Përkrah Polonisë, së pari në Kosovë filloi shthurja e sistemit komunist në Evropë, në fillim të viteve të ‘80-ta, prandaj edhe sot e në të ardhmen, pikërisht në këto dy vende duhet të mbrohen vlerat fundamentale të demokracisë perëndimore.
Populli me besim katolik i Polonisë dhe populli liridashës shqiptar i Kosovës u paraprinë proceseve për rënien e sistemit komunist në Evropë. Nga kjo arsye Polonia dhe Kosova edhe më tej paraqesin pikat më neuralgjike të strategjisë globale për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Evropë.
Për shkak të këtij orientimi perëndimor, këto dy vende vazhdimisht rrezikohen nga shtrirja e ndikimit të shërbimeve të huaja sekrete, sidomos nga blloku i shteteve ish komuniste, me ndihmën edhe të satelitëve të tjerë përreth këtyre vendeve, përmes vënies në lëvizje të mbeturinave të komunizmit dhe përhapjes së ideologjisë neokomuniste.
Polonia aktualisht është anëtare e BE-së dhe NATO-s, aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, prandaj këto tendenca janë pak të realizueshme në këtë vend, ndërsa Kosova si shteti më i ri në Evropë, me demokraci të brishtë dhe institucione ende të pakonsoliduara sa duhet, lehtë mund të përfshihet në rrjetin e këtyre shërbimeve të huaja dhe, një kohë të gjatë të përballet me kriza tëthella politike, ekonomike dhe sociale, pa dhe të kërcënohet nga tendencat e këtilla të errëta.
Profesionistët dhe një masë e opinionit mund lehtë t’i vërejnë këto lëvizje, të cilat që nga fillimi i proceseve të reja demokratike, në mënyrë të organizuar dhe sigurisht me porosi dhe mbështetje nga qendra të caktuara, kanë arritur që shumë individë të konvertuar në demokratë të infiltrojnë në lëvizjet e reja, ku vazhdojnë edhe aktualisht ta luajnë rolin e djallit në skenën politike.
Përfundimi i Lufta së Ftohtë
Pakti i Varshavës, i nënshkruar më 14 maj 1955 në Varshavë, përbënte lidhjen e shteteve të atëhershme komuniste të Evropës, e udhëhequr nga Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, me qëllim të miqësisë, bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke, sidomos ushtarake, në mes të Republikës Demokratike të Gjermanisë, Polonisë, Rumanisë, BRSS, Çekosllovakisë, Hungarisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Më 12 shtator 1968, pas pushtimit të Çekosllovakisë nga forcat e Paktit të Varshavës, Republika e Shqipërisë u largua njëanshëm nga ky pakt.
Jugosllavia gjatë kësaj kohe ishte i vetmi shtet socialist që udhëhoqi një politikë ,,të pavarur”, si krijuese dhe udhëheqëse e një blloku të ri, kryesisht politik, i ashtuquajtur ,,Vendet e painkuadrura”, në të cilin bënin pjesë një numër i madh i shteteve, mes të cilave edhe India, Egjipti, Libia dhe shumë vende të tjera arabe.
Lëkundjet e këtij sistemi dhe fillimi i rënies së komunizmit në Evropë filluan që me lëvizjen e sindikatave të pavarura ,,Solidarnost” në Poloni, më 1980, të udhëhequr nga Leh Valensa, me lëvizjen e përgjithshme popullore të shqiptarëve për Republikën e Kosovës, të filluar nga studentët e Universitetit të Prishtinës, më 1981, si dhe më vonë me reformat e njohura si ,,Perestrojka” e presidentit rus Gorbaçov.
Pas rënies së Murit të Berlinit dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë mes dy superfuqive, SHBA dhe BRSS, sidomos me shthurjen e Paktit të Varshavës, filloi një erë e re, me fillimet e demokracisë dhe vendosjen e sistemit pluralist në vendet e bllokut të shteteve ish komuniste.
Rënia e regjimeve totalitare
Aty ku filloi rrënimi i sistemit komunist, në Poloni dhe Kosovë, aty vazhduan dhjetë vjet më vonë lëvizjet më masive deri atëherë kundër këtij regjimi totalitar. Në Kosovë shpërthyen protestat masive kundër regjimit komunist jugosllav dhe okupimit serb, ndërsa në Poloni zhvillimet e vitit 1989 paralajmëruan fillimin e një epoke të re, kur në zgjedhjet e lira parlamentare të muajit qershor të po këtij viti, fitorja e opozitës në këtë vend siguroi edhe emërimin e kryeministrit të parë jokomunist, me këtë edhe filluan ndryshimet e mëdha në Evropën Lindore, Qendrore dhe Juglindore, para rënies së Murit të Berlinit.
Pse këto ndryshime filluan pikërisht në Poloni dhe në Kosovën me shumicën dërmuese të popullsisë shqiptare, e cila asgjë nuk kishte të përbashkët me popujt jugosllavë, nga prejardhja, gjuha, historia dhe tradita, as që kishte shprehur ndonjëherë vullnetin e lirë për të jetuar nën këtë regjim okupator, kjo mbetet detyrë e studiuesve në të ardhmen, pas hapjes së plotë të arkivave të ish shteteve komuniste dhe jo vetëm.
Dënimi i krimeve të komunizmit, mision i papërfunduar
Kjo mund të shpjegohet edhe për faktin se, regjimet totalitare komuniste që sunduan në disa vende të Evropës gjatë shekullit të kaluar, kanë qenë të karakterizuara nga shkelje të rënda dhe masive të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Edhe pas shumë vitesh nga rënia e këtyre regjimeve nuk janë ndjekur krimet e rënda të kryera nga këto regjime përmes një hetimi ndërkombëtar, për më tepër, autorët e këtyre krimeve nuk janë sjellë para organeve të drejtësisë së vendeve të prekura nga këto krime, as nga bashkësia ndërkombëtare, siç ishte rasti me dënimin e krimeve të kryera nga nazizmi.
Edhe përkundër dy rezolutave të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, atë nr. 1096 (1996) në lidhje me “masat për çrrënjosjen e trashëgimisë së sistemeve totalitare komuniste”, të rezolutës nr. 1481 (2006) për “domosdoshmërinë e dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, edhe më tej në disa vende ish komuniste e kaluara nën diktaturë ka mbetur temë e ndaluar. Po ashtu, në Shqipëri dhe Kosovë, si edhe në vendet tjera ku jetojnë shqiptarët, në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi, pastrimi nga e kaluara komuniste nuk është trajtuar siç duhet, ose është trajtuar pa kritere dhe transparencë të nevojshme, siç është rasti me Maqedoninë.
Në Shqipëri dhe Kosovë, edhe pas 25 vjet të pushtetit demokratik, ende nuk ka filluar procesi i lustrimit, për pastrimin me të kaluarën komuniste, siç është vepruar në shumë vende të tjera ish komuniste, ndërsa në Maqedoni ky proces është keqpërdorur skajshëm, duke e shndërruar atë në një maskaradë të vërtetë, që fare nuk i ngjan lustrimit të figurave që kanë qenë bartës të pushtetit komunist dhe bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete, me urdhrat e së cilave janë krye krime të rënda kundër njerëzimit. Në këto vende, ka dëshmi të pakontestueshme se shumë individë me dosje të trasha krimesh gjatë regjimit komunist, ende vazhdojnë të ushtojnë detyra të rëndësishme në institucionet më të larta të shtetit.
Rreziku nga neokomunizmi dhe rikthimi i regjimeve totalitare
Pse ka nevojë që sot të aktualizohet kjo temë? Arsyet janë të shumta, por në radhë të parë, sigurisht është nevoja për rritjen maksimale të vigjilencës, meqë shërbimet e fshehta të disa vendeve të dëshmuara me politikat e tyre antishqiptare asnjëherë nuk e kanë pushuar veprimtarinë e tyre në dëm të interesit të shtetit dhe kombit shqiptar, duke modifikuar vazhdimisht metoda nga më të sofistikuarat për arritjen e qëllimeve të veta strategjike.
Tendencat e reja për përhapjen e islamizmit politik, sektarizmit fetar, frymës neootomane dhe shtrirjes së ndikimeve politike dhe ekonomike ndër shqiptarët, përmes vendeve që më herët e përbënin të ashtuquajturën ,,lëvizja e vendeve të painkuadruarve”, e udhëhequr nga ish Jugosllavia komuniste, mbajtja edhe më tej në pushtet e strukturave politike të ish sistemit komunist, të cilat bashkëveprojnë dhe i koordinojnë aktivitet e tyre me këto rryma të reja antishqiptare, janë të kontrolluara nga një qendër, e cila dikur kishte tendenca për imponimin e komunizmit si sistem global. Këto tendenca, qarqeve të caktuara u shërbejnë për çorientimin e shqiptarëve drejtë integrimeve euroatlantike, topitjen e forcës vepruese në nivel kombi dhe shuarjen e aspiratave për korrigjimin e padrejtësive historike ndaj kombit shqiptar, i cili dhe më tej është i detyruar dhunshëm të jetojë i ndarë në gjashtë shtete të Ballkanit.
Aktualisht, si asnjëherë më parë, këto ndikime vërehen në sferën politike, diplomatike, ekonomike, kulturore, fetare dhe në sfera të tjera të jetës.
Asnjëherë nuk kanë qenë shqiptarët në pozitë më të palakueshme në planin gjeostrategjik, seç janë sot.
Në asnjë përpjekje gjatë historisë shqiptarët nuk kanë qenë më të kërcënuar nga bandat e instaluara edhe në piramidën më të lartë të pushtetit, seç janë aktualisht.
Krimi i organizuar, kontrabanda me përmasa të mëdha, korrupsioni, rrjetet e drogës, abuzimi me qenie njerëzore dhe me pasurinë e shtetit, lidhja e politikës me krimin, kurrë nuk kanë qenë më të pranishme në shoqërinë shqiptare, sa janë sot.
Me ndryshimet e regjimeve, si asnjëherë dhe në asnjë vend të botës, më tepër se sot nuk ka pasur klane të rrezikshme në sistemin ekonomik të vendit, në gjyqësi, në organet e sigurisë kombëtare, në institucionet e pushtetit dhe në të gjitha segmentet ku duhet të mbrohet interesi shtetëror dhe kombëtar i shqiptarëve.
Asnjëherë më parë, shoqëria shqiptare nuk është ndeshur me grupime dhe rryma fetare, me grupe dhe individë që haptas u frynë ndasive fetare e krahinore, si dhe përçarjeve partiake dhe konfrontimeve ideologjike, siç ndeshet gjatë këtyre viteve të fundit.
Asnjëherë gjatë historisë nuk ka pasur kërcënime më të hapura ndaj qenies dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, siç ka sot.
Të gjitha këto veprime sigurisht që nxiten, përkrahen dhe financohen nga shërbimet e huaja sekrete, të cilat fatkeqësisht kanë arritur të mobilizojnë me mijëra mercenarë nga viset tona, në radhë të parë pjesëtarë të familjeve dhe individë të njohur si ,,gjak i huaj” të trungun etnik shqiptar.
Në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, edhe pas 25 vjet demokracie pushtetin vazhdojnë ta mbajnë politikanë dhe klane politike të dala nga strukturat e regjimit ish komunist, ose nga nëntoka kriminale e sigurimeve të shtetit të këtyre regjimeve, dhe ky përbën rrezikun kryesor për mospastrimin me të kaluarën komuniste dhe vazhdimin e krizës politike dhe ekonomike, e cila e mban peng progresin e këtyre vendeve dhe integrimet euroatlantike.
Këto tendenca u kanë dhënë krah edhe rishfaqjes së formave më të ashpra të sundimit dhe shtypjes edhe nga qeveritë autokratike në disa shtete ballkanike ku jetojnë shqiptarët, si në Maqedoni, Greqi, Serbi dhe Mal të Zi.
Këto veprime jo vetëm që e komprometojnë kombin shqiptar para botës, por edhe bartin me vete rrezikun e humbjes së përkrahjes nga aleatët tradicionalë të kombit shqiptar.
Shpresa e vetme ka mbetur këmbëngulësia e faktorit ndërkombëtar, sidomos e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ndihmën edhe të Bashkimit Evropian, si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, që përmes mekanizmave kushtetues dhe ligjorë të sigurohet një transparencë e domosdoshme për luftën pa kompromis kundër këtyre tendencave antidemokratike, me hapen e proceseve për hetimin e krimeve, abuzimeve me institucionet e shtetit dhe shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut në këto vende, përmes instalimit të prokurorive dhe gjykatave speciale, të cilat sigurisht do të shndërrohen në diga të fuqishme për mbrojtjen e vlerave themelore të demokracisë dhe do të pamundësojnë përhapjen dhe fuqizimin e neokomunizmit dhe rishfaqjen e diktaturës në këto vende.
Le të shërbejë ky shkrim për rifreskimin e kujtesës së politikanëve, studiuesve dhe të gjithë njerëzve liridashës, që vlerat demokratike të ruhen me çdo çmim, në interes të progresit të përgjithshëm, lirive dhe të drejtave të njeriut, paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
(Tetovë, 5 gusht 2016)
Komentet