VOAL- Kohët e fundit është botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një libër shumë interesant në anglisht me titullin, “Growing Up in Communist Albania” – “Të Rritesh Në Shqipërinë Komuniste” të autorit Nosh Mernacaj.
Dy fjalë për autorin e librit Nosh Mernacaj
Noshi ka lindur në fshatin “Mali i Jushit” të rrethit të Shkodrës në 1976.
Ne janar 1996 ka emigruar ne Itali ku ka jetuar per 4 vjet.
Ne nentor te vitit 1999 ka emigruar ne SHBA ku jeton edhe sot.
Ne vitin 2005 ka mbaruar shkollen e larte ne NY ne “Mercy University” ne degen “Computer Science” – shkenca komputerike, me rezultate te shkelqyera dhe ka marre disa dekorata.“Magna Cum Laude”, si studenti me i mire i vitit ne matematike dhe Computer Science Haward Kellog Award – nga Haward Kellog University
Ne vitin 2009 ka mbaruar“Master of business Administration”ne NY ne “Iona Universtity”.
Prej vitit 2005 punon ne fushen e informatikes, i specializur ne sigurine kibernitike. Ka punuar per kompanite me te medha boterore dhe dikastere te qeverise amerikane.
Prej vitit 2010, punon si keshilltar privat per sigurine kibernitike. Eshte pronar i kompanise “MERANCAJ INC.”
****
At Zef Pllumi në veprën e tij “Rrno për me tregue” na thotë se ka jetuar për të treguar tmerrin si dëshmitar i ngjarjeve të llahtarshme që ka përjetuar ai dhe bashkëvuajtesit e tij në burgjet e regjimit komunist. Libri i tij është njëri nga shumë pak që janë shkruar për periudhen 50-vjeçare komuniste.
Na ndodh shpesh të ndeshemi me thënie të tilla si : “Shqipëria nuk ka histori. “Na i dogji Turku. “ “Na i dogji Enveri.” etj.etj. Dhe sa herë duam të gjejmë ndonjë gjurmë sado të vogël të historisë sonë, iu drejtohemi të huajve dhe u shprehim mirënjohjen për ato që kanë shkruar rreth Shqipërisë si për shembull diplomati Fransua Pukëvil (François Pouqueville), arkeologu Uilliam Martin Lik (William Martin Leake), poeti i famshëm anglez, Lord Bajron dhe bashkudhëtari i tij Xhon Kameron Hobhaus (John Cameron Hobhouse), mjeku Henri Holland (Sir Henry Holland) më 1812, apo Edwart Lear, Edith Durham etj. etj.
Për periudhën komuniste në Shqipëri ka terr informativ dhe amnezi kolektive. Komunizmi përmes superstrukturës dogji gjithçka dhe krijoi një histori të sajuar. Janë shumë ata që vazhdojnë ta besojnë edhe sot. Por do të jetë tragjike, sepse me kalimin e kohës brezat e rinj do ta besojnë edhe më shumë nëse do të vazhdojmë të mos e shkruajmë.
Mosndëshkimi i krimeve të diktaturës komuniste, mos kërkim falje nga fajtorët, dhe mungesa e një qendrimi të drejtë shtetëror ndaj kësaj periudhe 50-vjeçare e bën edhe më të vështirë zbardhjen e së vërtetës. Shumë persekutorë të diktaturës komuniste do të duhej që drejtësia t’i çonte pas hekurave, ndërsa kalimi në harresë i asaj që ngjau po krijon mundësi optimale që të vazhdojë shtrembërimi i historisë edhe sot pas tre dekadash. Në historinë e shkruar nga diktatura komuniste xhelati është bërë hero dhe heroi i vdekur lutet nga gropa ku e kanë hedhur ekzekutorët e kuq sepse edhe sot e kësaj dite atij nuk i dihet varri.
Ndërsa ka edhe nga ata që, duke rënë pre e propagandës, problemin më të madh të Shqiperisë moderne e konsiderojnë prishjen e disa uzinave që shpenzonin më shumë se prodhonin duke i anashkaluar komplet krimet e regjimit komunist.
Në fakt në Shqipëri gjatë periudhës së sistemit diktatorial kanë ndodhur aq drama dhe tragjedi njerëzore sa do të mbanin me skenarë për dekada Hollywoody-in, por mjerisht edhe kinemaja shqiptare është zhdukur fare. Thonë që ka kineastë por që nuk krijojnë filma.
Thonë që historinë e shkruajnë fitimtarët. Po sot, përse vazhdon të shkruhet nga nga ish komunistët? Nuk ka njeri që nuk e di historinë e persekutimit të Hebrejve në luftën e dytë botërore – në detaje. Ata e shkruan dhe stërshkruan, derisa u ngulit në mendjen e të gjithëve. Kjo është rruga në respekt të viktimave që të mos përsëriten më tragjeditë. Ndërsa në Shqipëri, vetëm 30 vite më vonë, kur ka ende dëshmitarë, vihet në diskutim ekzistenca e kampit të internimit të Tepelenës.
Për t’i shpëtuar fatalitetit që prodhon harresa, historia duhet shkruar dhe stërshkruar dhe duhet të ngulitet tek brezi i ri sapo fillojnë edukimin dhe nuk dinë asgjë për prindërit apo gjyshërit e tyre.
Pikërisht, për të mos u persëritur tragjeditë, Nosh Mernacaj edhe si autor edhe si dëshmitar ka botuar në anglisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës librin “Growing Up in Communist Albania” – “Të Rritesh Në Shqipërinë Komuniste”. Në këtë libër pasqyrohet jeta në komunizëm e parë dhe jetuar nga vetë autori. Duke qënë se autori vjen nga një familje shumë e persekutuar ku çdo pjesetar i familjes ka vuajtur burgje politike dhe internime, arratisje, ai ka vendosur të tregojë historinë e tyre në kontekstin specifik – duke i gërshetuar këto ngjarje me jetën në komunizëm në përgjithësi. Libri nuk është vetëm historia e një familjeje por realitet i jetuar i qindra e mijëra njerëzve që jetuan në ferrin komunist, si pjesë e historisë së Shqipërisë komuniste.
Synopsis:
Me 17 Dhjetor të vitit 2011 vdiq diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong Il. Nosh Mernacaj ndodhej në Florida për të festuar ditëlindjen e tij. Duke qënë së Korea e Veriut ka një regjim shumë të ngjashëm me atë të Enver Hoxhës, ky lajm e gëzoi atë dhe i shërben si nshtysë të tregojë historinë e tij dhe të familjes. Narracioni fillon me prejardhjen e familjes nga malet e Kelmendit dhe zhvendosjen në ultësirat e Shkodrës. Lufta e Dytë Botërore e gjen Shqipërinë në një udhëkryq. Partia Komuniste e Shqipërisë fillon menjëherë eliminimin e patriotëve dhe konsolidon pushtetin në bashkëpunim me Jugosllavët në dëm të interesave kombëtare pas asaj që njihet si çlirimi i Shqipërisë, por në fakt është pushtimi i Shqipërisë. Nosh bën një analizë të shkurtër të marrëdhënieve Shqiptaro-Sllave si dhe përshkruan gjeo-politikën e Shqiptarëve në trojet e tyre. Paslufta solli shumë zhgënjim tek populli dhe menjëherë qeveria komuniste nisi terrorin e kuq.
Kooperativa e parë bujqësore që u krijua në Shqipëri u prish shumë shpejt nga Kol Marash Gjeka, axha i Noshit. Kola arrestohet,burgoset dhe torturohet për 9 muaj. Më në fund arrin të arratiste nga burgu për Jugosllavi. Edhe axha tjetër Gjek Mernacaj arrin të arratiset në Jugosllavi, kjo bëri që qeveria komuniste të burgosë axhat e tjerë dhe krejt familja interrnohet në Tepelenë. Në këtë kohë, Zefi vëllai i vogel i Kolës (babai i Noshit) ndodhej ushtar dhe menjëherë pas lirimit internohet bashkë me familjen në Tepelenë.
Pas lirimit nga internimi Zefi në Shqipëri dhe Kola – që ishte bërë ‘diversant’ tashmë, bëhen pjesë e grupeve të rezistencës antikomuniste të betuar te luftojnë këtë kancer. Zefi arrestohet dhe dënohet me 15 vjet burg. Në këtë kohë ai ishte i fejuar me Marën. Megjithë presionin Mara nuk ndahet nga i fejuari i burgosur. Kur Zefi del nga burgu, më në fund ata martohen dhe krijojnë një familje të madhe. Mara nga ana e saj, edhe ajo vinte nga një familje e persekutuar, ku vëllai i saj Dom Gjeto Radi (prift katolik) arratiset dhe kalon të gjithë jetën në Itali pa asnjë kontakt me njeri. Ai vdes në Itali por më në fund sillet në Shqipëri me nderime nga Vatikani. Vëllai tjetër i saj, Gjergj Radi, arratiset në Jugosllavi dhe më në fund arrin në Amerikë. Ai lë pas gruan me fëmijë të cilët nuk do t’i shohë më kurrë. Vajza e tij Vitorja 10-vjeçare do të vdesë në kampin e internimit në Tepelenë.
Përpos këtyre ngjarjeve që janë të gjitha fakte historike, Noshi përshkruan në detaje persekutimin e vazhdueshëm, fëmijërinë, shkollën, rradhat për bukë, si dhe kualitetin e jetës të pare nga sytë e tij si fëmijë. Shumë ngjarje historike të ndodhura në këtë periudhë janë përshkruar ku njëra prej tyre që bëri bujë në tërë vendin ishte dhe vrasjet në kufi të periudhës së Ramiz Alisë. Në një prej tyre në veçanti, bëhet fjalë për dy djem nga fshati i Noshit që ai i njihte shumë mirë. Pra bëhet fjalë për Dodë Gjerkaj dhe Gjon Kumbullakun të vrarë në kufi të cilët u shëtitën fshat me fshat dhe lagje më lagje të vdekur të lidhur me tel me gjemba në një makinë ushtarake. Diçka e tmerrshme si në skenat e filmave “The Texas Chainsaw Massacre”.
Rënia e murit të Berlinit e shoqëruar me rrëzimin e regjimeve komuniste në Europën Lindore, ngjarjet e ambasadave dhe eksodi në Itali vijojnë. Në këto ngjarje përfshihen edhe vëllezërit e Noshit. Demostratat e viteve ’90, ku Noshi mori pjesë personalisht, pagëzimi ne moshën 14-vjecare nga dom Ernest Troshani i sapo dalë nga burgu komunist (sot Kardinal) si në kohën e Gjon Pagëzorit, mesha e parë në varrezat e fshatit nga Dom Simon Jubani, edhe ai i porsa dalë nga burgu komunist, dhe rënia përfundimtare e komunizmit përshkruhen me shumë vërtetësi..
***
Libri është shkruar në kontekstin e një njeriu që jeton prej vitesh në Amerikë, ne liri dhe demokraci të plotë, por e sjell mendjen në atdhe dhe tregon atë jetë që mundohet ta harrojë, por zor se do t’ja dalë.
Ndërsa at Zef Pllumi rrnoi për me tregue, Noshi na kujton se duhet të tregojmë për me rrnue. Historia që harrohet mund të përsëritet, ndërsa popujt pa histori zhduken.
Libri është shkruar në Anglisht për t’ja treguar historinë botës. Deri tani është lexuar në 10 vende të botës, aty ky anglishtja nuk është gjuhe zyrtare.
Libri rekomandohet për të gjithë, kryesistht për brezat e rinj dhe atyre të lindur jashtë Shqipërisë. Atë mund ta porosisni ne Amazon të shtypur dhe në versionin Kindle./Redaksia e VOAL