Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës ka prezantuar dje të dhënat, materialet dhe gjetjet, sipas të cilave del se Çakorri dhe Bjelluha janë jashtë territorit të Republikës së Kosovës, për të cilat përfaqësues të qytetarëve të Rugovës përreth kufirit me Malin e Zi kanë kundërshtime të mëdha. Ata e quajtën këtë raport si të kamufluar.
Edhe drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), dega në Pejë, thonë se rezultatet për matje të territorit janë të pa pranueshme.
Kryetari i degës së AAK-në në Pejë, Fatmir Gashi, për KosovaPress tha se madhësia territoriale e Kosovës 10 e 905.25 km/2, i dal nga ky Komision, është e papranueshme për AAK-në dhe qytetarët e Pejës, ngase forma e matjes ka qenë plotësisht e gabuar. Gashi shpreh bindjen se rezultatet e tilla e destabilizojnë Kosovën, prandaj, duhet një unitet dhe konsensus për këtë çështje.
“Komisioni i cili ka dalë me rezultate për matje, nuk ka bërë matje. Vetëm duhet me ditë që Komisioni ka llogaritë zona kadastrale. Matja e territorit është një kuptim krejt tjetër, edhe mbledhja e zonave kadastrale është tjetër. Llogari e thjesht e zonave kadastrale për të cilën ky Komision s’ka pasur nevojë hiq me u mbledhë as me u lodhë… Zona kadastrale është çështje tjetër, sepse ka shumë pjesë që janë zona ku kanë qenë të pa evidentuara dhe nuk janë evidentuar nëpër kadastra. Ka pjesë shtetërore që nuk evidentohen në kadastra”, tha Gashi.
Ai ka rikujtuar se Çakorri është dhe do të mbetet pjesë e Kosovës. Për të dalë nga kjo krizë, Gashi i ka propozuar Kuvendit të Kosovës që demarkimi të shkoi në Arbitrazh. Numri një i AAK-së në Pejë, Fatmir Gashi, ka shtuar tutje se çfarëdo vendimi tjetër për humbjen e Çakorrit do të krijonte situatë jo të favorshme dhe aspak stabile në Kosovë.
Ndërsa, edhe kuvendi komunal i Pejës kishte nxjerrë një vendim unanim kundër demarkimit të kufirit me Malin e Zi për formën e vijës së propozuar nga Komisioni Shtetëror për Kufi. Por për këtë temë, kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, nuk u prononcua për KosovaPress.
Ndërkohë, kryesuesi i komitetit të banorëve përreth vijës kufitare me Malin e Zi, Ali Lajçi, për KosovaPress tha se Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit ka marrë kritere të gabuara me kadastrat komunale.
Sipas tij, kadastrat komunale nuk kanë të bëjnë me kufi komunal por me kufi shtetëror. Ky raport i këtij Komisioni nuk duhet të miratohet as nga Qeveria e as të aprovohet në Kuvend.
“Ky komision është i kamufluar me qëllime të qarta për ta ri proceduar demarkacionin në Kuvend të Kosovës dhe për të përfunduar sa më shpejt, e që ky Komision është i pa besueshëm për shkak se kriteret e masës së tij janë edhe qesharake. Madje, edhe tre anëtarë janë tërhequr prej Komisionit, për shkak të konfuzitetit. Mund të themi sigurt se ky rezultat është një kamuflim i ri… Ky Komision ka dhënë një tashmë një version të dështuar, edhe në anën faktike dhe nga gjithë prizmi i saj politik, profesional, gjeografik e kadastral”, tha Lajçi.
Edhe anëtari komitetit të banorëve përreth vijës kufitare me Malin e Zi, Sali Lukaj, thatë se Komisioni për matje të territorit është një formalitet, i cili të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe ish Komisioni i kaluar që kryesohej nga Murat Meha. Andaj, sipas tij, këto rezultate të publikuara dje nga ky Komision janë deklarime për të mashtruar popullin dhe banorët e Rugovës dhe të Pejës. Lukaj bëri me dije se nuk do të lejojnë në asnjë formë që të humbasin Çakorrin.
“Në shumë mënyra do të përpiqemi që tokën tonë mos ta japim, ngase nuk kanë të drejtë se ky vend është larë me gjak. S’ka të drejtë kryeministri Isa Mustafa, e askush me dhënë këtë tokë. Kjo me të vërtet është një ligësi… sepse kanë frikën se kjo qeveri bie nëse nuk realizohet dëshira e tyre për t’ia dhënë tokën Malit të zi”, tha Lukaj.
Nga ana tjetër, dje, kryetari i Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, Hivzi Islami, ka thënë se gjatë konsultimeve me përfaqësues të KFOR-it, është konfirmuar se hartat e KFOR-it që tregojnë linjën kufitare Kosovë-Mali i Zi, janë të njëjta me ato që u janë dorëzuar nga Komisioni Shtetëror. Sipas Islamit puna e Komisionit ishte profesionale dhe plotësisht e pavarur. Ndërsa, ka thënë se madhësia territoriale e Kosovës është 10 mijë e 905 km2, shifra këto që kanë dalë për herë të parë, pasi që matjet janë bërë me teknologji të sofistikuar.
Komentet