Në një konferencë për shtyp të datës 21 nëntor, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, paraqiti kërkesën e Kishës Katolike drejtuar autoriteteve dhe institucioneve që të dënohet ligjërisht apologjia e komunizmit. Ipeshkvijtë përvijojnë edhe udhë për t’i njohur të rinjtë me krimet e diktaturës dhe për të trajtuar si duhet të mbijetuarit
R.SH. – Vatikan
“Mos harroni, që të mos përsëritet më”: kjo pati qënë thirrja e Papës shenjt Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij të paharruar në Shqipëri, në vitin 1993. Atëherë, ata që sapo kishin kaluar nëpër tmerret e komunizmit ishin gjallë e kujtesa e fuqishme. Pas 30 vitesh, dëshmitarët e asaj periudhe shuhen ngadalë, ndërsa brezi i ri, përveç dëshmisë së prindërve, ka pak mjete në dispozicion për të “mos harruar”. Duke u nisur nga kjo premisë, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë e ndien për detyrë t’u drejtohet institucioneve të Shqipërisë me kërkesën e qartë për të ndaluar apologjinë e komunizmit.
Pas asamblesë së përgjithshme të saj, pikërisht dje, më 21 nëntor, kreu i ipeshkvijve shqiptarë, imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv metropolit i Shkodër-Pultit, mbajti një konferencë për shtyp, me të cilën u kërkoi qartë autoriteteve:
“Të miratohet një ligj, i cili të parashikojë krimin e apologjisë së komunizmit, njësoj si në vendet evropiane, që e kanë dënuar dhe parashikojnë sanksione të rënda për krimin e apologjisë së nazizmit dhe të fashizmit; librat e historisë të shkruajnë të vërtetën e komunizmit në Shqipëri; burgjet dhe vendet e torturës të konsiderohen dhe të ruhen si Muze, si p.sh. Burgu i Spaçit; të persekutuarit politikë dhe të mbijetuarit nga burgjet të kenë shpërblimin e përshtatshëm; aktet ligjore dhe nënligjore të përcaktojnë rregulla të qarta mbi dekoratat, titujt e nderit dhe medaljet, në mënyrë që të shmanget vlerësimi dhe lartimi i funksionarëve të organeve të diktaturës komuniste”.
Ja deklarata e plotë…
Letra publike – Kisha Katolike kërkon të vendoset me ligj dënimi i krimeve të komunizmit