Në një konferencë të përbashkët për gazetarë, Lavrov ka thënë se Rusia mbështet Serbinë në çështjet që, siç është shprehur ai, lidhen me zgjidhjen e statusit të Kosovës.
“Këto çështje duhet të zgjidhen përmes dialogut të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv midis Beogradit dhe Prishtinës. Dhuna nuk duhet të pranohet. Eksese të këtij lloji janë duke ndodhur, përfshirë sulmet kundër kishave ortodokse dhe objekteve tjera serbe në Kosovë. Po ashtu, çdo devijim nga marrëveshjet që janë arritur, është i papranueshëm”, ka thënë Lavrov.
Kosova ka shpallur pavarësinë qysh në shkurt të vitit 2008, por ajo nuk njihet as nga Serbia, as nga Rusia, të cilat insistojnë se statusi i Kosovës është ende i pazgjidhur.
Lavrov ka kujtuar edhe fushatën e bombardimeve të NATO-s në caqet serbe në vitin 1999, e cila ka pasur qëllim të ndalojë luftën e ushtrisë së regjimit të Millosheviqit në Kosovë.
“Më 24 mars, ngjarje përkujtimore janë mbajtur nëpër Ballkan për të kujtuar përvjetorin e nisjes së agresionit të NATO-s kundër Jugosllavisë. Në Serbi dhe në Rusi, njerëzit nuk i kanë harruar ato 78 ditë të bombardimeve ajrore të NATO-s, të cilat vazhdojnë të jenë një plagë e hapur në zemrat e serbëve”, ka thënë Lavrov.
Rusia është “një nga partnerët më strategjikë të Serbisë dhe Beogradi i është mirënjohës Moskës për mbështetjen që i ka dhënë në organizatat ndërkombëtare sa i përket çështjes së Kosovës,” TASS e citonë Daçiç të ketë thënë përpara takimit të tij me Lavrovin në Moskë.
B92 shkruan se Daçiç ka thënë se Rusia do ta ndihmojë Serbinë në krizën e emigrantëve, duke vënë në dukje se Qendra Humanitare serbe-ruse në Nish përkohësisht do të bëhet strehë për emigrantët.
Komentet