Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, ka vdekur në burg, u tha në një deklaratë të lëshuar nga një departament lokal i Shërbimit Federal të Burgjeve. Raportimi për vdekjen e Navalnyt ka nxitur zemërim dhe dënim nga liderët botërorë që e kanë thënë se kritiku i Kremlinit ka paguar “çmimin më të lartë” për kurajën e tij për të folur kundër udhëheqjes së shtetit.
Në deklaratën e Shërbimit Federal të Burgjeve u tha se Navalny u ndje keq, pas ecjes më 16 shkurt dhe më pas humbi vetëdijen.
Një autoambulancë shkoi në tetim për ta trjatuar, por ai vdiq, u tha në deklaratë.
“Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, u tha në deklaratën e Shërbimit rus, njoftim që nuk ka qenë e mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Mediat e kontrolluara nga shteti rus po ashtu kanë cituar këtë deklaratë, duke raportuar se Navalny, 47 vjeç, ka vdekur.
Media shtetërore, TASS, citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të ketë thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është informuar për raportimet lidhur me vdekjen e Navalnyt dhe se ai nuk kishte informacione për shkakun e vdekjes së tij.
*Video nga arkivi
Ndërkaq, sekretarja për media e Navalnyt, Kira Yarmysh, shkroi në X, që më herët njihej si Twitter, se ekipi i kritikut të Kremlinit, nuk ka konfirmim për vdekjen e tij.
“Shërbimi Federal i Burgjeve në qarkun Jamalo-Nenets po shpërndan lajme për vdekjen e Aleksei Navalnyt në burgun IK-3. Ne ende nuk kemi konfirmim për këtë lajm. Avokati i Navalnyt do të shkojë atje dhe sapo të kemi informacione, do t’iu njoftojmë”, shkroi ajo.
Avokati Leonid Solovyov tha për Gazetën Novaya se me kërkesë të familjes, ai nuk do të komentojë raportimet për vdekjen e Navalnyt.
“Me vendimt ë familjes së Aleksei Navalnyt, unë nuk do të komentoj për asgjë. Aleksei u takua me një avokat më 14 shkurt. Gjithçka ishte në rregull”, citohet të ketë thënë Solovyov.
Reagimet e udhëheqësve botërorë
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nëse raportimet janë të sakta, shpreh ngushëllime për gruan dhe familjen e tij.
“Përtej kësaj, vdekja e tij në një burg rus dhe fiksimi dhe frika e një individi vë në pah dobësim dhe kalbjen e sistemit që Putini ka ndërtuar. Rusia është përgjegjëse për këtë”, tha Blinken gjatë pjesëmarrjes në Konferencës së Sigurisë në Munih.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e cilësoi Navalnyn si një trim “që ia dedikoi jetën shpëtimit të nderit të Rusisë”.
“Përderisa po presim informacione të mëtejme, le të jemi të qartë: kjo është përgjegjësi e Putinit”.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Navalny “ka paguar për guximin e tij me jetën e tij”, ndërkaq ministri i Jashtëm i Francës, Stephane Sejourne, shkroi në X se “vdekja në burg [e kritikut të Kremlinit] na kujton të gjithë ne realitetin e regjimit të Putinit”.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Navalny bëri “sakrificën përfundimtare” në luftën e tij për “vlera të lirisë dhe demokracisë”.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu “pikëllim” dhe shqetësim lidhur me raportimet për vdekjen e Navalnyt, duke kërkuar që të zbardhet gjithçka lidhur me këtë rast.
Kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë më 16 shkurt, tha se është e ndërlikuar të konfirmohet një lajm që vjen nga një shtet si Rusia, por ajo shtoi se nuk do të ishte e befasuar që lajmi për vdekjen e Navalnyt të jetë i vërtetë “sepse ne e dimë që regjimi në Kremlin, një regjim vrasësë, praktikisht ndjek kundërshtarët e tij” qoftë brenda Rusisë, apo edhe jashtë shtetit.
Më 14 shkurt, autoritetet kishin njoftuar se Navalny ishte dërguar në izolim për të 27-herë që kur ishte burgosur tri vjet më parë.
Navalny, i cili ka qenë afër vdekjes, pasi është helmuar me agjent të tipit Noviçok, më 2020 – për çka i kishte fajësurn operativët rusë të sigurisë se kanë vepruar në emër të presidentit rus, Vladimir Putinit – u ndalua më 17 janar 2021, në aeroportin e Moskës, pasi ka arritur aty prej Gjermanisë, ku është trajtuar pas helmimit.
Atij iu shqiptua dënimi prej dy vjetësh e gjysmë burgim për shkelje të kushteve të një lirimi të mëhershëm me kusht, pasi ishte larguar jashtë vendit për trajtim mjekësor.
Kremlini ka mohuar se ka pasur gisht në helmimin e Navalnyt.
Në mars të vitit 2022, Navalny u dënua me nëntë vjet burgim për përvetësim dhe mashtrim.
Më pas, Fondacioni Kundër Korrupsionit i Navalnyt dhe rrjeti i tij i zyrave rajonale u shpallën “organizata ekstremiste” dhe veprimtaria e tyre u ndalua pas arrestimit të tij. Kjo ngjarje nxiti një hetim të ri ndaj kritikut të Kremlinit nën dyshime për ekstremizëm.
Në gusht të vitit të kaluar, një gjykatë e dënoi Navalnyn me 19 vjet burgim nën akuza për ekstremizëm.
Ai dhe ekipi i tij vazhdimisht kanë argumentuar se akuzat ishin të motivuara politikisht dhe organizatat e të drejtave të njeriut e kishin cilësuar Navalnyn si të burgosur politik.
Së fundi, Navalny u dërgua të vuante dënimin në burgun famëkeq, IK-3 në Siberi, i njohur edhe si “Ujku polar”.
*Lajmi është duke u përditësuar