ARISTIR LUMEZI/ Deputetja demokrate, Rudina Hajdari, mbrëmë ka thyer heshtjen dhe ka paralajmëruar mbajtjen e mandatit të deputetit, duke dalë kundër vendimit politik të Partisë Demokratike.
Përmes një statusi në “Facebook”, zonja Hajdari, vajza e themeluesit të PD-së, Azem Hajdarit, shprehet se për lënien ose jo të mandatit të deputetit është konsultuar me personalitete të njohura politike të BE-së dhe SHBA-ve. Të gjitha kancelaritë perëndimore, SHBA, BE dhe vendet anëtare të saj kanë reaguar ashpër ndaj dorëzimit të mandateve të deputetëve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në reagimin e saj të parë që pas vendimit të PD-së, për shkak se ndodhej jashtë shtetit, zonja Hajdari shprehet se lënia ose jo e mandatit të deputetit është një vendim individual.
“Gjatë kësaj periudhe jam konsultuar me personalitete politike të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësues të aleatëve më të çmuar, seriozë e të vendosur në rrugën e vështirë të kombit tonë, që nga shpallja e pavarësisë, rrëzimi i regjimit komunist e më tej në proceset transformuese të zhvillimit ekonomiko-social dhe të integrimit euroatlantik. Mandatin e deputetit nuk e kam konceptuar kurrë si ‘një mjet të interesit vetjak’, i cili nuk duhet dorëzuar kurrsesi”, shkruan deputetja demokrate. Sipas saj, vendimet që ajo merr i bazon dhe në historinë politike të familjes së saj.
“Është e natyrshme që historia ime familjare ndikon sa në sjelljen time politike, aq edhe në perceptimin publik të saj. Kushtetuta e Shqipërisë e ka përcaktuar ‘heqjen dorë nga mandati’ të deputetit si vendim individual, pavarësisht kësaj unë nuk e ndiej veten aspak të shkëputur nga Grupi Parlamentar i PD-së dhe nga misioni i saj. Për shkak të karakterit dhe formimit tim, ‘vendimet’ i kam vlerësuar gjithnjë fort, duke iu kushtuar kohën, analizën dhe vëmendjen e duhur dhe ky rast është një ndër më të rëndësishmit”, shprehet Hajdari.
PROTESTA
Por deputetja demokrate i kujton lidershipit të PD-së se ishte ajo që kërkoi të dorëzonte mandatin e deputetit gjatë protestave njëmujore të studentëve, ndërsa për momentin e tanishëm e sheh këtë vendim kolektiv me shumë risqe. “Nuk ka kaluar kohë shumë e gjatë nga 8 dhjetori 2018, kur shpreha gatishmërinë time të sinqertë për të lënë mandatin e deputetit e për t’u bashkuar me studentët për kauzat e kombit, ‘për ndërtimin e një sistemi të vërtetë demokratik në Shqipëri’, por ky propozim ishte në një kontekst komplet të ndryshëm nga ai që është tani.
Bëhej fjalë për sakrificë politike individuale për t’iu ardhur në ndihmë studentëve në kauzën e tyre dhe jo për vendim kolektiv, i cili pritet të ketë risqe”, shprehet deputetja demokrate. Duke përfunduar këtë reagim, deputetja demokrate shprehet se qëndrimin e saj përfundimtar do ta bëjë publik shumë shpejt, por shton se do të jetë pranë demokratëve, pavarësisht vendimit që do të marrë. “Ju lutem të më mirëkuptoni, se nuk kam mundur të shprehem për këtë çështje prej mbrëmjes së të premtes që jam kthyer, për shkak të disa problemeve shëndetësore. Qëndrimin tim do ta bëj publik shumë shpejt. E kam shumë të qartë misionin tim si person politik, por edhe si qytetare, do të jem gjithmonë e rreshtuar përkrah me demokratët, të rinjtë, studentët dhe qytetarët shqiptarë, në interesin kombëtar për një Shqipëri demokratike dhe europiane”, shprehet në reagimin e parë të saj zonja Hajdari, pas dorëzimit të mandateve të deputetëve të PD-së.
Deklarata e plotë e Rudina Hajdarit
Është e natyrshme që historia ime familjare ndikon sa në sjelljen time politike aq edhe në përceptimin publik të saj.
Kushtetuta e Shqipërisë e ka përcaktuar “heqjen dorë nga mandati” të deputetit si vendim individual, pavarësisht kësaj unë nuk e ndiej vetën aspak të shkëputur nga grupi parlamentar i PD dhe nga misioni i saj.
Për shkak të karakterit dhe formimit tim, “vendimet” i kam vlerësuar gjithnjë fort duke i’u kushtuar kohën, analizën dhe vëmendjen e duhur dhe ky rast është një ndër më të rëndësishmit.
Për këtë, gjatë kësaj periudhe jam konsultuar me personalitete politike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësues të aleatëve më të çmuar, seriozë e të vendosur në rrugën e vështirë të kombit tonë, që nga shpallja e pavarësisë, rrëzimi i rregjimit komunist e më tej në proçeset trasformuese të zhvillimit ekonomiko-social dhe të integrimit euro-atlantik.
Mandatin e deputetit nuk e kam konceptuar kurrë si “një mjet të interesit vetjak i cili nuk duhet dorëzuar kurrësesi”.
Nuk ka kaluar kohë shumë e gjatë nga 8 dhjetori 2018 kur shpreha gaditëshmërinë time të sinqertë për të lënë mandatin e deputetit e për t’u bashkuar me studentët për kauzat e kombit, “për ndërtimin e një sistemi të vërtetë demokratik në Shqipëri”, por ky propozim ishte në një kontekst komplet të ndryshem nga ai që është tani. Bëhej fjalë për sakrificë politike individuale për t’iu ardhë në ndihmë studentëve në kauzën e tyre dhe jo për vendim kolektiv i cili pritet të ketë rrisqe.
Ju lutem të më mirëkuptoni se nuk kam mundur të shprehem për këtë çështje prej mbrëmjes të së premtes që jam kthyer për shkak të disa problemeve shëndetësore. Qëndrimin tim do t’a bëj publik shumë shpejt.
E kam shumë të qartë misionin tim si person politik por edhe si qytetare, do të jem gjithmonë e rreshtuar përkrah me demokratët, të rinjtë, studentët dhe qytetarët Shqiptarë në interesin kombëtare për një Shqipëri demokratike dhe Evropiane.
Komentet