Në fund të muajit maj të vitit të kaluar, pa filluar zhurma për mundësinë e ndarjes së Kosovës, Ambasadori i Federatës Ruse në Beograd, A.Cepurin, duke ju përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me deklaratën e ministrit të Jashtëm serb, I. Dacic për ndarjen e Kosovës, si kalimthi, midis rreshtash i “shpëtoi” e tha se “Rusia nuk do të ishte kundër ndarjes së Kosovës, në qoftë se kjo do të kënaqte Serbinë”.
Kjo thënie, ato ditë kaloi pa ndonjë jehonë, pavarësisht se nuk dilte qartë në se kjo ishte pikëpamja e tij, apo e Kremlinit, por sidoqoftë këtë deklaratë e bënte përfaqësuesi i Rusisë…
Mbas pak kohësh, kur presidentët e Serbisë dhe Kosovës filluan të flasin për mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjes pajtuese midis dy vendeve dhe, si nën zë shpreheshin për mundësinë e ndarjes së Kosovës, pavarësisht se jo qartë, e secili sipas mënyrës së vet, herë “shkëmbim territoresh”, herë “korrigjim kufijsh”, herë “kufizim midis serbëve dhe shqiptarëve”, herë “vetëm marrje territoresh nga pala tjetër” etj. disa analistë në Serbi dhe Rusi (edhe më gjerë) ju kthyen dhe e morën seriozisht deklaratën e majit të ambasadorit rus në Beograd.
Problemi i ndarjes së Kosovës është i vjetër, madje tepër i vjetër. Kosovën e kanë ndarë e copëtuar shumë herë, pavarësisht se disa analistë e historianë thonë e shkruajnë se autori i ndarjes së Kosovës është “babai i kombit”, akademiku serb, Dobrica Cosic, president i Jugosllavisë në vitet 1992-1993.
Kosovën e kanë ndarë që në kohën e Perandorisë Osmane, në fund të shekullit XIX, kur një pjesë të saj e pushtoi Serbia. Kujtoni krimet, masakrat e shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve nga tokat e tyre nga Nishi, Kurshumlija, Piroti etj. E copëtoi Rusia me traktatin e Shën Stefanit e më vonë bashkë me Europën në Kongresin e Berlinit e ndanë Kosovën dhe që atëherë vendosën që një pjesë të saj të ja japin Serbisë dhe Malit të Zi, për të vazhduar me Konferencën e Londrës kur ja dhanë pothuajse krejt Kosovën (vetëm Malësia e Gjakovës, Tropoja u përfshi brenda kufijve të Shqipërisë).
Gjatë pushtimit jugosllav, midis Luftërave Botërore, Beogradi e ka shkapërdarë Kosovën, si ka dashur, e sa herë ja ka lypë interesi, sa në një banovinë në tjetrën. Gjatë Luftës dytë Botërore, mbas pushtimit të Jugosllavisë, Kosovën e ndanë si deshën pushtuesit, një pjesë e bashkuan me Shqipërinë, në kuadrin e Shqipërisë etnike. një pjesë ja dhanë Bullgarisë etj. Por Mitrovicën me gjithë zonën përreth, me pasuritë e mëdha nëntokësore, nazistët e mbajtën për vete…..megjithëse e konsideronin tokë shqiptare.
Mbas Luftës dytë Botërore, Beogradi i ndau tokat shqiptare dhe shqiptarët si deshi, ndërmjet tri republikave, Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, pavarësisht vazhdimësisë gjeografiko- etnike. Më vonë e ndau përsëri Kosovën, duke i hequr rreth 1100 km katrorë dhe duke ja kaluar Serbisë (Preshevën, Medvegjën, Bujanovcin) e për” “kompensim” duke i bashkuar tri komuna me shumicë popullsi serbe (Zubin Patokun, Zvecanin dhe Leposaviqin, me sipërfaqe pak më shumë se 1000 km. katrorë), që në fakt kishte si qëllim të ndryshonte përbërjen etnike të Kosovës. Por po të gërmosh thellë në histori edhe këto toka dikur kanë qenë të banuara në shumicë nga shqiptarë….
Kur u pa se Jugosllavisë po i vinte fundi, në kuadrin e shpërbërjes së saj, serbët ju vunë me zell punës për ndarjen e Kosovës. Në Beograd e në disa qendra politikbërse ndërkombëtare bëheshin lloj lloj projektesh e variantesh për mënyrat e ndarjes së saj. Për këtë u angazhuan, krahas tjerëve shumë politikanë të lartë serbë (ish presidenti i Jugosllavisë Cosic, ish kryeministri i Serbisë, Koshtunica, akademiku A.Despic, ish presidenti Tadic, ish zv/kryeministri i LLabus, ish kryeministri Xhinxhic etj. etj.) kisha Ortodokse Serbe, të huaj (italianët propozuan disa herë mënyrën e ndarjes), personalitete të larta të politikës europiane e botërore etj. ministra e kryeministra, ndër të cilët Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Pan Gi Mun, Lordi Ouen (përfaqësuesi i BE për Ballkanin në vitet 1992-1995, ish kryeministri i Rusisë Primakov, ambasadori amerikan në Beograd U.Cimerman etj.
Ndaj këtyre propozimeve reaguan edhe shqiptarë të Kosovës, ndërmjet të cilëve lideri i atëhershëm i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai u deklarua mbi mundësinë ndarjes së Kosovës, por hodhi poshtë variantet e propozuara nga serbët, mbasi siç shprehej ai, “jashtë Kosove mbeten 1 milion shqiptarë”. Rugova insistonte që, në rast ndarje, serbët mund të llogarisin të marrin komunën e krijuar rishtazi të Zubin Potokut si dhe disa zona të tjera në veri të Kosovës, të përfshira brenda Kosovës, mbas Luftës Dytë Botërore dhe konkretisht Leposaviqin, Lesakun, Banskan, por me kusht që brenda Kosovës të përfshihen krahinat me shumicë shqiptare që ndodhen brenda Serbisë e konkretisht Presheva, Bujanovci e Medvegja. Por Rugova insistonte fort që brenda Kosovës të mbetej pa tjetër pjesa veriore e Mitrovicës.
Sigurisht që Moska do të jepte “kontributin” e vet, madje politikanët rusë do të angazhoheshin fort e do të hidhnin edhe ata idetë e projektet e tyre për ndarjen e Kosovës.
Shaqir Vukaj
Në prag të konfliktit të viteve 1998-1999 në Kosovë dhe gjatë kohës së sulmeve ajrore të NATO-s në Jugosllavi, Moska zyrtare i qëndronte fort idesë se “Kosova është pjesë e Jugosllavisë ose më saktë e Serbisë’, sepse, siç shpreheshin shumë politikanë, historianë, ushtarakë rusë etj. ajo “historikisht ka qenë serbe”, madje “tokë e shenjtë serbe”, “djepi i serbizimit”, “si Jerusalemi për hebrenjtë”, se “shqiptarët janë të ardhur vonë në Kosovë” etj. Në shumë shkrime e analiza, deklarata, botime e libra të asaj kohe arrihej në absurditete të tilla, madje edhe nga njerëz me shumë peshë në politikën, kulturën e shkencën ruse, që shkruanin “se shqiptarët janë të ardhur vonë në Kosovë, të sjellë aty nga Turqia” madje “të ardhur gjatë Luftës Dytë Botërore ose të sjellë aty nga Tito, mbas Luftës Dytë Botërore”. Ish kryeministri i Bashkimit Sovjetik, Rizhkov, shkruante: “Shpërngulja e madhe e shqiptarëve në Kosovën fqinje ka filluar në vitet 40-të dhe është intensifikuar shumë në vitet 60-70-të”, ndërsa kryetari i Bashkisë së Moskës, kandidat për president i Rusisë, Lluzhkov shkruante: “Krahina e Kosovës nuk i ka takuar asnjëherë shqiptarëve. Ata i solli aty Tito në kuadrin e planit të tij për krijimin e Federatës Ballkanike”. Shkrimtari i njohur Sollzhenjicin shkruante “Banda titiste krijoi kufij fals, duke shpërngulur serbët nga Fushë Kosova, vendi historik i banimit të serbëve dhe duke e populluar me shqiptarë”, ndërsa Profesorët V.A. Lisickin e L.A.Shelepin, arrinin deri aty sa shkruanin “Në vitet 90-të në Kosovë u vendosën 300 mijë ilegalë nga Shqipëria”.
Udhëheqësit e Rusisë së asaj kohe deklaronin në mënyrë kategorike se, sido që të vijë puna, ajo kurrë nuk do ta njihte Kosovën si shtet i pavarur. Por pavarësisht nga çfarë thuhej, edhe në Moskë, herë pas here hidhej ideja e ndarjes së Kosovës. Për këtë filluan të flisnin edhe zyrtarë të lartë rusë, pa fol për analistë, gazetarë e njerëz të shkencës. Kështu, bashkëpunëtori i Akademisë së Shërbimeve Shtetërore pranë presidentit Jelcin, I. Moskovski, doli haptazi (në dukje në kundërshtim me politikën zyrtare ruse) në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, por me kusht “që një pjesë e territorit të Kosovës ti jepet Serbisë”. Gjatë një bisede që kam pasur në shtatorin e v.1998 me N/kryetarin e Dumës Shtetërore Baburin (ndër politikanët dhe specialistët më aktiv në atë kohë për çështjet e Ballkanit) insistonte se “herët a vonë, Kosova do të shkëputet nga Serbia, por një pjesë e saj do ti mbetet Serbisë”.
Më vonë, në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në Moskë hidheshin lloj lloj idesh, projektesh e variantesh për të ardhmen e Kosovës, ku binin në sy ato mbi “Federalizimin”,“Palestinizimin”, “Tajvanizimin”, “Qiproizimin” etj, që në fund të fundit, të gjitha ishin variante e rrugë që çonin në ndarjen e Kosovës. Madje “Palestinizimi” i Kosovës u bë temë e preferuar edhe për udhëheqësit kryesorë të Rusisë, përfshij presidentin Putin, të cilët kërcënonin se “në rast pavarësie të Kosovës, jo vetëm do të kemi ndarje të saj, por konflikti do të jetë i gjatë”…
Duke kujtuar ngjarjet e atyre viteve, bazuar dhe në materialet e asaj kohe, në qarqet zyrtare dhe në trupin diplomatik të Moskës ishte përhapur mendimi se, sido që të vinte puna, sado vonë, varianti i fundit ishte ndarja e Kosovës dhe për këtë do të binin dakord Moska dhe Perëndimi. Atëherë thuhej se ky variant ishte diskutuar në qarqet e larta politike europiane e amerikane. Thuhej se ky problem ishte diskutuar edhe midis ministrit të Jashtëm të Rusisë, Ivanov dhe Milloshevicit. Madje variantet ishin hedhur edhe në hartat përkatëse. Por thuhej se e gjitha kjo do të bëhej mbas shumë vitesh…
Materiale e kujtime të botuara vitet e fundit nga aktorë të rëndësishëm të politikës ruse të asaj kohe hedhin dritë për të kuptuar më mirë zhvillimet dhe qëndrimet e sotme të Rusisë dhe jo vetëm ndaj problemit të ndarjes së Kosovës. Madje lënë të kuptohet se shumë plane e skema, janë lënë të hapura për tu zbatuar qoftë edhe mbas disa dekadash…
Mbas përfundimit të bombardimeve, kur ushtria serbe po tërhiqej nga Kosova, dhe kur bisedohej për nënshkrimin e marrëveshjes midis NATO-s – ShBA e Rusisë, midis palëve nuk gjendej gjuha e përbashkët. Rusia kërkonte me insistim dhe vinte si kusht pjesëmarrjen me trupa paqeruajtëse vetëm me dhënien rusëve të një zonë apo sektori të veçantë në veri të Kosovës, “ku serbët janë në shumicë”. Presidenti i ardhshëm i Rusisë, Vladimir Putin, në atë kohë shprehej se “Ne duhet të kemi zonën tonë. Aty do të jenë të pranishëm rusët, sepse serbët kanë besim vetëm tek rusët”.
Vetëm insistimi i Rusisë për zonë apo sektor të veçantë shtyu për disa ditë nënshkrimin e marrëveshjes ushtarake. Por pavarësisht nga insistimi i Moskës, sipas marrëveshjes, Rusisë nuk iu dha zonë apo sektor i veçantë (paqeruajtësit rusë u dislokuan brenda sektorëve të ShBA, Gjermanisë dhe Francës) si dhe iu kufizua numri i trupave paqeruajtëse në 3600 vetë nga 10000 vetë që kërkonte ajo.
Aksioni i ndërmarrë nga rusët dhe pushtimi i aeroportit të Prishtinës, ende pa u futur trupat ndërkombëtare në Kosovë, edhe sot mbas 20 vitesh, nga disa politikanë e analistë shihet si përpjekje e Moskës pikërisht për të bërë të mundur ndarjen e Kosovës.
Por ajo që thuhej midis rreshtave apo nuk thuhej e ruhej fort kasafortave të përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha për ndarjen e Kosovës, u vu në jetë menjëherë sapo trupat ndërkombëtare u futën në Kosovë e konkretisht në pjesën veriore të Mitrovicës. Me vendosjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare (franceze) në urën e Ibrit, duke mos lejuar UCK-në të kalonte matanë urës, faktikisht ata ndanë jo vetëm qytetin e Mitrovicës që historikisht, që kur ishte krijuar ka qenë një qytet unik, por ata ndanë edhe Kosovën. Veriu i Kosovës de facto mbeti jashtë Kosovës, situatë që vazhdon edhe sot e kësaj dite… megjithëse de jure është brenda kufijve të saj.
Pikërisht në këtë kohë lindi dhe filloi të përdorej një term i ri administrativo-politik,Veriu i Kosovës, term që nuk ishte përdorur kurrë më përpara. Por duhet vënë në dukje se pikërisht në këto rajone, ndodhen pasuritë më të mëdha të Kosovës, një pjesë e mirë e Trepçës (që kanë filluar ta quajnë “Trepça e pjesës serbe”…) si dhe një pjesë e liqenit të Ujmanit.
Dua të përmend një fakt interesant. Sipas ndonjë burimi nga Moska, sikur Perëndimi të ishte dakord që Veriu i Kosovës ti mbetej Serbisë, lufta mund të shmangej, sepse Milloshevici nuk do të kundërshtonte dhe mund të gjendej një zgjidhje paqësore…
Moska nuk e mbështeti zyrtarisht ndarjen e Kosovës tek ura e Ibrit, por as nuk u shpreh kundër, siç bënte në atë kohë për çdo veprim që bënin ndërkombëtarët në favor të shqiptarëve apo vetë shqiptarët, e që për Moskën ishte në “dëm” të Serbisë. Me një fjalë, për Moskën ky ishte një variant rezervë për të ardhmen, sepse, sido që të vinte puna, kjo do të ishte në favor të Serbisë. (Në ndonjë rast është hedhur ideja se për këtë ka pasur një marrëveshje të heshtur midis Moskës dhe Perëndimit). Tërheqë vëmendjen fakti se në disa medie ruse filluan ta quanin Mitrovicën kryeqendra e Veriut të Kosovës.
Pikërisht në këtë kohë, kur Prishtina nuk mund të ushtronte asnjë lloj pushteti në Veriun e Kosovës, njëlloj si në kohët më të egra të pushtimit serb, aty vazhdonte ndjekja e persekutimi i shqiptarëve, me qëllim zhbimjen e tyre nga këto rajone. Duket e pa besueshme sot që, në shkurt të vitit 2000, në prani të forcave të KFOR-it, vetëm nga Mitrovica e Veriut janë dëbuar 1564 familje shqiptare me11364 anëtarë…
Me kalimin e viteve, duke parë se Kosova po shkonte drejt pavarësisë, politikanë serbë, gjithnjë e më shumë flisnin për ndarjen e Kosovës. Madje në shumë raste ata i diskutonin këto variante me politikanë të lartë rusë. Në këtë kuadër do të përmendë takimin e presidentit serb Tadic në Moskë me presidentin rus, Putin, në vitin 2006 ku ai i parashtroi atij ndarjen e Kosovës si një ndër rrugët më të mundshme për zgjidhjen e problemit nëpërmjet “formimit të dy etniteteve”.
Në periudhën kur Kosova ecte drejt shpalljes së pavarësisë, e veçanërisht mbas shpalljes së pavarësisë, në Moskë filluan të shtohen zërat në mbështetje të propozimeve që vinin nga Beogradi e ndonjëherë edhe nga ndonjë kryeqytet europian për ndarjen e Kosovës, si e vetmja rrugë për “të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet”. Madje edhe personalitete të fushave të ndryshme, politikanë, historianë, ushtarakë etj. që kishin qenë kundërshtarë të ashpër dhe ishin shprehur publikisht kundër ndarjes, filluan ti qasen kësaj teme dhe të ndryshojnë qëndrim. Pa u zgjatur me shumë shembuj do të përmend qëndrimin e ish kryeministrit të Rusisë, Evgeni Primakov (një ndër personalitetet më të fuqishme dhe autoritare të Rusisë të periudhës post sovjetike: Kryetar i Akademisë së Shkencave, shef i Zbulimit të Jashtëm, ministër i Jashtëm, Kryeministër) i njohur për qëndrimet e tij proserbe. Ai, nga një kundërshtar i ashpër i ndarjes së Kosovës, gradualisht filloi të ndryshonte qëndrim dhe në vitin 2011 të deklaronte se “rruga e vetme” për zgjidhjen e problemit të Kosovës është ndarja e saj, madje disa herë, nëpërmjet intervistave e shkrimeve ai përpiqej të bindte opinionin rus e më gjerë “për domosdoshmërinë e ndarjes së Kosovës”.
Nuk duket rastësi që pikërisht në këtë periudhë Ivica Dacic deklaronte se e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemit të Kosovës është ndarja e Kosovës në pjesën serbe dhe shqiptare.
Në raste të veçanta, për ndarjen e Kosovës shpreheshin edhe përfaqësues zyrtarë të Moskës, siç ishte rasti i Aleksandër Borcan-Harcenko, funksionar i lartë i MP Jashtme ruse, një kohë përfaqësues i Rusisë për problemin e Kosovës….
Megjithëse Moska zyrtare vazhdonte të mbante qëndrim mohues ndaj pavarësisë së Kosovës si dhe për çdo problem që lidhej me të, me kalimin viteve ajo filloi të shprehej publikisht se do të ishte dakord me çdo variant apo qëndrim që do të ishte i pranueshëm për Beogradin. Me këtë gjuhë flisnin të gjithë deri tek Presidenti Putin që ka folur për Kosovën me dhjetëra e dhjetëra herë.
Më 18 gusht 2017, ministri i Jashtëm i Serbisë I.Dacic, duke folur për vendosjen e kufijve midis serbëve dhe shqiptarëve ka thënë “Për sa i takon mbështetjes së propozimit tim nga ana e fuqive të mëdha, për të gjithë është e qartë se situata është e rëndë, por unë do ju shpjegoj Ju fjalët e Presidentit të Rusisë, V. Putin, se për Moskën është e pranueshme gjithçka që është e pranueshme për Serbinë. Prandaj kur ne deklarojmë se fjala është për qëndrimin zyrtar të Serbisë, Rusia na mbështet ne, ashtu si dhe shumë shtete të tjera”.
Megjithëse ai foli për një problem madhor si ishte ndarja e Kosovës, Moska nuk u ndje ndaj kësaj deklarate, nuk e mbështeti, por as nuk e kundërshtoi…
Vijon…
Komentet