E botuar së pari më 11 Qershor 2018
Gjithë bota e qytetëruar i ndërton dhe i mbron si Monumente të identitetit kulturor Teatrot e veta Kombëtare.
Teatrot Kombëtare janë pasuri kombëtare. Ato janë të paprekëshme, të pacënueshme.
Kush i prek Teatrot kombëtare ka prekur integritetin dhe sovranitetin e identitetit kulturor të vendit!
Kush synon të cënojë integritetin territorial të Teatrove Kombëtare, duke i shembur ato, i ka shpallur luftë atij vendi!
Një vendi mund t’i shpallësh luftë kur i hyn me ushtri ose kur ia rrënon Monumentet e Kulturës Kombëtare. Teatri Kombëtar është Monument Kulture.
Sovranitetin kulturor të Shqipërisë është duke e sulmuar kryeministri Edi Rama!
Popull shqiptar, mos e lejo! Popull shqiptar, mbroje identitetin tënd kulturor, mbroje Teatrin Kombëtar!
Vendi duhet të mbrohet kur sulmohet nga barbaria, që identifikohet me emrin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili synon ta rrafshojë dhe rrëzojë të vetmin Teatër Kombëtar që ka Shqipëria.
Edi Rama po i shtyp shqiptarët me diktaturën e varfërisë dhe duke ua rrafshuar çdo ndjenjë të krenarisë së tyre kombëtare! Ju, të ashtuquajtur intelektualë, ku jeni ? Nëse jeni, shfaquni për të ndalur këtë neronizëm!
Edi Rama synon rrëzimin e një Monumenti unik të Kulturës Kombëtare në skenën e të cilit ka kaluar gjithë plejada e aktorëve më të famshëm shqiptarë! Ajo skenë është e lidhur me emrat e kollosëve të artit skenik shqiptar, që Edi Rama kërkon t’a rrafshojë! Mos e lejoni!
Teatri ka lindur me njerëzimin! Një vend pa teatër është shkretëtirë!
Teatri ka lindur që nga antikiteti dhe është i lidhur me emrat më të famshëm të qytetërimit botëror, duke filluar nga antikiteti grek nga vjen edhe emri.
Në Greqinë e lashtë teatrot ishin të shpërndarë në Athinë, Thrakë, Epir. Teatri i Dionisit i vendosur në Akropolis konsiderohet teatri i parë në botë dhe më i rëndësishmi i Antikitetit Grek. Aty janë interpretuar tragjeditë dhe komeditë e Eskilit, Euripidit, Aristofanit.
A mund të mendohet Greqia e Lashtë pa emrat e atyre gjigandëve, veprat e të cilave luhen edhe sot e kësaj dite nëpër skenat e teatrove të botës? Jo!
Në Athinën e sodit ka me qindra teatro, por ka vetëm një Teatër Kombëtar të Greqisë, ku kanë debutuar Dimitris Horn, Maria Callas, Melina Mercouri etj. etj etj. Ky teatër është ndërtuar në vitin 1880.
Në SHBA, vetëm në Broadway janë të vendosura 40 teatro të kualifikuara si “Broadway theaters”, ku mund të performohet për çmimet “Tony Awards”, por ndërkohë po në Manhattan, janë më tepër se 500 qendra teatrore kur performohet çdo ditë.
Teatri është i lidhur me emrat më të famshëm të shkrimtarëve dhe aktorëve që kanë bërë histori dhe të atyre që sot duan të ndikojnë përmes artit skenik për një botë më të mirë. Le të kujtojmë Teatrin e Shekspirit, i njohur me emrin “Globe Theatër”, i inauguruar në vitin 1599 dhe i ristrukturuar së fundmi në vitin 1999. Ky teatër i kohës elizabetiane, me konstrukt druri, që mund të digjej me një fill shkrepse nga çdo diktator me mendësinë e Edi Ramës, ruhet ndër shekuj si thesar i Kulturës angleze. Për nder të Sheksipirit, në qytetin e tij të lindjes Stratford-upon-Avon në vitin 1879 është inauguruar Royal Shakespeare Theatre . Për fat të keq teatri u dogj në vitin 1926 dhe u rikonstruktua përsëri. Prej kohës kur janë ndërtuar e deri sot, në Britaninë e Madhe janë ndërruar me qindra kryeministra të cilëve u është harruar emri, por Glob Theatër apo Royal Shakespeare Theatre mbeten aty si dëshmi e gjallë e gjenisë kulturore të anglezëve! Ndërkohë, po të shohësh teatrot në Britaninë e Madhe, është një listë pa fund, për t’i përballuar kohës, ato janë rikonstruktuar, por kurrë nuk janë rrëzuar! Sepse janë dëshmitarë të identitetit kulturor! Anglia po ashtu ka edhe Teatrin Kombëtar i njohur si Royal National Theatre i Britanisë të Madhe.
Dhe mund t’ju sjell shembuj pa fund. Vendet e civilizuara kanë me qindra teatro, por kanë edhe Teatrin Kombëtar apo Teatrin e Shtetit, si pjesë e thesarit të trashëgimisë kulturore që ruhet dhe mbrohet nga shteti. Le të marrim Operan Kombëtare të Parisit e themeluar në vitin 1669 nga Luigji XIV, sot nën kujdesin e Ministrisë të Kulturës të Republikës Franceze; Vienna State Opera, Operan Shtetërore të Vjenës, Wiener Staatsoper e inaguruar më 1869 mbrohet nga shteti; Teatri Kombëtar i Pragës konsiderohet Monument Kombetar i Republikës Çeke; Teatri Mbretëror Danez është institucion kombëtar i ndërtuar dhe themeluar në vitin 1748, në fillim i njohur si teatër mbretëror e pastaj si teatër kombëtar, sot mbrohet nga shteti dhe mbulohet nga Ministria e Kulturës, e cila garanton mbarëvajtjen, suksesin dhe vijimësinë. Apo La Scala mbrohet nga shteti si pronë e bashkisë të Milanos. Në Zvicër, Opera Shtetërore në Zyrich është organizuar si një kompani “Opernhaus Zürich AG” nën autoritetin e kantonit të Cyrihut me partnerë dy nga bankat kryesore zvicerane, UBS dhe Credit Suisse; Teatri i Bernës, i njohur si Stadttheater Bern mbahet nga qyteti; në qytetin e Gjenevës Grand Théâtre de Genève po ashtu mbahet nga qyteti. Vetëm për rikonstruktimin e Teatrit qyteti dhe kantoni i Gjenevës kanë bërë një financim prej 20 milionë frangash me një vizion largpamës për mbarëvajtje teknike deri në vitin 2050!
Ndërsa në Shqipëri Teatri Kombëtar është i vetmi Monument Kombëtar që i ka mbijetuar rrënimit dhe që tani po rrezikohet nga rrënuesi që është shteti një dordolec në duart e satrapit Edi Rama! Momentalisht në skenën e tij po luhet tragjedia më e madhe live, ku një vandal kryeministër ka vendosur që ta shfarosë, me qëllim shfarosjen e memories kombëtare të kulturës shqiptare.
Mos e lejoni barbarin! Mos e lejoni krybarbarin e shtetit shqiptar të rrëzojë Teatrin Kombëtar si i vetmi institucion skenik ku kanë interpretuar të gjithë gjigandët e skenës shqiptare! Barbari Edi Rama është liliput përpara artit të kollosëve të skenës shqiptare!
Rrëzojeni atë që kërkon të rrënojë dhe rrëzojë Teatrin Kombëtar të Shqipërisë!
Rrëzojeni Edi Ramën, i cili qëkur ishte ministër i dekulturimit të shqiptarëve dhe po ashtu kryetar i bashkisë, ia kishte vënë syrin Teatrit Kombëtar për ta shembur dhe në vend të tij të ndërtonte kulla fitimprurëse për xhepat e oligarkëve apo për të ngopur maninë e tij të çmendur për të shembur çdo vlerë kulturore shqiptare që barazohet me kombin.
Ne pjesa më e madhe e shqipëtarëve të Shqipërisë Londineze jetojmë në zemër të Europës. Askund nuk preket ajo që është ndërtuar në shekuj, vetëm rikonstruktohet, ruhet dhe mbrohet. E mbron shteti dhe qytetarët. Në qendrat e qyteteve europiane nuk ka rrokaqiej, por mbrohet tradita, memoria kulturore e këtyre kombeve. Memorien kulturore e mbron shteti dhe qytetarët. Teatrin Kombëtar të Shqipërisë duhet ta mbrojë shteti dhe qytetarët. Kur shteti që përfaqësohet nga Edi Rama synon ta rrëzojë Teatrin Kombëtar, atëherë populli duhet të rrëzojë Edi Ramën që të mbrojë identitetin e vet kulturor!
Rrëzojeni atë që kërkon të rrënojë e rrëzojë Teatrin Kombëtar të Shqipërisë! Rrëzojeni Edi Ramën! Nga Elida Buçpapaj