Banorët po evakuohen nga rajoni Kursk i Rusisë pasi forcat ukrainase kryen një seri bastisjesh ndërkufitare të martën, me video në mediat sociale që tregojnë skena të ngjashme me një zonë lufte.
Alexei Smirnov, ushtrues detyre i guvernatorit për rajonin tha në Telegram se pesë civilë janë vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur si pasojë e përleshjeve të ashpra. Situata është “e kontrollueshme”, tha ai.
Si Ukraina ashtu edhe Rusia mohojnë të kenë shënjestruar civilët në luftë.
Kursku i Rusisë kufizohet me rajonin verilindor Sumy të Ukrainës. Grupet e milicisë anti-Kremlin filluan më parë bastisje ndërkufitare në rajonin Belgorod të Rusisë.
Trupat ukrainase kanë kapur deri më tani të paktën gjashtë ushtarakë rusë, sipas kanalit rus Telegram Pepel. Publikimi i pavarur rus iStories identifikoi dy nga burrat si Danil Kolesnikov 22-vjeçar dhe Maksim Khyamelyainen 21-vjeçar, të cilët thuhet se u kapën teksa tentonin të kalonin kufirin në Ukrainë.
Rreth 90 përqind e banorëve nga rrethi Sudzhansky i Kurskut janë evakuuar nga katër vendbanime, raportoi RBC Ukraine. Të tjerë në rajon janë ankuar për mungesën e strehimoreve dhe disa i kanë drejtuar ankesat e tyre te guvernatori Smirnov, duke shkruar: “kur do të krijoni strehimore? Deri kur do t’i mundoni njerëzit?”
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj kanë shtyrë një numër përpjekjesh për bastisje nga Ukraina pranë Nikolayevo-Darino dhe Oleshnya në Kursk dhe se ajo kishte vendosur trupa rezervë në rajon.
Në një deklaratë në Telegram, Ministria e Mbrojtjes tha se Ukraina sulmoi rajonin dhe forcat e saj me 300 ushtarë ukrainas nga Brigada e saj e 22-të e Mekanizuar, 11 tanke dhe më shumë se 20 transportues të blinduar të personelit.
Videot nga Kursk të shpërndara në mediat sociale treguan mbikalime të avionëve luftarakë dhe mbetjet e djegura të automjeteve të blinduara, ndërsa blogerët pro-Putin pretendonin se tre fshatra rusë ishin nën kontrollin e Ukrainës.
Kanali rus Telegram Rybar, i themeluar nga Mikhail Zvinchuk, një ish-punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, raportoi se formacionet ukrainase fituan një terren në zonën kufitare, “megjithë sulmet intensive nga trupat ruse”.
“Situata në rrethin Sudzhansky… mbetet e vështirë”, tha Rybar. “Sipas informacioneve paraprake, në territorin e rajonit të Kurskut të kontrolluar nga Forcat e Armatosura të Ukrainës ndodhen deri në 400 anëtarë të formacioneve ukrainase. Në të njëjtën kohë, komanda e armikut vazhdon të transferojë rezervat në zonë.”
“Në të njëjtën kohë, ofensiva në këtë zonë mund të vazhdojë edhe për të paktën disa ditë të tjera, veçanërisht në sfondin e një përqendrimi të konsiderueshëm të forcave ukrainase në zonën kufitare”, tha kanali.