Një luftë në bregun lindor nuk mund të mos pasqyrohet në gjithë Mesdheun. Hapet balli evropian i krizës. E Vëndi kyç është Franca. Dhjetë aeroporte të mbyllura. Pallati mbretëror i Versajës i zbrazur tri herë nga alarmi terrorizëm, ashtu sikurse edhe Luvri. Mësuesi i Arras-it i goditur me thikë nga një terrorist islamik. Ndalimi i manifestimeve pro-Palestina. Ambasadat e kryeqyteteve të ish perandorisë koloniale, nga Tunizi në Beirut, të rrethuara nga manifestuesit; mbas grushteve të shtetit kundërfrancezë në Shtetet afrikanë, në të cilët ushtria kishte ndërhyrë për të luftuar Isis-in. Shënjat janë të gjitha. E gjëndja politike është po aq serioze.
Emmanuel Macroni ka në shtëpi gjashtë milionë myslimanë, shumë prej të cilëve mjaft të zemëruar për hesap të tyre, siç është parë në këtë verë me kryengritjen e rrethinave. Dhe ka një të djathtë skajore, ndërmjet Le Pen dhe Zemmour, përtej 30%. Mos të tallemi: mund të jenë edhe sovranistë (a thua se Macroni nuk është) dhe kundër globalistë; por karburanti i Marinës e i partisë së Erik Zemmour-it – që jo rastësisht quhet Ripushtim – është imigracioni, veçanërisht ai islamik.
E majta është e ndarë: socialistët kanë prishur aleancën me Jean-Luc Mélenchon, kundër perëndimor i bindur, që nuk pranon t’a quajë Hamasin një grup terrorist.
Një fitore e Marine Le Pen mbas tre vite e gjysmë do të ishte një shpërthim përfundimtar, veç fundit të Bashkimit Evropian. Kërkimi i një tjetër Macroni, në të djathtën republikane ose ndërmjet reformistëve, nuk është një gjë e lehtë: trashëgimtari i caktuar dukej se ishte kryeministri Eduard Filipi, por një sëmundje që e ka bërë të bardhë e pa qime i ka minuar, nëse jo fizikun, përfytyresën publike. Por piskama nuk është 2027, është e sotmja.
Makroni ka ndaluar manifestimet për të shmangur skenarë të luftës civile. Por kjo masë është edhe shenjë dobësie. Policia franceze është e stërvitur me sheshet. Në këta raste rrjeshtimet lejohen, përkufizohen, lihen të shfryjnë. Nëse ndalohen është sepse nuk ka siguri kontrollimi.
Bashkësia hebraike franceze, shumë më e gjërë se ajo italiane, ka frikë. Prej kohësh ka filluar dyndja drejt Izraelit. E megjithë se ka shprehur një kryeministër – Larent Fabius – një ministër Ekonomie – Dominique Strauss – Kahn, që pa skandalin seksual do të ishte bërë president – dhe intelektualë të një prestigji të pamasë, nga Claude Lévi-Strauss tek André Glucsmann, po ndjehet gjithënjë e më shumë e lënë mënjanë nga Republika.
Islami francez është i vështirë të deshifrohet. Nuk ka më një kryetar. Njëherej për ta kuptuar shkonje në Xhaminë e Madhe të Parisit, të ndërtuar në stilin e Marrakeshit si një shpërblim për ushtarët myslimanë të rënë në luftën e parë botërore, pastaj strehë e sigurtë për qindra hebrej sefarditë gjatë pushtimit nazist, e të ofronin një çaj me mente nga rektori Dalil Boubakeur, që sapo kishte qënë në Elize e përforconte miqësinë së pari me Mitterrandin pastaj me Chirakun (më shumë me të dytin se me të parin: Dalil Boubakeur ishte një votues i madh i së djathtës, ndërsa i ati Hamza, i lindur në një oaz të Saharasë algjeriane dhe rektor para tij, ishte socialist). Kur mbas Bataclanit shkuam të flasim me rektorin e xhamisë së Corcouronnes, periferia nga vinte njëri ndër masakruesit – i njohur nga një pjesë e gishtit tregues të majtë – gjetëm përballë një poncpilat që ngriti duart duke thënë: “Nuk kam qënë un që kam radikalizuar vrasësit, por një imam shumë më i fuqishëm”. Kush? “Imami Google”. Donte të thonte se propaganda e terrorit ose dhe vetëm e urrejtjes kundërperëndimore udhëton në Rrjetet.
Parisi tragjikisht është mësuar me terrorin islamik. Mbrëmjen e së premtes tre tetor 1980, në fillim të Shabbatit, një bombë vrau katër hebrenj në sinagogën e rrugës Kopernik; proçesi është nisur vetëm këtë vit e i pandehuri i vetëm Hasan Diab, ka ikur në Kanada. Më 9 gusht 1982, në orën e drekës, një grup i Abu Nidalit hodhi një granatë në restorantin hebraik më të famshëm të Marais, Jo Goldenberg, e pastaj hapi zjarr: gjashtë të vdekur, 22 të plagosur; sot n’atë vënd është një dyqan xhinsesh. Më 17 shtator 1986 një bombë përpara një magazine të madhe të Montparnasse lë shtatë të vdekur e 55 të plagosur. Në verën e vitit 2005, e para e Shirakut president, Gia algjeriane shkaktoi viktima në Harkun e Triumfit në sheshin e Bastijës, për të ndëshkuar mbështetjen franceze Algjerisë laike që me çmimin e shumë gjaku ka shtypur Algjerinë integraliste.
Më 19 mars 2012 masakrohen tre fëmijë të shkollës hebraike të Tuluzës nga Muhamed Merah, një ujk i vetmuar me një telekamera në gjoks, që vret edhe rabinin që u përpoq t’i mbronte; këtu vjen në mëndje ati Zhak de Jesus , prifti katolik i filmit “Mirupafshim djema”, i internuar dhe i vrarë në Mauthausen sepse kishte fshehur fëmijtë hebrenj nga nazistët. Një tjetër meshtar, ati Zhak Hamel, u ther në altarin e Rouenit më 26 korrik 2016.
Dy ditë mbas masarës së redaksisë në Charlie Hebdo, fajtore sepse kishte qeshur me Muhametin, Amedy Coulibaly – ish grabitës e shpërndarës droge, i radikalizuar në burg – sulmon një supermerkat kosher, vret katër hebrenj e plagos katër të tjerë. Franca shkruan në Rrjet e në muret “Un jam Charlie”; komiku antisemite Dieudonné, i dënuar për shakatë e një shijeje tepër të keqe mbi Shoah-un, bën dinakun e shkruan “Un jam Charlie Coulibaly”; përfundon në burg për mbrojtje të terrorizmit, i dënuar me dy muaj burg, shmang atë por përzehet nga Facebooku dhe Instagrami.
Gjithë këtyre Franca u ka qëndruar e është kundërpërgjigjur. Edhe Bataklanit, edhe plojës së 14 korrikut 2016 në Nica. Në disa vështrime, Parisi mbas goditjes është bërë më njerëzor, më pak krenar, më i vetëdijshëm për caqet e tij. Houllebecq, shkrimtari i “Nënështrimi”, ka pranuar – në një intervistë me korrespondentin tonë Stefano Montefiori – se e ka tepruar me alarmin islamik; në fakt ideja e një presidenti mysliman të zgjedhur nga e majta që detyron sharian do të kishte qënë një gjetje e efektëshme letrare, por politikisht ishte marrëzi.
Tani Parisi përgatit një takim që lajmërohej shumë i bukur por që vërtetohet i ndërlikuar, në njëqind vjetorin e filmit “Çaste lavdie”. Ishte çështja Rusi, që mund të ishte zgjidhur me formulën që më 1980 i lejoi Italisë të merrte pjesë në Lojrat e Moskës, të bojkotuara nga amerikanët: as hymne as flamuj; zyrtarisht skuadra ruse nuk ekziston, marrin pjesë atletët e veçantë. Por nëse lufta e Gazës vazhdon e zgjerohet, si do të kundërveprojnë Vëndet arabe? Çfarëdo vetoje mbi Izraelin natyrisht nuk do t’ishte e pranueshme; por për Francën një tendosje me ish kolonitë e saj (Algjeria juridikisht nuk ishte një koloni, ishte një krahinë franceze, si Provenca dhe Borgonja) do t’i çonte Lojrat drejt një shkatërrimi, pa mbajtur parasysh shtrëngesat nevojshme për sigurinë. Dramat e
vërteta të kësaj krize natyrisht janë të tjera; por shpresa e dialogut duhet të mbahet e ndezur në çdo mënyrë, e në muajt e ardhëshëm Parisi do të jetë ende një herë në qëndrën e luftës e të paqës.
“Corriere della Sera”, 19 tetor 2023 Përktheu Eugjen Merlika