Ben Blushi dhe Gramoz Ruçi debatuan dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist për mandatin e kryetarit të PSsë, ndërsa Edi Rama nuk ka ndërhyrë.
Mbledhja e Grupit Parlamentar Socialist nuk u ka shpëtuar debateve, të cilat ditët e fundit ishin bërë vetëm në media me argumente dhe kundërargumente për zhvillimin e zgjedhjeve në PS për kreun e partisë.
Edhe pse Blushi i është drejtuar kreut të PS-së, i cili ishte prezent në mbledhjen e djeshme, duke i kërkuar hapjen e garës në kongres, ku kandidatët të prezantojnë platformat e tyre, ai e ka marrë përgjigjen nga Gramoz Ruçi dhe askush tjetër nga deputetët dhe ministrat nuk është përfshirë në debatin mes tyre.
Që në fillim të mbledhjes së Grupit Parlamentar, Blushi e ka cilësuar mungesën e zgjedhjeve për kreun e PS-së si një mungesë të demokracisë së brendshme në parti.
“Si ka mundësi që në partinë tonë zhvillohen zgjedhjet në të gjitha nivelet organizative, që nga kryetari i organizatës e deri tek asambleja dhe kryesia qendrore e nuk zgjidhet kryetari? Përse nuk bëhet kjo zgjedhje? Të na i thotë kryetari troç, nuk dua të bëhen zgjedhjet dhe arsyet pse”, mësohet të ketë thënë Blushi në mbledhjen e grupit.
Si drejtues i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi i ka kujtuar deputetit socialist se kreu i PS-së është konfirmuar dy herë me fitoren e zgjedhjeve parlamentare dhe atyre vendore në 2015-n dhe kongresi do të jetë vetëm një konfirmim i mandatit të tij. Ruçi i është referuar modelit laburist se kur partia fiton zgjedhjet, automatikisht konfirmohet edhe mandati i kryetarit.
“Do të jetë kongresi i partisë i 19 marsit që do të bëjë konfirmimin e mandatit të kryetarit dhe nuk do të ketë nevojë për proces zgjedhor për kryetarin”, mësohet të jetë përgjigjur Ruçi. Por kjo përgjigje e kreut të grupit nuk e ka kënaqur Ben Blushin, i cili, edhe pse i ka kujtuar se debatin nuk e ka me Ruçin, nuk ka marrë asnjë reagim nga Edi Rama që ndiqte në heshtje diskutimin.
“Ne kemi një statut që e kemi ndryshuar dhe miratuar me vullnetin tonë të plotë, por nuk mund të pranoj që ky statut të zbatohet sipas nivelit të humorit të kryetarit. Statuti është Kushtetuta e partisë dhe ai zbatohet pa interpretime”, mësohet të jetë përgjigjur Blushi. Ruçi i është përgjigjur pretendimit të Blushit për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare për të vendosur për datën e re të kongresit, duke e cilësuar atë të panevojshme.
Por kur diskutimi po merrte trajta teknike rreth dokumenteve të Partisë Socialiste, Ruçi i ka kujtuar Ben Blushit që të mos harrojë të plotësojë formularin e ri të anëtarit të partisë si domosdoshmëri për të plotësuar databazën e regjistrit elektronik.
Për Ben Blushin, zbatimi i statutit lidhet edhe me besueshmërinë e qytetarit te Partia Socialiste, në një moment kur kjo parti është në mes të fushatës për të shtuar numrin e anëtarësisë. “
DEBATI NË GRUPIN E PS-SË
Ben Blushi: Dua të ngre një shqetësim që e kam artikuluar edhe herë të tjera dhe nuk po merr një përgjigje zyrtare nga kryetari i Partisë Socialiste. Përse nuk bëhen zgjedhje për kreun e partisë sonë, por vijojmë të kemi një kryetar me mandat të skaduar, i cili drejton vendin? Si ka mundësi që në partinë tonë zhvillohen zgjedhjet në të gjitha nivelet organizative, që nga kryetari i organizatës e deri tek asambleja dhe kryesia qendrore dhe nuk zgjidhet kryetari? Përse nuk bëhet kjo zgjedhje? Të na i thotë kryetari troç, nuk dua të bëhen zgjedhjet dhe arsyet pse.
Gramoz Ruçi: Po të përgjigjem unë për këtë shqetësim, edhe pse nuk është vendi për të bërë një diskutim të tillë. Por meqë kjo është mbledhje e Grupit Parlamentar dhe e drejtoj unë, po përgjigjem unë. Ne kemi fituar zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 duke marrë një fitore shumë të madhe, po ashtu fituam edhe zgjedhjet për pushtetin vendor në 2015-n me një tjetër fitore domethënëse. Fitoret i dedikohen partisë, por dhe kryetarit të saj që diti të na çojë në këtë rezultat. A ka konfirmim më të mirë të mandatit të kryetarit të partisë sesa vota disa fish më e madhe se ajo e anëtarësisë sonë?! Fitorja e partisë konfirmon dhe mandatin e kryetarit, i cili e përfaqëson partinë në qeverisje si kryeministër. Kjo nuk është një shpikje jona, por e kanë dhe parti europiane si ajo e laburistëve anglezë. Prandaj do të jetë kongresi i partisë i 19 marsit që do të bëjë konfirmimin e mandatit të kryetarit dhe nuk do të ketë nevojë për proces zgjedhor për kryetarin.
Ben Blushi: Por ne kemi një statut që e kemi ndryshuar dhe miratuar me vullnetin tonë të plotë, por nuk mund të pranoj që ky statut të zbatohet sipas nivelit të humorit të kryetarit. Statuti është kushtetuta e partisë dhe ai zbatohet pa interpretime. Por, Gramoz, unë këtë diskutim nuk e kam me ty, por me kryetarin e partisë sime, mandati i të cilit ka skaduar dhe unë nuk mund të drejtohem nga një kryetar i skaduar në mandat.
Gramoz Ruçi: Ti e di shumë mirë që ne kemi ngritur një grup pune që po merret me ndryshimet statutore dhe do ta përfshijmë edhe këtë pikë që, kur partia fiton zgjedhjet, kryetari i saj automatikisht rikonfirmohet. Por në procesin që jemi, unë do të të kërkoja ty që të shkoje të plotësoje formularin e anëtarit të partisë, sepse nuk e ke plotësuar ende.
Ben Blushi: Mos e meskinizo këtë debat. Nëse unë paskam bërë këtë mëkat në 20 vjet në Partinë Socialiste, ju nuk po bëni zgjedhje për kreun e PS, ndërkohë që ne kemi bërë gjatë gjithë historisë tonë zgjedhje. Nëse keni vendosur ta bëni kështu partinë, puna juaj, por kjo nuk është Partia Socialiste, për të cilën bredhim qytet më qytet që të shtojmë numrin e anëtarëve të saj. Çfarë modeli japim ne para gjithë qytetarëve dhe atyre që i ftojmë të bëhen pjesë e PS-së, kur kërkojmë zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës, deri te kuponi tatimor, ndërsa, nga ana tjetër, bëhemi të pabesueshëm duke shkelur Kushtetutën tonë të brendshme? Edi Rama ka hapur një fushatë për të rritur gjoja Partinë Socialiste në 100 apo 150 mijë anëtarë, çfarë rëndësie ka! Por, a mund të vijë një djalë apo një vajzë 18 vjeçe në një parti ku as nuk mund të zgjidhet dhe as mund të zgjedhë, por vetëm emërohesh?!
Gramoz Ruçi: Nga ana organizative, më e rëndë- sishme është zgjedhja e kryetarëve të organizatave, sesa ajo e kryetarit të Partisë Socialiste. Kryetari është i konfirmuar dhe në 2013-n, dhe në 2015-n, ajo që na duhet janë kryetarët e organizatave socialiste me cilësi të larta, sepse ata do të bëjnë fushatën derë më derë.
Ben Blushi: Ti, Gramoz, ke qenë shumë korrekt në zbatimin e statutit. Ndërkohë që asambleja e korrikut 2015 vendosi që kongresi të mblidhej në muajin janar. Janari iku, sot jemi në shkurt, ndërsa nuk ka një vendim asambleje për kongresin e marsit. Edhe në procedurë i kemi shkelur të gjitha dhe merremi me reformat e mëdha.
Gramoz Ruçi: Nuk ka nevojë për mbledhjen e asamblesë për të vendosur datë të re për kongresin e marsit, sepse në korrikun e kaluar ne nuk kishim caktuar një datë fikse për mbledhjen e kongresit. Por unë them ta mbyllim këtu, sepse nuk është ky vendi për të bërë një diskutim të tillë. Do të shkojmë në kongres dhe aty mund t’i themi të gjitha.
Komentet