Rusia dhe Ukraina thanë se kanë rrëzuar dhjetëra dronë gjatë natës, teksa të dyja shtetet kryen sulme gjatë natës ndaj caqeve të njëri-tjetrit pas vijave të frontit.
Dronët – të mbushur me eksplozivë apo me kamera të avancuara të vëzhgimit – janë përdorur në masë të madhe gjatë luftës dyvjeçare mes Rusisë dhe Ukrainës.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia ka gjuajtur gjatë natës 37 dronë kamikazë të llojit Shahed – prodhim iranian – dhe tri raketa në territorin ukrainas.
“Si rezultat i operacioneve luftuese, 33 Shahed u rrëzuan në rajonet e Kirovogradit, Odesës, Hersonit, Mikolajivit dhe Harkivit”, thanë Forcat Ajrore përmes një postimi në Telegram.
Në Moskë, Ministria e Mbrojtjes tha se ka penguar 16 dronë ukrainas në orët e para të së premtes.
Afër 15 prej tyre janë shkatërruar mbi rajonin jugor të Volgogradit, që është rajoni më i afërt me vijat e frontit në lindje të Ukrainës me një distancë prej rreth 300 kilometrash.
Edhe një dron u rrëzua mbi rajonin kufitar të Belgorodit, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.
Në Belgorod ka pasur dhjetëra granatime dhe sulme ajrore që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Në rajonin verilindor ukrainas të Harkivit gjatë natës nga një sulm ajror rus u plagosën pesë persona, përfshirë një fëmijë i moshës trevjeçare, tha guveneratri Oleg Synegubov. Ai publikoi fotografi të një sërë dyqanesh, dritaret e të cilave ishin thyer dhe pamje ku shfaqej një krater në një rrugë ngjitur me një ndërtesë banimi.rel