Në vitin e katër të pandemisë, një numër në rritje i pacientëve po përballen me probleme në zemër si pasojë e COVID 19-ës.
Sipas të dhënave të mjekësisë, ata që janë infektuar në fillimet e pandemisë, janë më të rrezikuar që të preken nga problemet si rrahjet jonormale dhe të shpejta të zemrës, mpiksja e gjakut, dhimbje gjoksi dhe madje edhe infarkt, deri një vit pas infektimit, krahasuar me ata që nuk janë infektuar.
Zjarrfikësi Mike Camilleri dikur nuk e kishte problem të mbante pajisje të rënda gjatë operacioneve të shpëtimit.
Por tani, ai po lufton me simptomat e COVID-it që ende po i vazhdojnë.
“Më ka kufizuar pothuajse çdo gjë që bëj në jetë, fizikisht dhe mendërisht. Vuaj nga ankthi, depresioni, dhimbje gjoksi, gulçimi dhe lodhja. Nuk kam dëshirë të bëj asgjë. Ka ditë që nuk dua as të ngrihem nga shtrati”, shpjegon zoti Camilleri.
Më 2020 ai u infektuarpër herë të parë, ndërsa para disa muajsh u riinfektuar me COVID. Pasojat e pandemisë i kushtuan vendin e punës, pas 20 vitesh karrierë.
“Kjo është e vetmja gjë që di të bëj. Më mungojnë miqtë e mi, të qëndroj në një qendër zjarrësikësish, me shoqërinë. Më mungon një orar pune dhe jeta normale”, thotë ai.
Fillimisht mjekët ishin të hutuar nga rasti i zotit Camilleri. Pasi provoi terapi të ndryshme, ai gjeti një ekip kardiologësh në Universitetin e Uashingtonit, që po trajtonin pacientë me probleme të ngjashme të zemrës, pas infektimit me COVID-19.
“Ky ishte lajmi më i mirë që kisha marrë për një kohë të gjatë. E kuptova se nuk kam probleme mendore, por se me të vërtetë diçka nuk është në rregull”, thotë zoti Camilleri.
Ai vazhdon të ndjekë një plan të kujdesshëm rikuperimi, ndërsa mjekët po vënë re shenja të lehta përmirësimi.
Katër vite pas identifikimit të rasteve të para me COVID-19, numri i pacientëve me probleme në zemër, si pasojë e koronavirusit po rritet, thonë ekspertët.
“Ne po shohim pasoja në zemër dhe në sistemin kardiak, që për fat të keq janë shumë më të mëdha sesa pasojat në sistemet e tjera të organeve”, thotë Dr. Susan Chenk, kardiologe në Qendrën Mjekësore Cedars-Sinai në Los Anxhelos.
Deri në një vit pas infektimit me COVID-19, pacientët janë nën rrezik të preken nga probleme kardiake, si mpiksja e gjakut, rrahjet jonormale dhe të shpejta të zemrës dhe infarkti – edhe në rastet kur rikuperimi i pacientit duke se po shkon mirë.
Sipas ekspertëve, ende nuk dihet se cilat janë kategoritë më të rrezikuara nga këto pasoja dhe nëse ato mund të parandalohen.
“Jam i shqetësuar sepse jemi pranë daljes nga kjo pandemi me më shumë probleme shëndetësore, si rezultat i pasojave të COVID-it në zemër. Për disa njerëz, këto pasoja do të jenë të përhershme. Këto simptoma do të kenë ndikim jo vetëm tek pacientët, por edhe tek familjet e tyre, sistemet shëndetësore dhe shoqërinë tonë në përgjithësi”, thotë Dr. Ziyad Al-Aly nga Universiteti i Uashingtonit.
Për të kuptuar shkallën e rrezikut nga pasojat e COVID-it në zemër, Dr. Al-Ahly ka analizuar të dhënat mjekësore në një bazë të madhe të dhënash të Administratës së Veteranëve.
Njerëzit që i mbijetuan COVID 19-ës në fillim të pandemisë ishin më të kërcënuar nga problemet në zemër, deri një vit pas infektimit, krahasuar me ata që nuk janë infektuar.
Këtu përfshihen edhe njerëzit e moshës së mesme, pa shenja të mëparshme të problemeve me zemër.
Bazuar në këto gjetje, zoti Al-Aly vlerësoi se 4 në çdo 100 pacientë kishin nevojë për trajtim, për të paktën një simptomë të zemrës, në vitin e parë pas rikuperimit nga COVID-19.
Përmasat e përhapjes së pandemisë, nënkuptojnë se miliona njerëz do të vuajnë nga problemet në zemër, thonë ekspertët.
Shkencëtarët tani po studiojnë nëse rreziku i përgjithshëm ka rënë për shkak të vaksinimeve dhe simptomave më të buta të koronavirusit.