Pse ndodhet ende në udhëkryq Shqipëria në lidhje me zbatimin e konventave ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut? Pse meritokracia në këtë vend është një ironi e oborreve politike që meritë quajnë militantizmin e sëmurë? Pse nuk ka modele përkushtimi që duhen ndjekur ose më saktë pse këto modele i përjashton, në vend që t’i ndjekë?
Këto janë pyetje që i bëjnë jo vetëm shqiptarët por dhe të huajt dhe nuk marrin një përgjigje të qartë, pasi këtu, në këtë histori të trishtë mpleksen shumë faktorë, sociale, ekonomikë, psiko-socialë etj. Ajo që e mbart dhe e përcjell këtë dimension të trishtë në mënyrë të përçdoçastshme është punonjësi shqiptar, që ndodhet i zbuluar përballë trilleve dhe egove partiako-administrative. Ky punonjës, i çdo shkalle e rrangu, ndodhet nën presionin e vazhdueshëm të partitizmit dhe shefave që prodhon ky partitizëm.
Shoqëria shqiptare, hap pas hapi, përgjatë një tranzicioni njëzetepesëvjeçar, në vend që të krijojë modalitete mbi të cilat të ndërtohen ëndrrat dhe vizionet e njerëzve për një plotëri të jetës së tyre të jetuar me nder e dinjitet, po i braktis modelet të cilët jo vetëm i sheh si të vjetëruar e jashtë mode, por dhe i paragjykon e përjashton ato nga politika, zyrat e shtetit etj.
Sot, për fat të keq, të jeshë i ndershëm, i drejtë, idealist, i pakorruptuar, të luftosh kundër atyre që shkelin ligjet në kurriz të të drejtave qytetare të të tjerëve, quhesh jashtë mode dhe primitiv!
Para disa vitesh, pas viteve problematike 2000, që pasonin vitin e trishtë ’97, në shtypin shqiptar shkruhej çdo ditë për të ashtuquajturin “Falkone i Korçës”, një komisar policie që jo vetëm kishte suksese në punën e tij por brenda një kohe të shkurtër ia doli të eleminonte bandat dhe të vendoste rregull në qytetin juglindor.
Po kështu, po në këto vite, shtypi i shkruar dhe mediat televizive kanë lançuar një tip të fortë dhe kurajoz, komisarin e policisë së Elbasanit, i quajtur Edmond Koseni që gjithashtu pati kurajo ta godiste me rrënjë e degë krimin në këtë zonë, duke ngjallur shpresën tek ligji për qytetarët e Elbasanit.
Të dy këta personazhe të aksionit të sukseshëm policor tashmë “kanë dalë nga qarkullimi”, për ta nuk kujtohet më askush dhe për më tepër i kanë larguar nga organet e policisë së shtetit.
Para disa viteve, një inspektor policie në Rrëshen, z. Fran Lleshaj do të përballej me deputetë, kryetarë njësishë administrative lokale, njerëz me pushtet që shkelnin rregullat e qarkullimit rrugor, duke iu vënë gjova dhe sanksione ligjore, që nuk ishin parë e dëgjuar gjer atëherë për këtë kategori njerëzish të privilegjuar dhe me pushtet. Shtypi do të quante atë “Katani i Mirditës”, njerëzit e thjeshtë dhe qytetarët do ta përgëzonin, por strukturat drejtuese policore në Rrëshen, në vend që ta gradonin, pas zgjedhjeve lokale të 23 qershorit 2014, do ta pushonin nga puna pa asnjë motivacion. Kjo nuk është hera e parë që Frani pushohet nga puna dhe ushtrohet ndaj tij presion, edhe herë të tjera, për shkak të kësaj “kokëfortësie” për të zbatuar deri më një ligjin njëlloj për të gjithë, e kanë flakur nga puna dhe është rikthyer me vendim gjykate. Por ky largim flagrant, përveç mërive të shefave që Frani, me sa duket, iu ka prishur rehatinë, mbart dhe hakmarrjen politike, megjithëse ai nuk është marrë kurrë me parti dhe oborre politike. E sikur të mos mjaftonte kjo, tashmë grupet kriminale dhe bandat që Fran Lleshaj kishte goditur, do të vepronin, duke i vjedhur lopët në ahur dhe duke e kërcënuar dretpërsëdrejti, me telefon dhe në mënyrë verbale. Por nuk mjaftuan këto dhe policia jo vetëm që nuk e mbron dhe përkrah ish oficerin e saj të devotshëm dhe idealist (pasi eprorët e kanë flakur nga puna në mënyrën më të padrejtë dhe spekulante të mundshme), por ia marrin djalin 15 vjeçar dhe ia mbajnë në dhomat e paraburgimit në komisariatin e Rrëshenit për dyzet e tetë orë, duke qenë ende i mitur dhe pa adresuar ndaj tij asnjë lloj akuze!
Nuk mohohen arritjet e policisë dhe të strukturave të tjera të antikrimit në Shqipëri, por pengesa vjen nga jashtë policisë, nga oborret partiake që nuk kanë nevojë për idealistë dhe njerëz të përkushtuar për rendin dhe qetësinë qytetare, por për militantë fanatikë, edhe pse strukturat e policisë, të rendit publik dhe të ushtrisë janë me ligj të depolitizuara.
Në punën time si avokat, unë dhe kolegët e mi hasim çdo ditë dhjetëra raste të heqjes nga puna, jo vetëm në radhët e policisë, por në të gjitha sektorët e administratës publike, të personave të përkushtuar, të cilët ngaqë kanë të drejtë i fitojnë të gjitha shkallët e gjyqeve, duke i detyruar organet që kanë ekzekutuar heqjen e tyre nga puna t’i rikthjeë në punë dhe të paguajë dëmshpërblimin përkatës.
Por në mjaft raste këto vendime gjykate nuk zbatohen a thua se zbatimi i këtyre vendimeve është çështje dëshire e vullneti për këtë administratë dhe jo një detyrim për t’u zbatuar.
Sot meritokracia dhe idealizmi i njerëzve të përkushtuar merret nëpër këmbë nga oborret partiake, të cilët duan servilë dhe të pa aftë dhe jo njerëz vizionarë dhe elitarë, çfarë bën që të vazhdojmë të endemic me paterica në vorbullat e këtij tranzicioni të vështirë.
Komentet