Dhjetëra mijëra civilë, dhe zyrtarë të emëruar nga Rusia, janë duke u tërhequr nga rajoni jugor ukrainas i Hersonit, ka thënë lideri i instaluar nga Rusia, Vladimir Saldo.
Sipas tij, 50-60.000 civilë do të largohen nga katër qytezat afër lumit Dnjepër, përmes një “zhvendosjeje të organizuar”.
Të gjitha departamentet e emëruara nga Rusia në Herson, besohet se do të kalojnë lumin po ashtu.
Televizionet ruse kanë shfaqur disa njerëz duke u mbledhur afër lumit.
Ende nuk dihet sa prej tyre do të shpërngulen, mirëpo transferimi, apo dëbimi i civilëve nga një forcë pushtuese, prej një territori të pushtuar, konsiderohet krim lufte.
Në orët e mbrëmjes të së hënës, komandanti i ri rus në Ukrainë, gjenerali, Sergei Surovikin, e ka përshkruar situatën në Herson si të vështirë.
Një tjetër zyrtar i instaluar nga Rusia, Kirill Stremousov, ka paralajmëruar banorët e Hersonit se forcat ukrainase do të nisin sulmet në qytet, “në një të ardhme shumë të afërt”.
Hersoni ka qenë qyteti i parë i madh ukrainas që ka rënë në duart e forcave ruse, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.
Megjithatë, brenda javësh, ushtria ukrainase ka çliruar një pjesë të territorit dhe i ka shtyrë forcat ushtarake ruse afër lumit Dnjepër, duke i kërcënuar me bllokim.
Kremlini tani pretendon se Hersoni, dhe tri rajone tjera – Donjecku, Luhansku dhe Zaporizhja – janë pjesë e Rusisë, ndonëse diçka e tillë është kundërshtuar në nivel ndërkombëtar.
Rusia ka organizuar të ashtuquajturat referendume për bashkim në këto rajone, hap që është konsideruar i rremë nga Perëndimi.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Komentet