHETI I VATRES: $15,380. JA SI SHPERDOROHEN (vidhen) DOLLARET E VATRANEVE Nga Valentin Lumaj
Ervin Dine: Besim Malota mos manipulo dhe mos na hidh hi syve!
Valentin Lumaj: Vatrani Gani Vila, ish oficer i Sigurimit të Shtetit, dekorohet nga Presidenti i Shqipërisë
Nga Sergio Bitiçi: Ju XHUXHMAXHUXHËT e Vatrës së sotme – E sollet Edi Ramen me na uzurpue Vatrën dhe Diellin !