Ne jetojmë një shoqëri ku ende varfëria përbën një plagë të rëndë dhe e cila nuk mund të shërohet pa një vizion të qartë dhe të kthjellët për mundësitë dhe burimet që mund të ofrohen nga shteti dhe institucionet, që të mund të tejkalohet me projekte konkrete dhe në mënyrë definitive ky realitet i trishtë për shtresat në nevojë të ngutshme për mbështetje.
Shoqëria shqiptare ka shumë probleme për të zgjidhur, shumë udhëkryqe sociale për të kapërcyer, shumë sfida për të përballuar. Është një kompleks punësh e vështërsishë të momentit, në kapërcyll të një tranzicioni të vështirë dhe tejet problematik, i cili na ka kushtuar shumë energji dhe kohë ne shqiptarëve.
Problemi i përmbushjes së nevojave ekzistenciale jetësore, pra i mundësisë së çdo individi për të përmbushur nevojat e tij biologjike, (ushqim, veshmbathje, strehim) ato mjekëssore, kulturore e dijemarrëse etj, pra për të kryer një jetesë normale, është një çështje kushtetuese principiale, që ka të bëjë me vetë thelbin human të shoqërive të hapura, siç është Shqipëria, gjatë këtyre njëzet e shtatë viteve.
Qasjet kurajoze në këtë drejtim nuk kanë munguar dhe ato vazhdojnë të përcjellin ide e plaftorma për të zgjidhur një herë e përgjithmonë çështjen komplekse të pamundësisë së të varfërve për një jetë të çliruar nga nevojat ekzistenciale, por akoma mbetet shumë rrugë dhe shumë punë për të bërë në këtë drejtim.
Optimaliteti jetësor ose jetik është një problem shumëdimensional, politik, juridik, moral, shoqëror etj. Në pikëpamjen shoqërore është harmonizmi që shteti duhet t’iu bëjë të gjithë faktorëve ekonomikë dhe socialë, që askush nga shtetasit e kësaj shoqërie të mos mbetet zbuluar në një ekonomi tregu, siç është aktualisht ekonomia e vendit tonë.
Arritja e këtij objektivi, siç e kanë arritur vendet e zhvilluara, por dhe mjaft nga vendet në zhvillim, mbetet një detyrë parësore e politikbërësve, të cilët nuk kanë të drejtë që të flasin akoma për minimumin jetik (as këtë nuk e kanë realizuar dot me asistencën qesharake që iu japin të pamundurve), por për optimalitetin jetik, për jetën e çliruar të njeriut shqiptar nga uria, skamja, pamundësia e shkollimit, kurimit dhe kulturimit.
Është detyrë e politikës e cila ndërton gjithçka në një shoqëri, e cila drejton shtetin dhe shoqërinë që të shpëtojë jetën e njeriut të thjeshtë nga vetëshkatërrimi, për shkak të pamundësisë qoftë fizike, qoftë intelektuale e kulturore të individët “të dobët”, duke i krijuar mundësitë dhe shanset e një jete të lirë dhe të çliruar nga mungesat ekzistenciale.
Nëse mjekët veprojnë në bazë të betimit të Hipokratit, politikanët, administratorët dhe shtetarët duhet të betohen që të bëjnë gjithçka që shtetsait e këtij vendi, të jenë të barabartë para Kushtetutës; të zhvillohet konkurenca e lirë, tregu i lirë, por askush të mos ndihet i kërcënuar me uri në një shoqëri që predikon humanzimin dhe këtë e ka të sanksionuar në kryedokumentin e të drejtës, Kushtteutën e Republikës.
Nga pikëpamja juridike, ku e drejta ka rolin instrumental në shoqëri, duhet thënë se ajo kategori shoqërore, etike dhe ekonomike që nuk mund të përfshihet në sfidat e tregut, qoftë për shkak të aftësive të kufizuara, qoftë të papunësisë që sa vjen e bëhet më evidente, lypset të gëzojë mbështetje të plotë institucionale, nga entet dhe institucionet përkatëse, që të mund të sigurojë një mbijetesë normale dhe pa trauma sociale. Nëse shikohet thjesht ky problem në këndin moral, mund të thoshim se asnjë sipërmarrës, qoftë privat apo shtetëror, nuk do të ndihej mirë, kur shikon se dikush vuan për gjërat elementare të jetës. Por kjo, para se të jetë një çështje morale, është një çështje ligjore, një detyrim që ka shoqëria, me anë të institucioneve që e përfaqëojnë atë, për të legjitimuar normalitetin jetik të shtresave më në nevojë të kësaj shoqërie.
Shoqëria demokratike siç është shoqëria jonë duhet t’i çmojë qytetarët e saj si të barabartë, duhet t’iu krijojë shanse të njëjta për të kryer një mbijetesë në harmoni me natyrën dhe vetveten, të çliruar nga barra e rëndë e pamundësisë së realizmit të nevojave jetike. Identifikimi i njerëzve të këtij vendi, përveçse nga sistemi i vlerave, lypset të bëhet dhe nga lista e nevojave, çfarë presupozon që shoqëria të jetë e braktisur nga të traumatizuarit e saj, për shkak të barrës së rëndë dhe të papërballueshme të mbijetesës.
Shoqëria jonë, gjatë këtyre njëzet viteve gjendet në një fazë depresioni kolektiv, ku njerëzit pavarësisht nga pozicionet partaike ndodhen nën trusninë e pamundësisë për të realizuar vetveten. Pamundësisë ekonomike, sociale, intelektuale, krijuese, njerëzore, pamundësisë për të vënë në veprim aftësitë e tyre, dijet e tyre, pasi ky vend ka nevojë vetëm për “dijet” e militantëve, fanatikëve partiakë, ka nevojë për fasada dhe jo për themele mbi të cilat të ngrihet godina e humanizmit real.
Flitet shumë për minimumin jetik, por çfarë është ky minimum? Me faturën e tij financiare nuk mund të blihet bukë thatë, lere më të paguash dritat, ujin, shkollimin e fëmijëve, kurimin, veshmbathjen, etj. Çfarë mund të bëjë një çift pensionistësh me pensionet qesharake që marrin? Pra, ky nuk është as minimum jetik, por një faturë absurde, që nuk mund të shërbejë për asgjë, përveçse për fushata demagogjike, që nuk çojnë ujë në mullirin e hallexhinjve, por të vipave të vetëkrekosur të një politike dritëshkurtër.
Sigurimi i optimalitetit jetik për çdo qytetar të këtij vendi nuk duhet parë si një platformë konkuriese midis palëve politike, për kredibilitet elektoral, por si një detyrim ligjor kushtetues i shtetarve të këtij vendi për t’iu siguruar shtetasve të tij mundësitë për një jetë normale. Duhet parë si një obligim real dhe i përçdoçastshëm, me qëllim që kush të ulet në karrigen e ofruar nga politika t’i masë mirë forcat, nëse mundet që me idetë dhe plaltformat institucioane të vërë në veprim mundësinë, që askush nga qytetarët e vendit të tij të mos jetë i diskrimnuar ekonomiksht dhe nga ana sociale.
Njëzet e shtatë vjet janë shumë në kohën e një populli për të parë rrugën se nga erdhëm dhe ku do të shkojmë. Njëzet e shtatë vjet janë goxha kohë dhe nuk ka më kohë tjetër në dispozicion të politikanëve dhe administratorëve të këtij vendi, për të thënë se kaq dinim dhe kaq bëmë.
Reforma më e madhe, kryereforma që lypset të ndërmarrë një shoqëri, me institucionet dhe me elitat e saj udhëheqëse mendoj se është të mundësojë çdo qytetar të këtij vendi që të ndihet i barabartë me gjithëkënd, të ketë shanse dhe mundësi të barabarta, të ushqehet, vishet, kurohet dhe arsimohet, pavarësisht nga “madhësia e kuletës” së tij, edhe në rastet kur nuk gjen punë, edhe në rastet, kur i duhet të jetojë vetëm me asistencë sociale, duke bërë atë që bëjnë për emigrantët shqiptarë vendet e BE-së, të cilat minimalisht iu mundësojnë atyre një ekzistencë të pasforcuar dhe barazi para ligjit, si të gjithë qytetarët e tjerë. Është e drejta e më të varfërve për të qenë të përfaqësuar dhe përfaqësimi më i mirë që mund t’iu bëjnë atyre politika dhe institucionet e shtetit është ti konsiderojë edhe në kushtet e pamundësisë së tyre, duke i çliruar nga barra e një mbijetese të vështirë, gatri të pamundur.
Komentet