Një gjykatë në Moskë e ka akuzuar formalisht të premten gazetaren ruse, Antonina Favorskaya, për gjoja pjesëmarrje në një organizatë ekstremiste.
Sipas hetuesve, Favorskaya mblodhi materiale, xhiroi dhe editoi video dhe krijoi artikuj për Fondacionin Kundër Korrupsionit (FBK), i cili ishte themeluar nga politikani i ndjerë opozitar, Alexei Navalny.
Gazetarja e SOTAvision u akuzua formalisht gjatë një seance me dyer të mbyllura në Gjykatën Basmanny të Moskës.
Favorskaya i mbuloi seancat gjyqësore të Navalnyt për shumë vite dhe e xhiroi videon e fundit ku kritiku i Kremlinit shihet i gjallë më 15 shkurt gjatë një seance dëgjimore, e cila u mbajt përmes një lidhjeje me video nga një burg i arktikut.
Të nesërmen, Navalny vdiq papritmas në burg.
Kira Yarmysh, zëdhënësja e vejushës së Navalnyt, Yulia Navalnaya, tha më 28 mars se Favorskaya nuk kishte postuar video në uebsajtin e FBK-së.
Rusia e shpalli FBK-në organizatë ekstremiste në vitin 2021.
Favorskaya është në mesin e disa gazetarëve rusë që janë arrestuar nga autoritetet ruse si pjesë e luftës kundër mospajtuesve në Rusi, e cila ka për qëllim t’i godasë figurat opozitare, gazetarët, aktivistët dhe pjesëtarët e komunitetit LGBT.
Ajo i mohon akuzat e reja, për të cilat ajo mund të dënohet më gjashtë muaj burgim, nëse shpallet fajtore.
Sipas Mediazona, ajo u tregoi gazetarëve më 29 mars se po gjykohej për një artikull që e kishte shkruar ku tregonte se si Shërbimi Federal i Burgjeve e kishte torturuar Navalnyn.
Pas arrestimit, autoritetet ruse e bastisën shtëpinë e gazetares, dhe gjatë seancës të premten, ajo tha se ishin konfiskuar katër lodra rosë prej gome. Konfiskimi i lodrave rosë, ta cilat ishin simbol i protestave kundër korrupsionit më 2017, tregon “absurditetin e tërë këtij procesi”.REL