Rusia e ka vendosur kryeministren estoneze Kaja Kallas në listën e të kërkuarve, tregoi një regjistër zyrtar të martën, ndërsa tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit vazhdojnë të rriten për shkak të luftës në Ukrainë.
Sipas mediave të huaja, emri i Kallas figuronte në regjistrin e personave të kërkuar në Ministrinë e Brendshme në lidhje me akuzat penale.
Megjithatë, nuk specifikohej se me çfarë akuzash përballej Kallas.
Kjo është hera e parë që ministria ka vënë një lider të huaj në listën e të kërkuarve.
Kallas ka qenë një mbështetëse e fortë e Ukrainës, duke udhëhequr përpjekjet për të rritur ndihmën ushtarake për Kievin dhe për të forcuar sanksionet kundër Rusisë.
Ajo gjithashtu ka zemëruar Moskën duke nxitur heqjen e monumenteve të ushtarëve sovjetikë të Luftës së Dytë Botërore.
Në listën e të kërkuarve, sipas regjistrit, u vu edhe Sekretari i Shtetit estonez Taimar Peterkop.
Së paku deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim të menjëhershëm ndaj lëvizjes nga autoritetet estoneze.
Ndërkohë lajmi është konfirmuar edhe nga Kremlini që ka thënë se autoritetet ruse lëshuan urdhër-arreste kundër liderëve politikë të huaj për “çmontimin e monumenteve”.
“Këta janë njerëzit që ndërmarrin veprime armiqësore kundër kujtesës historike dhe vendit tonë”, u tha gazetarëve të martën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, duke iu përgjigjur raporteve të lajmeve në lidhje me akuzat kundër Kallas dhe Peterkop, paralajmëroi se urdhër-arrestet ishin “vetëm fillimi”.
Estonia dhe fqinjët e saj baltik, Letonia dhe Lituania janë ndër mbështetësit më të zëshëm të Ukrainës në mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus.
Të tre shtetet baltike u bënë anëtarë të NATO-s dhe BE-së pas rënies së Bashkimit Sovjetik.sn