Në mars të vitit 2014, pak kohë pasi trupat ruse aneksuan Gadishullin ukrainas të Krimesë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, bisedoi me presidentin amerikan, Barack Obama, për rastin e parë të aneksimit të një territori në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Më herët gjatë asaj dite, Merkel kishte biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe gjatë telefonatës me Obamën ajo po ndante detajet e asaj bisede me liderin rus.
Putin është “në një botë tjetër”, raportohet t’i ketë thënë Merkel presidentit Obama, duke iu referuar asaj që analistët e përshkruajnë si këndvështrim alternativ të presidentit rus, që disa e cilësojnë si paranojak, për ngjarjet politike – një mendësi që SHBA-ja thotë se është përgjegjëse për shumë fatkeqësi të vendit.
Tetë vjet më vonë, teksa Rusia e ka rrethuar Ukrainën në tre anë me mbi 130,000 trupa, në atë që zyrtarët e SHBA-së kanë paralajmëruar se mund të jetë përgatitje për pushtimin më të madh në Evropë në mbi 75 vjet, Putin – që i mbushë 70 vjet në tetor – ka të ngjarë që është edhe më shumë i shkëputur nga realiteti, vlerësojnë analistët.
I izoluar, kryesisht në rezidencat e tij në periferinë e Moskës dhe në qytetin Soçi në Detin e Zi, i mbrojtur nga masat e ndërmarra për shkak të pandemisë COVID-19, Putin po vendos për lëvizjet e tij të ardhshme – ndoshta më të rëndësishme në Evropë në dekada – dhe po merr mendimin e një numri të vogël të këshilltarëve të tij të ngushtë, të cilët ndajnë pikëpamjen e tij konservatore dhe konspirative për botën, thonë zyrtarët dhe ish-zyrtarë perëndimorë dhe analistët.
Ai rreth i ngushtë – që mes tjerash përfshin sekretarin e Këshillit për Siguri, Nikolai Patrushev; drejtorin e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), Viktor Bortnikov; ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu; shefin e Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës (SVR), Sergei Naryshkin; dhe shefin e Komitetit për Hetime, Aleksandr Bastrykin – është ngushtuar edhe më tej që prej vitit 2014, teksa zhgënjimi i Putinit me Perëndimin po rritet, thonë analistët.
“E ardhmja e Ukrainës mund të varet nga një njeri që gjendet në një flluskë që edhe ushqen agresionin e tij, por edhe e mbron atë nga pasojat e këtij agresioni”, kanë thënë në një artikull të publikuar këtë muaj në Foreign Affairs, Adam E.Casey bashkëpunëtor në Qendrën Weiser të Universitetit të Miçiganit dhe Seva Gunitsky, profesor në Universitetin e Torontos.
Analistja politike ruse, Tatyana Stanovaya shkroi në maj të vitit 2020, në periudhën kur pandemia sapo kishte nisur, se grupimi elitar që ishte në zhvillim e sipër, që ajo i quajti “mbrojtësit”, gjithnjë e më shumë po bëhej më me ndikim te Putini.
Ajo i përshkroi “mbrojtësit” si një aleancë midis atyre që ishin në favor të represionit më të madh brenda Rusisë dhe atyre që shtyjnë përpara ideologji konservatore, si një mënyrë për të zmbrapsur sfidat, që anëtarët e kësaj aleance pretendojnë që vijnë kryesisht nga jashtë vendit.
“Ideologjia e mbrojtësve, e mbështetur paturpësisht në teori konspirative, kërkon që të mobilizojë shoqërinë kundër kërcënimeve të huaja dhe shtyn përpara idenë e kontrollit më të rreptë mbi jetën private të rusëve dhe të jetës politike”, tha Stanovaya.
Një shembull specifik i një pretendimi të tillë konspirativ u shfaq gjatë tensioneve mbi Ukrainën: Shoigu, 66 vjeç, pohoi në dhjetorin e kaluar se mercenarët amerikanë po lëviznin “një përbërje të panjohur kimike” në rajonin e Donbasit, ku forcat e mbështetura nga Rusia që nga viti 2014 po luftojnë me forcat qeveritare ukrainase. Ai nuk dha asnjë dëshmi për të mbështetur këtë pretendim.
Ministri i Mbrojtjes, Shoigu, që ka shoqëruar presidentin Putin në disa ngjitje malore dhe gjatë peshkimit në Siberi, udhëtime këto që janë paraqitur edhe në televizionin shtetëror, është një “nga miqtë e paktë personal që Putini ka në Qeveri”, është thënë në librin “Zoti Putin”, të shkruar nga Fiona Hill, një ekonomiste e specializuar për Rusinë, e cila ka qenë këshilltare e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Kur Putini erdhi në pushtet në fundin e vitit 1999, ai fillimisht e rrethoi veten me një sërë këshilltarësh – nga ekonomistët liberalë e deri te ish-kolegët e tij nga shërbimet sekrete.
Megjithatë, ai ndryshoi qasjen në vitin 2012, në vitin kur u kthye në presidencë pas një periudhe si kryeministër mes protestave të paprecedentë kundër sundimit të tij.
Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara se kanë orkestruar protestat që nisën më 2011 – që u nxitën pjesërisht për shkak të vendimit të tij për t’u kthyer në Kremlin – dhe nisi shtypjen ndaj disidencës, shoqërisë civile dhe opozitës, shtypje që do të rritej vazhdimisht që nga ajo kohë.
“Për ta konsoliduar sërish pushtetin, Putini u ripozicionua si një konservator, duke theksuar rëndësinë e ‘lidhjeve shpirtërore’ dhe vlerave tradicionale, të cilat mungonin në Perëndimin dekadent”, shkroi Stanovaya në raportin e publikuar në maj.
Më 2013, Putini kishte nënshkruar një legjislacion që gjoja synonte “mbrojtjen e fëmijëve nga informacioni që avokon mohimin e vlerave tradicionale familjare” – i ashtuquajtur Ligji “i propagandës së homoseksualëve”. Nënshkrimi i këtij ligji, sipas organizatave të të drejtave të njeriut, rriti armiqësinë shoqërore ndaj personave të komunitetit LGBT.
Kur protestuesit dolën në rrugët e Ukrainës më vonë gjatë atij vitit, për të protestuar refuzimin që i bëri presidenti, Viktor Yanukovych një marrëveshjeje tregtare me Bashkimin Evropian në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë, Putini sërish drejtoi gishtin nga Uashingtoni dhe Perëndimi.
Pasi Yanukovych u largua për në Rusi, Putini dërgoi trupa për ta marrë kontrollin e Krimesë dhe Moska mbështeti forcat separatiste në lindje të Ukrainës.
Veprimet e Putinit gjerësisht janë parë si arsye Ukraina po largohet edhe më tej nga orbita e Rusisë dhe që kanë forcuar dëshirën e popullit ukrainas për integrim me Perëndimin – diçka që zyrtarët perëndimorë thonë se ai dhe këshilltarët e tij të afërt nuk kanë arritur që ta kuptojnë.
Sigurisht, ai këtë nuk e ka pranuar publikisht, përkundrazi e ka akuzuar Perëndimin në një artikull të botuar në korrik, ku ka shkruar për ndarjen e rusëve dhe ukrainasve, që ai i ka quajtur “një popull”.
Njerëzit që kanë punuar me Putinin thonë se pikëpamja e tij konspirative për botën është formësuar gjatë viteve kur ai ka qenë oficer i KGB-së sovjetike. Disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, të cilët janë në moshë të njëjtë me të, vijnë nga një e kaluar e ngjashme dhe në shumë raste nga i njëjti qytet, Leningradi, që tani njihet me emrin Shën Petersburg.
“Siç e pohon shpesh në publik dhe privatisht, ai beson se ka komplote dhe konspiracione nga Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi kundrejt tij dhe Rusisë”, ka shkruar në një artikull të botuar më 2016, Fiona Hill, eksperte për Rusinë, e cila gjatë administratës Trump ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Një mënyrë e tillë e të menduarit në mënyrë konspirative është në përputhje me logjikën e tij”, shkroi Hill. “Komplotet kanë kuptim sa i përket kornizës së tij të referencës – siç shihet përmes filtrave të tij për Luftën e Ftohtë, për kohën sa ishte operativ i KGB-së në Gjermaninë Lindore në fundin e viteve ’80 dhe pikëpamjeve mbizotëruese politike të qarqeve konservatore ruse”.
Nikolai Patrushev, 70 vjeç, është një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Putinit gjatë gjithë viteve të tij në pushtet. Ai është një konservativ i linjës së ashpër dhe ish-oficer i KGB-së. I lindur në vendlindjen e Putinit, Leningrad, ai ka shërbyer si shef i FSB-së nga viti 1999 deri më 2008 dhe më pas kaloi në Këshillin e Sigurisë.
Ai raportohet se qëndron pas Strategjisë së re për Siguri Kombëtare, që u publikua vitin e kaluar. Kjo strategji çoi në nivel të ri kritikën ndaj Perëndimit, duke pretenduar se “sovraniteti kulturor” i Rusisë është në rrezik dhe se “vlerat tradicionale, në mënyrë aktive janë duke u sulmuar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tij”.
Sergei Naryshkin, 66 vjeç, është një tjetër person me prejardhje nga Leningradi, që fillimisht e kishte takuar Putinin pasi kishin diplomuar nga Shkolla e Mesme e KGB-së. Ai, pa dhënë asnjë dëshmi, ka pretenduar se agjencitë e inteligjencës perëndimore kanë tentuar që ta vrasin liderin opozitar rus, Aleksei Navalny. Navalny, i cili u helmua më 2020 në Siberi me një agjent nervor të prodhimit rus, fajëson Putinin dhe FSB-në për helmimin.
Naryshkin së fundmi e ka krahasuar Qeveria ukrainase të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe që udhëhiqet nga një president hebre, me nazistët.
Bastrykin, 68, që ka studiuar drejtësi në Universitetin Shtetëror të Leningradit në vitet ’70 së bashku me Putinin, një herë kishte kërcënuar se do të vriste zëvendësredaktorin e gazetës opozitare, Novaya Gazeta.
Rrethi shumë i ngushtë i Putinit ka qenë mjaft fluid përgjatë viteve, me njerëz që i janë bashkuar dhe janë larguar në momentin që janë grindur apo e kanë acaruar presidentin rus.
Në mesin e atyre që janë larguar është edhe Aleksei Kudrin, që për një kohë të gjatë ka mbajtur postin e ministrit të Financave dhe që ka pikëpamje më liberale. Analistët kanë spekuluar se ish-ministri i Mbrojtjes, Sergei Ivanov, një mik i ngushtë i Putinit nga studimet, dhe po ashtu edhe ish-presidenti, Dmitry Medvedev, më nuk janë pjesë e rrethit të ngushtë të Putinit.
Brian Taylor, profesor në Universitetin Syracuse, i cili ka shkruar libra për Rusinë e Putinit, ka thënë se Dmitry Kozak – një ndihmës i kamotshëm i presidentit rus, i cili aktualisht mbikëqyrë bisedimet me Ukrainën për konfliktin në Donbas – mund të jetë një zë i rëndësishëm në krizën aktuale.
Putin është mbështetur në të kaluarën në ndihmën e Kozak – i cili është 63 vjeç dhe avokat me profesion –për të zgjidhur probleme të vështira, përfshirë edhe për jostabilitetin në Kaukazin Verior. Ai nuk konsiderohet si pjesë e grupit të konservatorëve që gjenden në rrethin e Putinit.
Taylor tha se gjithmonë ka pasur shumë hamendje në përcaktimin se kush mund të ketë ndikim mbi vendimet e presidentit – dhe kjo gjë është bërë edhe më e vështirë nga pandemia, për shkak se Putini ka ndërveprime të kufizuara personale me zyrtarët.
Për dallim nga Shtetet e Bashkuara, Rusia e Putinit nuk ka “proces të rregulluar ndërinstitucional”, në të cilin zyrtarët e jashtëm dhe ata të sigurisë janë të pranishëm dhe marrin vendime.
Përderisa Putini pranon informacione dhe i prezantohen opsione nga individë të ndryshëm, është e vështirë të kuptohet se “kush realisht ndikon në vendimin për të zgjedhur një nga opsionet”, tha Taylor.
“Është më shumë personi i fundit me të cilin ka biseduar Putini sesa një lloj konsensusi kolektiv i elitave të politikëbërjes së jashtme dhe të sigurisë”, tha ai. “E gjithë presidenca e izoluar e bën thjesht një gjë të tillë edhe më të komplikuar”, shtoi ai.
Përgatiti: Mimoza Sadiku
Komentet