MOSKË – Kryeministri i Rusisë, Dimitriy Medvedev, ka nënshkruar dekretin që përmban sanksione kundër Ukrainës.
Në një deklaratë nga zyra për mediat e Qeverisë së Rusisë, thuhet se dekreti, i cili përfshin kufizime ekonomike për 322 qytetarë ukrainas dhe 68 kompani ukrainase, ka hyrë në fuqi me nënshkrimin nga Medvedev.
Sanksionet kanë hyrë në fuqi për shkak të sanksioneve të Ukrainës kundër Rusisë, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se nëse Ukraina i anulon sanksionet, edhe Rusia mund të anulojë dekretin.
Me këtë dekret, janë përfshirë në listën e sanksioneve emra të tillë si Aleksey Poroshenko, djali i presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, ministri i Brendshëm, Arsen Avakov, kreu i Parlamentit të Ukrainës, Andrey Parubiy, ish-kryeministrat Arseniy Yatsenyuk dhe Yuliya Tymoshenko, sekretari për shtypin i presidentit Poroshenko, Svyatoslav Tsegolko dhe presidenti i kompanisë shtetërore Naftogaz të gazit natyror në Ukrainë, Andrey Kobolev.
Për shkak të aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe krizës në lindje të Ukrainës, administrata e Kievit që nga viti 2014 ka vendosur kufizime të ndryshme ekonomike kundrejt Moskës. Këto kufizime përfshijnë ndalimin e importeve të gazit natyror direkt nga Rusia, ndalimet kudër bankave ruse dhe kufizimin e trafikut ajror mes dy vendeve. aa
Komentet