Ambasada ruse në Bosnjë tha të enjten Rusia do të reagojë nëse Bosnja ndërmerr hapa drejt anëtarësimit në NATO, sepse Moska do ta perceptonte këtë si një akt armiqësor.
Bosnja ka kohë që ka shpallur integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian si objektiva strategjike. Por serbët e Bosnjës, të udhëhequr nga pro-rusi Milorad Dodik, i cili aktualisht kryeson presidencën trepalëshe të vendit, duan që vendi të mbetet neutral dhe të qëndrojë jashtë aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
“Në rastin e afrimit praktik të Bosnjë-Hercegovinës dhe NATO-s, vendi ynë do të duhet të reagojë ndaj këtij akti armiqësor”, tha ambasada.
Ambasada ruse shtoi se qëllimi i NATO-s është një “luftë kundër Rusisë” dhe anëtarësimi në NATO do ta detyrojë Sarajevën të marrë anë në “konfrontimin ushtarako-politik”.
Bosnja dhe Serbia janë dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë NATO-s, pasi Maqedonia e Veriut u anëtarësua në aleancë vitin e kaluar.
Të enjten, ambasadori i ri rus në Bosnjë, Igor Kalabuhov, u takua me Zeljko Komsiçin, anëtarin e presidencës kroate që mbron integrimin e Bosnjës në aleancë.
Një deklaratë nga zyra e zotit Komsiç nuk përmend integrimin në NATO si temë të takimit, por tha se ata diskutuan reformat që Bosnja duhet të ndërmarrë drejt anëtarësimit në BE.
Rusia ka mbajtur prej kohësh një qëndrim kundër anëtarësimit të Bosnjës në NATO.
Anëtari i presidencës Komsiç dhe ai boshnjak Sefik Dzaferoviç nuk pranuan të takonin Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov që vizitoi vendin në dhjetor, duke thënë se ai ka treguar mungesë respekti ndaj shtetit të tyre pas takimit të tij me zotin Dodik jashtë Sarajevës, pa asnjë flamur kombëtar të Bosnjës në sfond.
Komentet