Në prag të takimit Tramp-Putin që u zhvillua në Helsinki, në Moskë u dëgjua ndonjë zë se ata do të diskutonin edhe problemin Kosovës. Menjëherë mbas takimit, duke u mbështetur në një shkrim të një gazete kosovare (por edhe në ndonjë burim tjetër) në të gjitha mediet ruse u publikua lajmi sensacional se ata kanë rënë dakord që Kosova të ndahet, por Ministria e Jashtme e Rusisë reagoi menjëherë dhe e hodhi poshtë këtë njoftim si të pa vërtetë.
Në muajin korrik dy presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Vucic dhe Thaçi, pothuajse në të njëjtën kohë bënë deklaratat e tyre për këtë problem, pavarësisht se jo të qarta për publikun, por që gjithsesi nënkuptonin vendosjen e kufijve të rinj midis Serbisë dhe Kosovës.
Menjëherë pasuan deklaratat për qëndrimet e ShBA, BE dhe disa vendeve tjera, që kishin ndryshuar qëndrim. Kështu, këshilltari për Sigurinë Kombëtare i ShBA, Xh. Bollton deklaroi se “ata nuk janë kundër idesë së ndarjes, në qoftë se Beogradi dhe Prishtina bien dakord” dhe më 14 dhjetor presidenti Tramp nëpërmjet letrës që i dërgoi presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, mbasi u bënte thirrje për përfundimin e marrëveshjes, i ftonte ta nënshkruanin në Shtëpinë e Bardhë. Shefja e politikës së jashtme të BE, Mogerini deklaroi se “përkrahte idenë e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës”. Po ashtu presidenti i Francës Makron e përkrahu këtë ide.
Ndërkohë Rusia nuk shprehej qartë. Pritej qëndrimi i Rusisë, por ajo tregohej e matur. Siç thamë më sipër, ambasadori rus në Beograd kishte bërë një deklaratë ku mbështeste ndarjen. Në fillim të gushtit shkoi në Beograd, shefja e Departamentit të Informacionit dhe Shtypit në MPJashtme ruse, M.Zaharova, zëdhënësja zyrtare e politikës jashtme ruse. Pritej që ajo të shprehej qartë për qëndrimin e Rusisë, por ajo me shumë diplomaci u shpreh se “Rusia sillet me respekt ndaj veprimeve të Serbisë” dhe “Problemi i Kosovës është bërë ndërkombëtar dhe nuk i përket vetëm Serbisë”
Më 21 gusht, ministri i jashtëm rus Llavrov deklaroi se “Rusia është për realizimin e plotë të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Mbështesim ato veprime që ndërmerr Beogradi me qëllim që të arrihet realizimi i këtij dokumenti të rëndësishëm ndërkombëtar”. Tepër interesante kjo deklaratë, ku ai linte të kuptohej se kjo marrëveshje duhet të arrihet vetëm me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, detyrimisht edhe të Rusisë ( që Beogradi e kërkon me ngulm, madje vë kusht se, në rast pjesëmarrje të ShBA duhet të marrë pjesë edhe Rusia). Dhe kjo deklaratë mbas takimit Tramp-Putin…..
Jo radhë, në praktikën ndërkombëtare, rezolutat e KS të OKB-së janë “kuptuar” e interpretuar sipas interesit të njërës apo tjetrës palë.
Gjithë këto vite, përfaqësuesit zyrtarë të Moskës, që nga presidenti Putin, për çdo rast i janë referuar Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, duke e përdorur si “argument”, që, sipas tyre, ajo është çelësi për të kundërshtuar pavarësinë e çdo iniciativë në të mirë të Kosovës.
Për kujtesë, kjo rezolutë është aprovuar në qershor të v.1999. Ndërmjet tjerave ajo sanksiononte tërësinë territoriale të RF Jugosllavisë (me shpalljen e pavarësisë të Malit të Zi, Jugosllavia nuk ekziston më si shtet) dhe autonomi vetëqeverisëse për Kosovën (që nga viti 2008 ajo është shtet i pavarur i sanksionuar ligjërisht nga Gjykata Ndërkombëtare dhe njohur nga afro 120 shtete, përfshijë ShBA, Gjermaninë, Francën, Anglinë, Italinë etj.) që do të thotë se kjo rezolutë praktikisht nuk ka më asnjë vlerë dhe asnjë përfaqësues i Perëndimit as nuk e përmendë më…..
Për kujtesë lexuesit, në vitin 1998, janë aprovuar dy rezoluta nga KS i OKB-së për Kosovën, e para, Nr.1190, më 23 shtator dhe e dyta, Nr.1203, më 24 tetor.
Sipas rezolutës së parë, në qoftë se RF Jugosllave nuk merr masa për zbatimin e saj, “do të merren hapa të mëtejshëm dhe masa plotësuese për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”. Në rezolutën e dytë flitej për përgjegjësinë e NATO-s për kontrollin e zbatimit nga RFJugosllave dhe palët e tjera të parimeve të Rezolutës Nr.1199. Kur NATO filloi bombardimet kundër Jugosllavisë, Moska zyrtare bërtiste e kundërshtonte me të madhe se u shkelën rezolutat e KS të OKB-së për Kosovën. Mirëpo, siç rezultoi më vonë, NATO mbështetej pikërisht në këto dy rezoluta dhe i argumentoi bombardimet në interpretimin e tyre por Moska i kuptoi me vonesë “hilet” që fshihnin në të vërtetët këto dy rezoluta.
Në kujtimet e tij, Cernomerdini ( ish kryeministër i Rusisë) që gjatë krizës Kosovës, u caktua nga presidenti Jelcin, si përfaqësues personal i tij për zgjidhjen e krizës (bashkë me presidentin e Finlandës Ahtisari dhe përfaqësuesin e presidentit Klinton, Telbot, përbënin treshen e ngarkuar për zgjidhjen e problemit) në kujtimet e tij shkruan për rezolutat e përmendura dhe pohon se NATO kishte të drejtë dhe vazhdon: “Në Gjermani unë u ndesha me një problem të cilin më parë nuk e kisha vlerësuar. Duke dashur të kundërshtoja veprimet e tyre në Jugosllavi, ata mu përgjigjen se veprimet e Gjermanisë dhe NATO-s janë realizimi praktik i rezolutave të KS të OKB-së”. Dhe siç shpjegon ai më poshtë, ata e kishin bindur, se jo vetëm nuk ishte shkelur asnjë rezolutë, por të gjitha veprimet e tyre ishin realizimi në praktikë i këtyre rezolutave. Dhe duke dashur të kritikonte të vetët (Ministrinë e Jashtme etj.) që i kishin firmosur, u kujtonte atyre se “Duhet thënë se juristët me përvojë perëndimorë kishin punuar me skrupulozitet në mënyrë të tillë që të justifikojnë veprime e tyre, duke u mbështetur në dokumente ndërkombëtare”.
Më 18 gusht, mbasi problemi i ndarjes së Kosovës ishte bërë problem i ditës, ministri i Jashtëm i Serbisë, I.Dacic ( (“njeri i Kremlinit”- siç e quajnë disa analistë e politikanë), duke folur për marrëveshjen me Kosovën, ka deklaruar “Ne dëshirojmë dhe do të jemi në kontakt me Federatën Ruse, me presidentin V.Putin, me ministrin S,Llavrov sepse ne llogarisim se, pa mbështetjen e Rusisë nuk mund të arrihet asnjë zgjidhje”.
Presidenti rus V.Putin që nga viti 1999, ende pa u bërë president, e më vonë, gjithë këto vite i ka kushtuar vëmendje të posaçme Kosovës dhe ka folur publikisht me dhjetëra e dhjetëra herë për problemet që lidhen me të. Çfarë nuk ka thënë kundër shtetit të pavarur të Kosovës. Kujtojmë deklaratat e fundit kërcënuese kundër krijimit të ushtrisë së Kosovës e deri tek vendosja e tarifave për mallrat e Serbisë. Por jo radhë ai e përdorte “precedentin Kosovë” për qëllimet e veta, (duke u përpjekur të justifikonte aneksimin e Krimesë, ai e krahasonte me rastin e Kosovës) apo për të justifikuar veprimet e disa të ashtuquajturve shtete të vetëshpallur në hapësirat post sovjetike. Por ai asnjëherë nuk është prononcuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për ndarjen e Kosovës. Në këtë pikë ai është treguar i rezervuar, dhe është mjaftuar me formulën “mbështesim çdo zgjidhje që kënaqë Beogradin”.
Në vjeshtën e vitit të kaluar, kur Beogradi artificialisht ashpërsoi krizën me Kosovën, nën pretekstin e vizitës së Thaçit në ujëmbledhësin e Ujmarit, Vucici shpejtoi, dhe krahas vënies në gatishmëri të ushtrisë, shkoi në Moskë për të kërkuar ndihmë (analistë në Moskë thonë se ishte pikërisht problemi i Kosovës arsyeja e kësaj vizite të përgatitur shpejt e shpejt). Sipas njoftimeve zyrtare të Moskës, gjatë takimit me Putinin (takimi i dymbëdhjetë midis tyre) ata i kanë kushtuar 50 minuta vetëm problemit të Kosovës. Por në njoftimin zyrtar të Kremlinit nuk u tha asnjë fjalë për qëndrimin e Putinit ndaj ndarjes së Kosovës, madje as gjatë vizitës së Putinit në Beograd, nuk u tha asgjë zyrtarisht për këtë problem, megjithëse problemi i Kosovës ishte ndër më kryesorët për nga rëndësia e problemeve të diskutuara.
Duhet venë në dukje se edhe kur të tjerët kanë folur në emër të Putinit për ndarjen e Kosovës, ai, apo zëdhënësit e tij nuk e kanë përgënjeshtruar…..
Përse Moska mban këtë qëndrim dhe cili është qëndrimi dhe qëllimi i vërtetë i Moskës rreth këtij problemi dhe a i intereson asaj ndarja e Kosovës?
Shumë politikanë europianë e sidomos ballkanikë, shprehen kundër ndarjes së Kosovës, dhe si argument kryesor përmendin rreziqet që do të sillte një veprim i tillë. Sipas tyre, një veprim tillë do ta komplikonte së tepërmi situatën në Ballkan. E para, Serbska Republika do të kërkonte bashkimin me Serbinë, çka do të sillte shpërbërjen e Bosnjë Hercegovinës e probleme në Kroaci e në pjesën mbetur të Bosnjës, që do të sillte prishjen e marrëveshjes së Dejtonit…. Shqiptarët e Maqedonisë do të kërkonin bashkimin me Shqipërinë etj, e si pasojë, efekti domino do të sillte pështjellim të mbarë Ballkanit e ndoshta edhe më gjerë. Parë nga ky kënd, një situatë e tillë konfliktuale do ti krijonte mundësi Rusisë të ndërhynte më fuqishëm dhe të jetë edhe më e pranishme në rajonin tonë.
“Precedenti kosovar” gjithsesi i shërben Rusisë për problemet e pa zgjidhura në disa rajone apo shtete të vetëshpallura që ekzistojnë dhe mbahen në saj të Rusisë dhe me mjetet e saj, por me një statut të papërcaktuar ndërkombëtar, Transdnjistria në Moldavi, Osetija e Jugut dhe Abhazija në Gjeorgji (këto dy të fundit kanë shpallur pavarësinë, por nuk i ka njohur askush)
Por krahas tyre ka dhe një seri konfliktesh të ngrira që mund të shpërthejnë në çdo moment, por që gjithsesi duhet bërë diçka, siç është ai në “Republikat Popullore” të Donjeckut dhe Luganskut” në Ukrainë. Tepër interesant ishte një njoftim i dalë kohët e fundit nga Moska, sipas të cilit, gjatë takimit me ambasadorët rusë të akredituar jashtë, Putini u ka thënë se gjatë takimit me presidentin Tramp, u propozua që në lindje të Ukrainës të zhvillohet referendum. Por nuk dilte e qartë, për çfarë: për bashkim me Rusinë, për kthimin në Ukrainë apo për shtete të pavarura.
Ka analistë e politikanë që thonë se BE dhe ShBA “Kosovën e ndarë” mund ta “këmbejnë” me njohjen e Krimesë. (Ndonjëri shtron pyetjen a mos do e bëjnë kurban për hir të marrëdhënieve ruso-amerikane). Po ashtu kjo do të ndihmonte Osetinë e Jugut ku vazhdojnë diskutimet për referendum për bashkimin me Rusinë. E njëjta situatë është pak a shumë edhe në Transdnjistria ku shumica janë për bashkim me Rusinë.
Sipas këtyre ideve që hidhen, në qoftë se Kosova do të ndahej, Rusia do të zgjidhte problemet e këtyre pseudo shteteve si dhe do të justifikonte statusin e Krimesë si pjesë e Rusisë.
Duke gjykuar nga zhvillimet e muajve të fundit, mund të thuhet se Kosova dhe kombi shqiptar ndodhen para një prove të vështirë. Pavarësisht nga kundërshtimet e shumicës dërmuese të shqiptarëve të Kosovës e Shqipërisë, përfshijë shumë qeveritarë kosovarë që janë shprehur kundër ndarjes së Kosovës, gjithë këto lëvizje, deklarime, shpesh herë jo të qarta apo me nënkuptime të presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, aktivizimi i dukshëm i Rusisë në marrëdhëniet me Serbinë e më gjerë, në punët brendshme të vendeve ballkanike, zërat mbi marrëveshjen e fshehtë midis Trampit dhe Putinit për ndarjen e Kosovës, ndryshimi i qëndrimit të ShBA dhe të BE e qëndrimet e ndryshme të vendeve evropiane, mosmarrëveshjet brenda BE për Ballkanin Perëndimor, nacionalizmi dhe radikalizmi në rritje në Europë, letra e Trampit presidentëve të Serbisë dhe Kosovës dhe ftesa për të nënshkruar marrëveshjen midis Serbisë e Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, takimi presidentëve Putin e Thaçi në Paris (pavarësisht se i shkurtër, por domethënës), artikulimi i idesë për bashkim të shqiptarëve dhe hapat drejt afrimit të mëtejshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, qëndrimi jo i qartë i qeverisë Shqiptare ndaj ndarjes së Kosovës etj. kanë krijuar dyshime, paqartësi e hamendësime nga më ndryshmet….
Por, në gjithë këto zhvillime, shihet qartë se ShBA dhe veçanërisht BE i kanë krijuar mundësi Rusisë për të rritur rolin e saj në Ballkan, veçanërisht për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës e marrëveshjen midis tyre, kur ndarja e Kosovës ka dalë në plan të parë….
Komentet