Në fshatin e bukur piktoresk Markaj, vetëm pak kilometra mbi qytetin alpin Bajram Curri, lindi më 1930 dhe e kaloi rininë e saj, Rrushe Selim Breçani, në një familje me tradita të larta patriotike, në një shtëpi kah masivi i madh i gështenjave, të cilat iu pikojnë në oborret, arat e kashnjetet e tyre.
Familja e Rrushe Selim Zek Breçani u bë shtëpi bazë e partizanëve të Brigatës XXV-S të Tropojës. Vëllai i saj, Cen Selim Breçani u rradhitë partzan në Brigatën e Tropojës, bashkë me xhaxhallarët dhe kusherinjtë e tij, duke u bashkuar në rradhët e Brigatës XXV-S, si: lbrahim Breçani, Rexhep Breçani, Avdi Breçani, Shaban Breçani, Halil Breçani, Avdyl Breçani, Bajram Breçani, Zeqir Breçani.
Zeqiri ka qënë shumë vite Kryetar i fshatit Markaj dhe delegatë në Kongresin e Kooperativave Bujqësore, kurse baba i tij, Kasemi, në Dimrin e vitit 1943 ka strehuar 3 muaj Shtabin e KOSMET-it (Shtabi i Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit) me Fadil Hoxhën, Mehmet Hoxhën, Hajdar Dushin e 3 partizanë të tjerë kosovarë.
Rrushja e familja e saj e madhe i priti e i përcolli partizanët me bukë e veshëmbathje, me fjalë gojëmbël, duke u tregur bujarë, fisnikë e me zëmër të madhe.
Vitet kalojnë dhe në Luftën e Fundit për Çlirimin e Kosovës martire (UÇK), prapa familja e vllaznia e saj u kthyen në bazë të kësaj Lufte (1997-1999) dhe ndër të parët nga Shqipëria rrjeshtohet me UÇK, në Brigada “Agim Ramadani” në Koshare të Kosovës, djali i vëllait të Rrushes, Bylbyl Hazir Breçani, i cili bie dëshmorë në luftë me serbët në fushën e luftës, më vonë shpallet “Hero i Kosovës” (Republika e Kosovës), është “Dëshmor i Atdheut” (Republika e Shqipërisë).
Nga shtëpia e Rrushes ka dalë edhe këngtarja e shquar, mbesa e saj, vajza e vllaut të saj, Fatmira Cen Breçani- Mjeshtër e Madhe, e vlerësuar me disa çmime në festivale folklorike kombëtare e ndërkombëtare.
Rrushe Selim Breçani u martua në qytetin Bajram Curri, me Ali Mus Lushaj nga Gegaj-Shipshan, në një familje me tradita të larta patriotike. Ali Mus Lushaj ka qënë partizan i Brigatës XXV-S të Tropojës dhe i Brigadës III-S të Tiranës, i dekoruar disa herë me urdhëra e medalje të luftës e të punës nga Presidentët e Shqipërisë, ka punuar e kontribuar në më shumë se një çerek shekulli në Komitetin Ekzekutiv të KP të rrethit të Tropojës, i cila la kujtime të mira, ndaj dhe sot përmendet për punën që ka bërë me ndërgjegje të lartë. Ai iu la brezave shqiptarë e historisë kombëtare edhe një monografi “Shipshani i Malësisë së Gjakovës” (1999) dhe “Dëshmorët e Atdheut të Malësisë së Gjakovës” (2017, botue pas vdekjes). Ishte në Kryesinë e Komitetit të Veteranëve të Tropojës dhe
veprimtar i Komitetit Kombëtar të Organizatës të Veteranëve e Pasardhësve të LANÇ “Nderi i Kombit”, bashkëpunëtor i gazetës së përjavshme “Kushtrim Brezash” në Tiranë, etj.
Nënëmadhja Rrushe Breçani Lushaj ka rritur dhe edukuar mirë 6 fëmijët e saj, 4 djemtë Ramizin, Zenelin, Mehmetin e Arbenin dhe 2 vajzat: Zojën e Lumturien, prandaj dhe është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë me “Medalja e Argjentë e Nënës”. Djali i madh i saj, Ramiz Lushaj, është botues e kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve”, autor i mbi 30 librave, organizator i dhjetra veprimtarive kombëtare e ndërkombëtare, i nderuar me dekorata e çmime të ndryshme. Djali i tretë i saj, shqiptaro-amerikan, Mehmet Lushaj, ka rreth tre dekada që punon në selinë e OKB-së në Nju Jork. Djali i dytë, Zenel Lushaj, merret me biznes të vogël privat në Itali, ndërsa Arbeni, më i vogli, ka ngritë një biznes të vogël privat në Tiranë.
Nënëmadhja Rrushe Breçani-Lushaj gjatë jetës së saj ka qënë një punëtore e dalluar në Ndërmarrjen e Artizanatit në qytetin Bajram Curri etj., derisa doli në pension dhe prej dy dekadash jetoi në Tiranë, tek djali i saj më i vogli, Arben Lushaj, e rrethuar nga përkujdesi i të gjithë fëmijëve të saj, i nipave mbesave të saj, në Tiranë e në shtete të Europës e Amerikës.
Rrushe Lushaj ndrroi jetë këto ditë në Tiranë, në moshën 93-vjeçare, e cila u përcollë me nderime të larta prej nga Tirana dhe u varros në Varrezat Publike të qytetit Bajram Curri, pranë bashkëshortit të saj të ndjerë, Ali Lushaj, në përcjellje e prani, me homazhe e Tpame nga qindra banorë të Tropojës, nga të pushtetit vendor të Tropojës, nga të ardhur nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Europa e Amerika, si dhe familjes së saj i arritën mijëra mesazhe ngushëllime për ndarjen e saj nga jeta.
Nënëmadhja shekullore Rushe Breçani-Lushaj do të ngelet në kujtime si një grua fisnike, e dashur, bujare, gojë ëmbël dhe punëtore e palodhur, duke lënë një emër e trashëgimi të mirë për brezat e saj, për kohën tonë.
*Antar i Këshillit të Komitetit Kombtar të Organizatës së
Veteranëve e Pasardhësve të LANÇ “Nderi i Kombit”