Që gazetat shqiptare janë katandisur në ricikluese informacionesh të pavërtetuara dhe agjenci transporti informacionesh të marra nga njëra-tjetra, shpeshherë pa referencën përkatëse, duke i paraqitur sikur janë origjinale, jemi thjesht ndër të shumtit evidentues. Mospërcaktimi i burimit, privatizimi i produktit ose plagjiatura (për të qëndruar në përcaktime të zbutura) është shndërruar në normë dhe në një mundësi mbijetese në tregun mediatik. Kur kjo pastaj aplikohet nga autorë të afirmuar në bursën e opinionistëve, që në versionin digjital pasohen me lëvdata pasionante anonimësh certifikues, nganjëherë dukshëm të së njëjtës penë, atëherë katandisja nis e përfshin jo më informacionin e gazetarinë, por edhe mendimin. Bëhet më e trishtuar nëse plagjuesi ka famën e të angazhuarit në moralizimin e shoqërisë.
Zakonisht banorët e botës së artit ose të spektaklit televiziv, të mësuar me adrenalinën e të qenurit në qendër të vëmendjes, kryejnë veprime e bëjnë zgjedhje që përkohësisht i tejkalojnë aftësitë dhe profesionin. Pak a shumë si shkrimtarët shqiptarë të postkomunizmit që, pasi e kishin ndërtuar atë sistem, përveçse antikomunistë të thekur, u shndërruan në nacionalistë, eseistë, historianë, sociologë, moralistë e klerikë vlerash të munguara të shoqërinë tonë. Pozicioni qendror ne vëmendjen publike ka raste që shndërrohet në kompleks dhe i shtyn të jenë të pranishëm me çdo kusht, edhe duke firmosur mundin e tjetrit.
Me siguri nuk është rasti për poetin Rudolf Marku, i cili tre javë pas Peter Jones pati të njëjtin lexim për Aristotelin, që botoi te Mapo e më pas e mori inercia mediatike. Duam të besojmë që The Spectator ia ka huazuar mendimin para se të hidhej në ndonjë format të ndryshëm nga ai metafizik, duke qenë se koha është kategori e të menduarit e jo realitet fizik, e gjithashtu se shkrimtari Marku, (ashtu si koha), i vlerësuar me çmimet Naim Frashëri, At Zef Pëllumi, PEN, Penda e Argjendtë, i ka neutralizuar barrierat.
Kështu e fillon Marku leximin e tij:
“Në Artin e Retorikës Aristoteli na shfaq edhe njëherë aftësinë e jashtëzakonshme që ka për të na bindur ne, lexuesit, që të biem dakord me idenë që parashtron. Një ide të cilën Aristoteli duket se e ka të preferuar është edhe diskursi mbi karakterin e të riut, karakterin e njeriut në moshë të re, në kundërvënie me fazat e tjera të jetës njerëzore.”
Jones-i ia fillon disi “më ndryshe”:
“In his Art of Rhetoric, Aristotle pinpoints the sorts of thing that can be said on a large number of topics which will encourage your audience to agree with you. One such topic is the character of the young.”
Pastaj Marku e lidh me kontekstin shqiptar – që Jones-it sigurisht i mungon – ku sipas tij:
“Që nga viti 1944, kur Enver Hoxha dhe banda e tij erdhën në pushtet, dhe deri te qeveritarët dhe politikanët e sotëm, në Shqipëri duket se është një mëkat i pafalshëm që të jesh në moshë të thyer, a, thënë ndryshe, të mos jesh i ri në moshë. Shohim përditë udhëheqës, politikanë, ministra, bashkiakë, kryetarë që janë ilustrues të bindjes se mosha e re sjell energji, sjell ide të reja…”
Por pikënisja politike dhe përfshirja e rinisë nuk mungon aspak te Jones-i:
“Jeremy Corbyn says he is very excited about his campaign to become Labour leader because lots of young people are becoming involved in it, which ‘must be a good thing’. Aristotle (384–322 bc) would have his doubts.”
Marku vijon ta argumentojë hipotezën nëpërmjet Aristotelit:
“Në përgjithësi, na thotë Aristoteli, të rinjtë janë impulsivë, optimistë dhe të tërhequr natyrshëm drejt kënaqësive. Përsa i përket dëshirave trupore, të rinjtë janë të prirur më shumë nga të tjerët drejt seksit, aq sa të jenë dhe të pafuqishëm që ta ndalojnë joshjen ndaj seksit dhe epshin që sjell ai. Por duke qenë se të rinjtë në moshë janë të parezistueshëm ndaj dëshirave, por jo të vendosur, epshi i tyre ngopet shpejt. Janë impulsivë, kokëshkretë dhe të gatshëm që të fillojnë veprimin para thirrjes së arsyes. Ngase gjëja më e rëndësishme dhe më e lakmueshme për ta është që të admirohen, nuk presin kohën e duhur dhe çdo vonesë u duket humbje kohe. Zemërohen dhe tërbohen nga mendimi se dikush mund t’i konsiderojë se janë gabim…”
Pothuajse vetëm tre pikat e fundit mungojnë te Jones-i:
“In general, he says, the young are pleasure-loving, impulsive and optimistic. Of the desires of the body, he says, they are keenest on sex, and powerless against its demands. But since they are keen rather than determined, their lust is quickly satisfied. They are impulsive, hot-tempered and follow it up with action. Because being admired is very important to them, they cannot bear to be belittled, and get angry if they think they have been wronged.”
Marku zgjerohet me një paragraf mbi dy këto cilësi dhe menjëherë rikthehet te rinia:
“Ç’është e vërteta, na thotë filozofi grek, të rinjtë nuk janë dhe aq të interesuar për para, sepse, duke qenë të mbështetur nga prindërit, kurrë nuk e kanë ndjerë nevojën e parasë. Janë më pak cinikë nga moshat e mëvonshme, sepse nuk kanë kaluar ende nëpër aso lloj zhgënjimesh dhe ligësish që e kthejnë njeriun në cinik, dhe përgjithësisht janë naivë sepse ende nuk kanë kaluar nëpër përvojën e gënjeshtrave dhe të batakçillëqeve.”
Praktikisht Jones-i i arnuar:
“They are not especially interested in money, because they have never needed it; they are not cynical, never having experienced much wickedness; they are naive, never having been deceived very often; and optimistic, never having experienced much in the way of failure.”
Pjesën e fundit të paragrafit të Jones-it, “and optimistic, never having experienced much in the way of failure”, Marku ia lexon Aristotelit (e kujt tjetër?) në krye të një paragrafi tjetër:
“Për më tepër janë optimistë, sepse nuk kanë pasur kohë që t’i njohin dështimet. Por, dhe këto cilësi që duken pozitive, për Aristotelin janë të dëmshme kur transplantohen në politikë dhe udhëheqësi.”
Këtu Jones-i citon direkt Aristotelin:
“For the most part, Aristotle continues, they live in hope, ‘since hope is for the future, but remembrance for what has passed, and at the beginning of life, the past is short but the future long’.”
Po kështu edhe Marku fillon me thonjëzat e një citimi:
“Përgjithësisht, na siguron Aristoteli, të rinjtë jetojnë me shpresë, “ngaqë shpresa është për të ardhmen, por jo për ata që kanë kujtesën e asaj që ka kaluar…”
Që, ndryshe nga Jones-i, i vazhdon më gjatë, duke nënkuptuar se mund të jetë fragment i Aristotelit (!):
“Dhe ata që shpresojnë shpejt, janë të parët që mund të gënjehen shpejt. Shpresa i bën që të jenë konfidentë dhe guximtarë, sepse duke qenë pasionantë, nuk kanë frikë. Por, dhe aq sa të mos kenë frikë se mos gënjehen.”
Por në fakt po citon dhe arnon Jones-in, gjithmonë nëse ky nuk është cituar nga vetë Aristoteli një herë e një kohë:
“So because they easily hope, they are easily deceived, but they are more courageous too: for their passion prevents them fearing, while their hope inspires them with confidence.”
Këtu, ku mbyllen thonjëzat, Jones-Aristoteli dhe Marku janë si dy pika ujë:
“Duke qenë se mendojnë se i dinë të gjitha, janë kokëfortë”.
“Thinking they know everything, they are obstinate.”
Edhe bën vaki që Aristoteli të prodhojë lexime identike, por i duhet thënë edhe atij komentuesit (ose komentueses) të gjorë të gazetës, që shprehet “nje shkrim i denj per emerin e Rudolf Markut. Mirenjohje poetit tone”, se është pak më shumë “i denj” për Jones-in, e me siguri vetëm për të, nëse vlen ndonjë rregull etike. Kjo meqenëse jemi edhe tek Aristoteli, e aq më tepër kur vullneti i Markut në gjithë këto vite angazhim publicistik ka qenë përcjellja e sadopak vlerave perëndimore në shoqërinë tonë anadollake. Por ja që, nganjëherë, prej andej vjen edhe vesi./postbllok.com
Komentet