Në fokus “ANTOLOGJIA” E MARKUT MONUMENT I NJË MARRËZIE!
Poeti shqiptar, Rudolf Marku, na e kish përgatitur një “antologji të poezisë moderne shqipe” me titull VESHUN ME DIELL, MBATHUN ME HANË, antologji kjo që u kritikua tepër shumë, madje pati edhe propozime intelektuale, akademike e krijuese që, kjo “vepër” sa më parë të tërhiqet nga qarkullimi! Çuditërisht, asnjë zë shqiptar institucional nuk doli ta mbrojë Markun nga kritikat shumë objektive që e vunë në tapet dhe ia zbërthyen tërë qëllimin anti-estetik!
Rudolf Marku, natyrisht, në një shkrim paçavure të veten ishte munduar që t’i hedhë të gjitha këto kritika, t’ua mohojë akademizmin personaliteteve nga Kosova, Maqedonia e Veriut e diaspora, si dhe t’i padisë të gjithë si të paaftë për ta lexuar dhe për ta kuptuar “veprën” e tij!
Në fakt, shkrimi vetëmbrojtës ishte më tepër një truk naiv i Rudolf Markut për ta orientuar gjetkë kritikën si dhe për t’i nënvlerësuar dhe paraqitur si të padenjë të gjithë intelektualët shqiptarë jashtë Shqipërisë për ta kritikuar, sepse asnjëri prej tyre nuk e kupton poezinë shqipe siç po na e kuptuaka Rudolf Marku!
Rudolf Marku i sulmon si të paaftë për të lexuar dhe për të shkruar shqip, do me thënë, si “popull tjetër” që nuk ka lidhje (as gjeografike e as kulturore) me shqipen dhe me poezinë e Shqipërisë! Prandaj, ai na i paska përzgjedhur poezitë që rrjedhin bukur në shqip dhe që lexohen pa problem në shqip!
Nëse lexohen me kujdes kritikat që u publikuan nga krijues e akademikë të Kosovës, nga intelektualët dhe krijuesit nga Maqedonia e Veriut dhe nga diaspora, fare lehtë do të vërehet se aty askush nuk merret me materien, por me keqpërdorimin e materies nga ana e Rudolf Markut dhe me synimet e tij politike që nuk dallojnë për asnjë milimetër nga politikat shekullore serbe dhe maqedonase! Pra, nuk është problem poezia shqipe e gjenive të poezisë që janë përfshirë në “antologji”, porse problem është Rudolf Marku, i cili nën rreshta e pranon se nuk e njeh (sepse nuk e ka lexuar, ose nuk e ka kuptuar) poezinë që krijohet përtej kufijve të Shtetit Amë dhe se as që i intereson ta njohë një poezi që nuk është moderne, me “një shqipe të kulluar”, siç është poezia që krijohet në Shqipëri!
Rudolf Markut duhet dikush t’ia thotë se në Shqipëri ka pasur dhe ka individë që e kultivojnë mjeshtërisht poezinë shqipe, por ama në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut ka shkollë të poezisë shqipe dhe nga ato shkolla kanë dalë qindra poetë, të cilët as që e bëjnë hesap poezinë e Rudolf Markut! Dhe, të mos përfshihen bartësit dhe nxënësit e këtyre shkollave të poezisë shqipe në një antologji, është krim kombëtar kulturor!
Po, në tërë atë vërshimë kritikash është mbërthyer vetëm Rudolf Marku, përpiluesi i “antologjisë”, i cili më tepër na del me fatin e gomarit me samar të thyer! Për mosrehati goditet gomari dhe jo samari! Kursim kundrejt institucioneve kombëtare nga ana e akademikëve dhe intelektualëve shqiptarë është i tepruar dhe jo i sinqertë! Rudolf Markut i është dhënë rasti që ta shpreh angazhimin e vet intelektual për të qenë në një vijë me politikat serbo-sllave, të cilët këmbëngulin se shqiptarët e Shqipërisë janë popull më vete, me kulturë dhe me letërsi që nuk ka asgjë të përbashkët me shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera etnike! Akademikët është dashur të ngrenë zërin kundër institucioneve kombëtare që ia kanë mundësuar këtë “ëndërr” Rudlf Markut! Nën çdo nivel kombëtar janë institucionet kombëtare që e financuan, që e botuan dhe që e promovuan këtë “antologji”! E drejtë absolute e çdo individi është që të shesë mjegull e të fusë përçarje, të shpreh simpati për politikat jokombëtare dhe praktikisht të tradhtojë, por ama është gafë e çdo institucioni kombëtar që do të qëndrojë prapa një skuthi të tillë! Madje, duhet të ketë edhe përgjegjësi kombëtare!
Rudolf Marku ishte munduar t’i ikë përgjegjësisë duke na mbajtur “një ligjëratë” mbi poezinë moderne, duke cituar e përmendur emra poetësh botërorë çfarë ata kanë thënë për poezinë dhe si e kanë shkruar ata, të cilën ai e gjen te poetët shqiptar që i ka në “antologji”! Shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera etnike duhet ta këshillojnë vëllazërisht Rudolf Markun: eja ca muaj (mbase i duhen edhe vite!) në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut dhe mësoje pak poezinë shpirtërore, sepse ke ngelur në poezinë libreske që të motivon edhe në të tilla gafe si “antologjia” jote që do të ngelë monument i një marrëzie të veçantë!
/HEJZA/