Voal – Njeriu i cili hodhi dyshimet e para se ndeshja Shqipëri-Serbi, Enea Fezaj, tashmë ka sjellë fakte të reja.
Ai deklaroi në emisionin “Zonë e Lirë”, se ka dyshime të forta që sfida Shqipëri-Serbi ka qenë e trukuar dhe se përvec atij ka edhe shumë qytetarë të tjerë të cilët e besojnë këtë gjë.
“Fill pas daljes time në emisionin “Zonë e Lirë”, ku shpreha hapur dyshimet e mia për një trukim të mundshëm të ndeshjes Shqipëri-Serbi, një lumë mesazhesh vërshuan në llogarinë time në facebook. Pjesa dërrmuese e tyre ndanin të njëjtin mendim me mua rreth trukimit duke më sjellë bashkëngjitur edhe materiale që materializonin dyshimin tonë.
Pas kësaj vendosa të sjellë për të gjithë Shqipëtarët një analizë të thjeshtë se si kanë variuar koefiçientët e sfidës ku Shqipëria u mund me atë rezultat të pamerituar.
Një ditë para ndeshjes Kombëtarja jonë e futbollit kuotohej nga kompanitë e basteve (madje edhe në ato Serbe) si favorite me një luhatje të vogël nga 2.2-2.45, për fitoren e ekipit tonë.
Ndërkohë që në fotot më poshtë po pasqyroj koefiçientet që kompanitë e ndryshme kanë pasur deri në momentin që ka rënë bilbili për fillimin e ndeshjes. Duket qartë që favorite pak para fillimit të ndeshjes është bërë ekipi serb dhe për fitoren e Shqipërisë kuotat kanë shkuar nga 2.2-2.45 në 3.1-3.5.
Të gjitha këto kompani që shihni në foton e parë janë Europiane dhe për vendosjen e koefiçienteve bazohen në kompanitë aziatike të basteve, të cilat janë ndër më të fuqishmet në botë në këtë fushë. Në foton e dytë paraqiten kuotat e kompanive aziatike më në zë. Kompanitë aziatike i ndryshojnë koefiçientet në mënyrë kaq të theksuar vetëm në rastet kur nga e njëjta llogari, një bast luhet me shumë se dy herë. Atëherë këto kompani për çdo bast të përsëritur vazhdojnë dhe ofertojnë koefiçientin duke e ulur me 0.05 për çdo bast të vënë. Fitimi maksimal që këto kompani të lejojnë për çdo bast të vënë për ndeshje të nivelit të tillë si kjo e eleminatoreve të Europianit është deri në 1 milion euro, ndërkohë që bastin mund ta përsërisësh sa herë të duash. Domethënë në rastin në fjalë në qoftë se Serbia e ka pasur koefiçientin e fitores 3.30 si fillim maksimumi që mund të luanim në një bast është 333 000 euro. Nëse po nga e njejta llogari do të përsërisnim bastin kompania oferton koefiçientin nga 3.3 ne 3.25 e kështu me rradhë. Tani bëjini vetë llogaritë se sa herë është përsëritur ky bast nga një llogari e vetme dhe që koefiçienti i fitores së Serbisë ka zbritur nga 3.3 në 2.35 dhe sa milionë euro janë vendosur gjithsej.
Janë afro 7 milionë euro. Të gjitha këto nga një llogari e vetme në një kompani të vetme.
Rezultati i saktë Shqipëri 0-2 Serbi, u bë i ditur rreth 4 orë përpara fillimit të ndeshjes”, ka shkruar Fezaj./syri.net

Komentet