Itinerari i pelegrinazhit të nuseve shqiptare
Evropa është shumë e vogël,
mbi Azi, Afrikë, drejt qiejve të Amerikës
nderet lahuri e bardhë e nusërisë.
Ago Ymeri mungon natën e parë,
nata e dytë e dhëndërisë tret virgjërinë e shtirur
qiejve shenjtërorë.
Asnëtokasnëqiell: Dasma
Kush bën dasmë, të vdekurit a të gjallët?
Gjurmëve të Kashtës së Kumtrit
nesër do të na kërkojnë kopilët,
s’di me ç’gjuhë, me ç’alfabet,
memecë a poliglotë,
gjysmëhyjni a gjysmidiotë?
Në qimiterin e reve varret dhe djepet.
Mbi tokën e Kosovës bie shi i kuq
i dorëshkrimit hemorragjik.
Shumë e vogël Evropa, Bota…
Qiejt copa resh si lecka kujtimesh
duvaku i paqenë i nuseve shqiptare.
Me aeroplan, me vapor, me tren
drejt abisit, si në përrallën e moçme:
Rruga që çon e nuk kthen.
Riti i martesës
Iu përvodhëm botës hajnisht,
hymë në botën ireale të bardhësisë,
u bëmë një me perënditë
e zumë krijimin e qenies
sipas parimit të harmonisë.
Zhurma e mëkatit përtej dritares
na e nxori gjumin.
Veshëm pizhamet e fjalëve,
dolëm, erdhëm
në botën që e kishim lënë gabimisht.
Në portën e shekullit tonë
Luciferi bënte rojë,
e hidhte vulën e vdekshmërisë,
si një medaljon i verdhë harrimi.
Tavernat e Tiranës
Nëntë rrathë kishte, vetëm nëntë
Ferri i Dantes,
s’qe harruar i dhjeti, ai priste
hapjen e tavernave të nëndheshme të Tiranës,
ku do të ngjalleshin të vdekurit
e do të vdisnin të gjallët,
ku do të shpalleshin publikisht
dashuritë e ndaluara dyzetepesëvjeçare,
ku do të linçoheshin në mungesë
koketat e oborreve qeveritare.
E do të zgjateshin flokët, thonjtë
brenda natës,
e do të priteshin kokat…
(Pardon! Tranzicioni nuk është revolucion).
Në rrethin e dhjetë mund të pini uzo,
konjak, koca-kola sa të doni,
mund të deheni (mëkati më i vogël)
dhe ta villni vetveten e tepërt pas mesnate.
Po më bren përbrenda një lodhje metalesh,
më ndjeftë perëndia!
Kam një mall të përndezur
për borën,
për atë mbretëri kristalesh.
Një retush Prishtinës,
një dush zjarrmisë së shtirur
të shqiptarëve.
Perëndia më ndjeftë!
Në vend të babadimrit shoh gjyshepërrallën,
që në capo akulli
ma shndërron fjalën.
Më ndjeftë perëndia!
E harruam kaq shpejt baltën?
(Marrë nga Revista Letrare)