Agjencia më e lartë e sigurisë në Rusi ka deklaruar se është arrestuar një gazetar i mediumit amerikan Wall Street Journal mbi dyshimet për spiunazh. Asnjë dëshmi nuk është dhënë për këto pretendime.
Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) – agjencia ruse për siguri dhe kundërzbulim që e ka pasuar agjencinë KGB të kohës sovjetike – tha të enjten se Evan Gershkovich u arrestua në Yekaterinburg, qytetin e maleve Urale, pasi që dyshohet se po përpiqej të siguronte informacion të klasifikuar.
Gershkovich është gazetari i parë i një mediumi amerikan që arrestohet me akuza për spiunazh në Rusi që nga Lufta e Ftohtë. Arrestimi i tij vjen mes tensioneve të shtuara midis Moskës dhe Uashingtonit shkaku i luftës në Ukrainë.
Shërbimi i sigurisë pretendon se Gershkoviq “po vepronte mbi urdhra amerikane për të mbledhur informacion për aktivitetet e njërës prej ndërmarrjeve të kompleksit industrial ushtarak rus që përbën sekret shtetëror”. FSB-ja nuk ofroi asnjë dëshmi për këto pretendime.
FSB-ja nuk e bëri të ditur se kur ka ndodhur arrestimi.
32-vjeçari Gershkovich, i cili është shtetas i SHBA-së, mund të përballet me 20 vjet burg nëse shpallet fajtor për spiunazh.
Gershkovich raporton për Rusinë dhe Ukrainën si korrespondent në zyrën e Moskës të Wall Street Journal. FSB-ja vuri në dukje se ai kishte akreditim nga Ministria e Jashtme ruse për të punuar si gazetar.
Raporti i tij i fundit nga Moska, i publikuar në fillim të kësaj jave, trajtonte ngadalësimin e ekonomisë së Rusisë pas sanksioneve të vendosura nga shtetet perëndimor pas hyrjes së trupave ruse në Ukrainë vitin e kaluar.