(Kjo intervistë është dhënë me rastin e 10 vjetorit të vrasjes të Azem Hajdarit)
Një ditar me çelës. I ati ia dhuroi për vitin e ri. I fundit vit me Azemin. Dikush e la pa baba në moshën 11-vjeçare. Rudina mban mend përqafimin e fundit me të atin. E ëma, Fatmira, s’e la ta shihte të vdekur. Duhej ta mbante mend vetëm të gjallë. Ndaj nuk i urreu dot ata që i vranë babin, sepse ishte një fëmijë që s’dinte çfarë ishte urrejtja. Sot, Rudina është e rritur. E gjeta tek porta e hyrjes së shtëpive teksa kthehej nga gazetashitësi. Në dorë mbante një dëng me shtypin e ditës. E qeshura në fytyrën e njomë që i është dashur të laget nga lotët në një moshe fare të re, të drejton drejt dhomës së pritjes. Pultin e televizorit e fikson tek lajmet politike të ditës. Reflekton hijen e të atit, shtatlartësinë e tij, pse jo dhe çiltërsinë që e karakterizonte atë, njeriun e madh, që arriti të krijonte në kohën më të vështirë, miticizmin. Dhe e bija, Rudina, tashmë një zonjushë e vërtetë, që prej shtatë vitesh studion në Amerikë, drejt së cilës do të udhëtojë sot, rrëfen për “standard”, dhimbjen e ikjes së babit, çastet e vështira, kujtimet më të paharruara dhe si gjeti forcën për të mos e lënë dhimbjen që ta mundë që fëmijë të vogël. Të gjitha nisi t’i hedhë në një ditar. Ato vargjet e dhimbjes, me idenë se në një të ardhshme të shpejtë do të shkruajë dhe një libër për të atin. Pse jo dhe të ndjekë rrugën e tij në politikë. Studimet për marrëdhëniet ndërkombëtare në një nga universitetet e SHBA-së janë fillesa e kësaj rruge. Por sot në moshën 21-vjeçare, thotë se ka mall…
Rudina, ç’ne që ke blerë sot gjithë këto gazeta?
(Qesh). Më pëlqen të jem në kontakt me informacionin, pasi edhe shkolla që bëj ka të bëjë pikërisht me këtë gjë. Më duket sikur e kam një lloj detyrimi. Por ndjekja e lajmeve dhe leximi i gazetave më ka mbetur dhe nga familja, prej babit ngaqë merrej me politikë. Nga ana tjetër duke u rritur, jam bërë dhe më kureshtare për gjërat që dua t’i njoh, të jem në kontakt me atë çfarë ndodh çdo ditë. Megjithatë, sot gazetat i bleva sepse kanë shkruar për babin.
Për çfarë studion në Amerikë?
Studioj në Nju Jork në universitetin “Fordam” për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Tani në shtator hyj në vitin e katërt. Unë kam shkuar në Amerikë në moshën 14 vjeçe dhe shkëputja ime me Shqipërinë ishte në një moshë shumë të vogël, të brishtë dhe për mua fillimi ishte shumë i vështirë. Por isha në gjendje të përshtatesha shpejt me kulturën amerikane, ku arrita të krijoj shoqëri amerikane. Në Tiranë vij gjatë pushimeve të verës, edhe për vitin e ri, pasi më mungon shumë familja ime, të afërmit e mi, shoqëria ime këtu.
Zgjedhje e kujt ishte studimi për Marrëdhënie Ndërkombëtare?
Ishte zgjedhja ime, sepse mendoj se ca gjëra janë të trashëguara gjenetikisht edhe nga im atë. Them se për këtë kam më shumë prirje dhe e gjej veten shumë rehat në këtë drejtim. Marrëdhëniet ndërkombëtare më pëlqejnë shumë dhe mendoj të kontribuoj në këtë fushë.
Megjithatë ju tani duhej të ishit në Amerikë, pasi viti shkollor ka filluar atje. Pse kjo vonesë?
Po, realisht duhej të kisha filluar vitin e ri shkollor, por fakti që këtë vit babi ka përvjetorin e 10-të, unë duhej të isha këtu pranë familjes sime. Nuk kam mundur vitet e tjera, pasi çdo 12 shtator më gjente në Nju Jork, ndaj këtë herë mendova ta shtyj udhëtimin tim. Kam 7 vjet atje, pasi edhe gjimnazin e kam kryer në Amerikë dhe gjykova se këtë herë duhej të isha këtu.
Dhe fakti se këtë përvjetor ishe në Tiranë, besoj se për ty ka qenë më emocionues?
Kur jam atje, ia ndjej mungesën babit. Kur jam këtu gjërat janë më emocionuese, sepse gjithçka përreth meje ka të bëjë me babin tim. Doja të isha e pranishme në këtë përvjetor, pasi çdo gjë këtu me kujton babin tim.
Gjatë ceremonive zyrtare gjatë këtyre ditëve takuat edhe ish-miqtë e babit në politikë, apo jo?
Po aktivitetet që u organizuan me këtë rast na dhanë këtë mundësi. Sidomos me z. Berisha, i cili më reflektoi babin kur e takova. U tregua shumë i dashur me mua, më pyeti dhe për shkollën dhe si vete me studime. Po ashtu edhe Genc Pollon. Babi im ka qenë shumë shokë me të. Jozefina po ashtu u tregua e dashur tek ceremonia në Presidencë. Edhe Presidenti Bamir Topi. Më takuan pothuajse të gjithë dhe u ndjeva mirë mes tyre. Por unë aty isha për babain tim dhe të jesh mes njerëzve që e vlerësojnë atë është krenari për mua. U ndjeva shumë mirë.
Si ndiheni kur të tjerët ju thonë vajza e Azem Hajdarit?
Unë jam me fat që jam vajza e tij. Jam krenare për këtë. Por nuk më pëlqen të më thonë kjo është vajza e Azemit. Kjo më ndodh edhe në Amerikë me shqiptarët që jetojnë atje. Dua të kem identitetin tim dhe gjërat t’i arrijë vetë, jo nisur nga emri i babit. Aktualisht jam e pavarur aty ku jam dhe i përballoj gjërat vetë. Shkoj shumë mirë me mësime dhe kjo është meritë e imja dhe e askujt tjetër.
Mirëpo seç kam përshtypjen që pas studimeve do të ndiqni rrugën e babait…
E ardhmja është shumë vështirë për t’u parashikuar, por ajo që mendoj tani janë studimet që t’i mbyll me rezultatet sa më të mira, pasi jam në vitin e fundit të universitetit. Aktualisht imediate për mua janë studimet dhe të plotësohem nga ana intelektuale, me qëllim që të kontribuoj për Shqipërinë. Dijet që do marr në universitet dua t’i investoj këtu në vendin tim dhe jo jashtë shtetit.
Rudina çfarë kujton nga nata e vrasjes së Azemit?
Isha vetëm 11 vjeçe atëherë. Atë natë e kishim lënë të pinin një kafe të gjithë bashkë dhe babi na mori në telefon dhe na tha të shkonim tek selia e PD-së. Vajtëm atje bashkë me mamin e me Kirin. Babi erdhi, zbriti nga zyra. Na takoi dhe na tha të uleshim përballë tek lokali dhe dukej shumë i lumtur, pasi atë ditë kishte zhvilluar një miting në Fier dhe gëzimi i tij ndikoi shumë edhe tek ne. Sepse i tillë ishte babi, sikur të impononte të qeshurën, gëzimin. Pasi pimë kafen, ne u kthyem në shtëpi që të tre, kurse babi u kthye sërish në seli.
Cilat ishin fjalët që ju tha teksa po ktheheshit në shtëpi, ndërkohë që ai do qëndronte akoma tek PD-ja?
Mbaj mend që kur zbriti në oborrin e PD-së, unë vrapova drejt tij dhe po e përqafoja fort. S’e dija që ai ishte përqafimi i fundit me të. Dukej shumë i lumtur. Edhe në tavolinë reflektonte gëzim. Po fliste me entuziazëm edhe për mitingun e Fierit. Pastaj u ngritëm dhe na tha ikni në shtëpi, pasi do vonohem dhe pak dhe do vij edhe unë në shtëpi. Më puthi mua, më tha shpirt i babit dhe u ndamë me të.
Dhe çfarë ndodhi pastaj?
U kthyem në shtëpi. Mami po përgatiste darkën dhe diku rreth orës 9 të darkës, dikush e telefonoi dhe i tha: “Hapni radio “Kontaktin” se diçka i ka ndodhur Azemit”. Nuk i kishte thënë se e kanë vrarë. Unë s’po kuptoja fillimisht asgjë, sepse isha në moshë shumë të vogël. Mami vajti me nxitim të hapte radion dhe aty jepej lajmi se kanë vrarë Azem Hajdarin. Por mua m’u duk e pabesueshme, pasi ishte thjesht një zë që dilte nga radioja dhe nuk ishte shumë i besueshëm.
Por që gjithsesi ishte një lajm i vërtetë…
Për fatin tonë të keq po. Ishte një goditje e rëndë për ne të gjithë. Dhe mendimi i parë i imi dhe Kirit ishte që ta qetësonim mamin, pasi ajo ishte 7-muajshe shtatzënë, duke i thënë që nuk është e vërtetë. Kishim shumë frikë nga tronditja e saj dhe i ndenjëm shumë afër. Por mua personalisht për momentin nuk m’u duk real lajmi që po dëgjonim. Shpresonim në një lajm të dytë, prisnim një telefonatë tjetër që të na thoshte se nuk ishte e vërtetë. Por nuk ndodhi kjo gjë. Më vonë nisën njerëzit të vinin për të na qëndruar pranë dhe kjo e bëri dhe më reale gjendjen. Është e vështirë t’i përshkruash ato çaste. Janë më të dhimbshmet e jetës sime.
Dhe më pas do vinte momenti kur trupin e pajetë e sollën në shtëpi… Si e kapërcyet këtë çast?
Pasi ndodhi tragjedia në shtëpinë tonë, mami na ndau veç mua dhe Kirin në një dhomë tjetër dhe na tha: “Është më mirë që ju të dy të mos e shikoni babin e vdekur. Dua ta kujtoni vetëm të gjallë…”. Edhe tani që flasim bashkë nuk e besoj që babi im nuk jeton më. Babin tim e pash të vdekur vetëm të nesërmen në faqet e gazetës. Ajo foto më frikësoi dhe nuk kam dashur ta shoh më kurrë. Por kur pashë gjithë ata njerëz në shtëpi, solidaritetin e qytetarëve, kuptova se sa i rëndësishëm ishte babi im dhe çfarë ndikimi kishte ai tek njerëzit. Kuptova se ishte njeri i jashtëzakonshëm, me vlera të jashtëzakonshme. Të paktën kjo na bënte të ndjeheshim mirë.
Megjithatë pas ikjes së babit, pas dy muajsh erdhi në jetë Azemi i vogël. Dhimbjen e treti gëzimi në familje.
Po. Ishte një gëzim i madh për familjen tonë. Nuk e dinim që do të ishte djalë, pasi mami s’kishte dashur ta dinte para se të lindte. Dhe kur lindi djalë, ishim shumë të lumtur, pavarësisht se unë doja të ishte vajzë, që të kisha dhe një motër. Por fakti që babi nuk jetonte më, lindja e Azemit, ishte një mrekulli. Na plotësoi babin, pasi ne mbetëm sërish 4 veta në familje, ndonëse donim që Azemi i vogël të ishte i pesti. Megjithatë, mbeti prapë numri 4 në familjen tonë. Ndjemë gëzimin që kishim humbur që nga ikja e babit, pasi Azemi i vogël na kënaqte me gjestet e tij. Duke qeshur, na sillte një atmosferë të gëzuar në familje, gjë që kishte munguar që nga 12 shtatori. Kështu që ishte një dhuratë nga Zoti.
Cili është kujtimi më i bukur që keni nga babi?
Për vitin e ri babi më dhuroi një ditar, i cili ishte me çelës. Në faqen e parë më shkroi: “Këtë ditar ia dhuroj vajzës sime”. Ishte dhe një dedikim i vogël. Që atëherë jam kujdesur për këtë ditar si një gjë të shtrenjtë, që ma la im atë. E mbaj gjithnjë me vete, pasi më ngjan sikur me mua është dhe një pjesë e babit tim.
Çfarë shkruat më pas në fletët e atij ditari?
Shkruaja për ditët e mia pa babin. Madje, kam shkruar edhe poezitë e mia në këtë ditar. Dhe pikërisht kur ndodhi dhe tragjedia e 12 shtatorit.
Keni shkruar poezi për babin?
Po, po. Janë disa. I mbaj në ditarin tim.
Këto vjersha janë shenja e parë e të shkruarit të një libri vetëm për Azemin?
Ndoshta. Gjithçka i përket së ardhmes. Vjershat e para për të i shkrova me emocione, edhe duke qarë, pasi nuk doja që të tjerët të shikojnë lot në sytë e mi. Jam me fat që isha një fëmijë i fortë.
Çfarë pëlqenit më tepër tek Azemi?
Dashurinë që tregonte për ne familjen e tij. Më i afrueshëm ishte me mua në veçanti. Emrin tim thërriste më shpesh nëpër shtëpi apo kudo që të ishim. Ndoshta dhe ngaqë emrin tim e kishte lënë amanet gjyshja ime nga babi, pasi i kujtonin rudinat në Tropojë, lëndina të bukura të mbushura plot me lule.
Dhe për çfarë të ka marrë malli më shumë?
Për përqafimet e tij të pafundme. Për puthjet atërore. Janë më të ngrohtat… të mbushura plot dashuri. (Ndalon bisedën dhe qan).
Rudina dikush të la pa baba, jetime në moshën 11-vjeçare. A ndjen urrejtje në shpirt për atë që i mori jetën Azemit?
Jo. Nuk kam urrejtje, edhe pse më shkaktoi dhimbjen më të madhe të jetës sime bashkë me familjen time. Atë natë që vranë babin, unë sapo kisha mbushur 11 vjeç. Pra, isha fëmijë dhe nuk mund të urreja, pavarësisht asaj që na shkaktuan. Një fëmijë nuk di të urrejë. Nuk ka vend urrejtja tek një fëmijë.
Cili është ai veprim që keni vlerësuar më shumë tek ai?
Mbaj mend kur erdhën kosovarët e parë në Shqipëri, që iknin nga lufta me serbët, babi u bë shumë keq. Ato ditë ai sikur mbante një shqetësim brenda vetes, derisa një natë na tha të gjithëve se do të merrte disa kosovarë në shtëpi. Të gjithë reaguam shumë mirë dhe kjo e entuziazmoi edhe më tepër. Vendin e trishtimit tek babi e zuri gëzimi kur morëm kosovarët në shtëpi. Sillej me ta sikur kishte vite që i njihte. E habitshme ishte se babi gjente kohë për të gjithë ne. Ishte një njeri shumë i dashur, si me ne të familjes, si me mysafirët e rinj, ashtu dhe me ata që takonte çdo ditë.
Dhe momenti më i bukur me babin?
Ishim me pushime në Durrës, të cilat për fatin e keq ishin të fundit me babin. Ishte data 16 gusht, pak ditë para se ta vrisnin. Unë atë ditë kisha ditëlindjen dhe babi do vinte nga Tirana në Durrës, për ta festuar të gjithë bashkë. Kisha ftuar dhe shoqërime time. Kur erdhi babi iu hodha në qafë dhe e puthja kur më hapi dhuratën. Ishte një kukull e vogël që më ngjante shumë mua. Babi kishte kërkuar nëpër disa dyqane, derisa kishte pikasur atë që përafronte me pamjen time. Diçka që do i dukej si më e përshtatshmja për mua. Dhe në të vërtetë ishte gjë shumë e bukur, ishte shumë e veçantë, pasi ideja e tij ishte që unë ta mbaja gjithnjë dhe ta ruaja edhe kur të rritesha. Dhe e kam ruajtur me shumë kujdes. Ndonëse më ngjan mua, ajo kukull më kujton babin që e kam dashur shumë.
Por që pas 27 ditësh atë e vranë. Gjatë atyre ditëve, a shfaqte ndonjë shenjë mërzie apo ankthi?
Jo, jo. Di vetëm që ato ditë ishte shumë i zënë me punë. Edhe pushimet nuk arriti t’i bënte të plota me ne në Durrës. I bënte vajtje-ardhje nga Tirana, pasi thoshte se kishte shumë punë. Edhe telefonatat mbaj mend që ishin të shpeshta kur vinte të na takonte. Nuk i pushonte telefoni. Kishte dhe njerëz që vinin e takonin në Durrës, ku pushonim. Por kohën që ishte me ne nuk reflektonte shqetësim tjetër përveç punës që kishte në politikë.
Fliste për çështje politike në shtëpi?
Jo. Rrallë. Na pyeste për shkollën mua dhe Kirit. Na plotësonte dëshirat që kishim. Dilte me ne në darka, sidomos pasi kishte pak kohë më të lirë. Pastaj nuk mund të shmangte gjithsesi edhe çështjet politike, pasi në shtëpinë tonë dëgjoheshin të gjitha lajmet, lexoheshin gazetat. Në një farë mënyrë unë dhe Kiri u rritëm me to.
Rudina është e vështirë që një vajzë të rritet pa baba?
Është shumë e vështirë. Më është dashur në një moshë fëminore që të bëhem e fortë, madje t’i jap kurajë dhe mamit kur dëgjuam lajmi e ikjes së babit, pasi siç e thashë dhe më lart gjatë bisedës ajo ishte shtatzënë, 7-muajshe. Megjithatë më duket sikur babi jeton çdo ditë me ne, është pranë nesh në çdo moment të jetës. Nuk dua të përmend kurrë fjalën vdekje, sepse edhe sot nuk më besohet që ai ka vdekur. Kanë qenë këshillat e tij që kur të rritem të përballem me çdo vështirësi të jetës. Ndonëse askush nga ne s’e kishte menduar këtë lloj vështirësie. Por që gjithsesi them se jam treguar e fortë, gjë të cilën do ta bëj edhe në vijimësi, pasi babi donte që të ecja në jetë dhe të shikoja vetëm përpara, drejt së ardhmes. Ndaj them se prezenca e tij është gjithnjë afër meje. Jetoj me të çdo çast të jetës sime.
Nëse do të jetonte sërish, çfarë do doje t’i thoshe babit tënd?
T’i tregoja se ja ku jam tani, që jam rritur, që vazhdoj studimet në atë vend ku na çoi të gjithë familjen dhe dukej qartë se dëshira e tij ishte ndoshta të bëja një universitet amerikan. Jam ajo që babi ka dashur, sidomos studimet e mia në SHBA. Kam mall gjithsesi për të. Më mungon shumë babi…
Çfarë i mbeti Rudinës peng, që nuk i tha babit?
Do doja të bëja shumë biseda me të. Fakti që isha fëmijë, nuk mund të bëja biseda serioze me babin. Tani që jam rritur është më ndryshe. Do të doja ta kisha pranë dhe të flisja pa fund me të për gjithçka e për çdo gjë. Më mungojnë këshillat e tij.
Poezi
Rudina Hajdari
Babi im, hero i demokracisë
O ditë e shtunë, ditë e mallkuar,
Me thikë në zemër më kanë qëlluar.
Një krismë u ndje në shpirtin tim,
Për babin, për babin tim.
Një kujtim më mbetet nga babi im”
“njeriu nuk është jetim me demokracinë.
Po të isha pa baba, e pa demokraci,
Atëherë do të isha vërtet jetim.
Për babin tim po vajton
Shqipëria, Kosova dhe Çamëria.
12 shtator ditë e zezë
Çdo njeri hap radio “Kontakti”,
Ka ndërruar jetë Azem Hajdari
Iku zemra e çdo shqiptari.
U dridh një mal,
U thye një shkëmb,
Ditë të zeza po kalojmë,
Në sytë e mia
Lot po pikojnë,
Zemra bën të mendojë
Babit tim, një vjershë t’ia kushtojë.
Për ty poezia s’mbaron kurrë
Ishte trim i vërtetë,
Po e mbyll këtë poezi
Me dy pika lot në sy…
Babi im…
Aty pranë memorialit të tij,
Ulem. Gjithçka më kujtohet
Kur isha e vogël
E kapja
E shtrëngoja
Buzët e tij viheshin në gaz
Nga goja e tij
Rridhte fjala:
Rudina ime e dashur,
Kur të rritsh më kujto
E kurrë mos më harro.
Dua të qaj
Por nuk qaj dot,
Lotët e mia janë tharë.
Dua të urrej njeriun që ka vrarë
Por nuk urrej dot
Jam fëmijë dhe nuk dua ta di
Ç’është urrejtja në këtë gjithësi.
Kjo letër e bardhë është mbushur me lot
Këtë poezi
S’mund ta mbaroj dot.
Komentet