Sapo ka dalë në treg libri i gazetares franceze Marie Maurisse titulluar – “Bienvenue au paradis” – “Mirë se vini në Parajsë – hetim për jetën e francezëve në Zvicër” që ka shkaktuar skandal dhe nuk është mirëpritur nga zviceranët sepse autorja i akuzon për racizëm antifrancez. Për reaksion zviceranët ndihen të fyer dhe reagojnë në mënyrat e tyre, aq më tepër kur sot rrugët e komunikimit janë shtuar përmes rrjeteve sociale etj.etj.
Por problemi qendron në pyetjen a është e vërtetë kjo që shkruan 33 vjeçarja nga Tuluza që jeton e punon prej gati një dekade si rezidente në Zvicër ?
Nuk e kam lexuar librin, por lexova me shumë vemendje intervistën e Marie Maurisse për swissinfo.ch. Jemi dy gazetare, njëra nga Franca, tjetra nga Ballkani, me këndvështrime të ndryshme, me eksperienca jetësore të ndryshme, përfshi edhe moshën. Si vëzhguese dhe njohëse e realitetit, por edhe si një person që i ka provuar disa statuse në Zvicër, nga ai i kërkueses të azilit, emigrante e tani zvicerano-shqiptare, them se Zvicra nuk është Eldorado për emigrantët që vijnë nga zonat e krizave, them se Zvicrës i shkakton andralla partia kryesore e djathtë UDC, e cila bën politikë selektuese, për rrjedhojë diskriminuese, pasi një pjesë të emigrantëve i konsideron “dele të zeza”, por sa i përket trajtimit të francezëve apo gjermanëve, them me bindje të plotë se në Zvicër nuk ekziston racizëm antifrancez apo antigjerman.
E them këtë edhe si një banore në një zonë limitrofe, që vizitohet për çdo ditë nga të punësuar në Zvicër, që vijnë nga Franca dhe Gjermania. Francezët, gjermanët i ndesh në çdo hap në Zvicër, mësues në shkolla, mentorë nëpër kantone, nëpunës bankash, në spitale, biznese, Coop, Migros e kudo. Nëpër parkingje sheh çdo ditë auto me më tepër targa të Francës dhe Gjermanisë, se sa të Zvicrës, frëngjishten e ndesh kudo si diçka shumë normale, si pjesë integrale e multikulturalizmit të Zvicrës. Prandaj e them me gojën plot dhe bindje se në Zvicër nuk ka racizëm antifrancez!
Ne si komunitet shqiptar jemi gati gjysmë milioni, që këtu kemi gjetur atë që nuk na ka dhënë atdheu ynë. Për komunitetin e shqiptarëve, që është një komunitet emigrantësh, nuk shkon gjithçka si sahati Omega, por përsëri në Zvicër ky komunitet ka gjetur strehë, punë e siguri. Nëse nuk ka arritur çfarë duhej të arrinte, kur kemi parasysh kohën që është ngulur këtu, kjo jo për faj të Konfederatës helvetike, por për mungesat tona, për mungesë të arsimimit. Ne jemi i vetmi komunitet që nuk çan kokën për mësimin e gjuhës shqipe të fëmijëve tanë.
Duke u kthyer tek francezët dhe gjermanët, është diçka e njohur se e xhelozojnë Zvicrën. Kam ndeshur qendrime të francezëve dhe gjermanëve rezidentë në Zvicër, që vuajnë nga krenaria e supershteteve që përbëjnë thelbin e Europës. Zvicra është shtet i pavarur dhe ka identitetin e vet europian, ka sistemin e vet unik, që sot francezët e shohin si model, demokracinë direkte që duket më e mira në këtë krizë që po kalon sot Perëndimi, përfshi edhe Francën.
Por kush lexon një pasazh shkëputur nga libri i Marie Maurisse, nuk do të mjaftohet të thotë se gazetarja franceze vuan vetëm nga xhelozia: «Të forcuar prej suksesit, Zvicrës i është rritur mendja. Kompleksi i saj i inferioritetit i është transformuar në kompleks të superioritetit. Lart nga podiumi, qytetarët e saj nuk e kanë problem të tallen me Hegzagonin – gjashtëkëndëshin – (kështu quhet Franca pa kolonitë – shënimi im EB) dhe rënien e saj bombastike».
Gazetarja franceze përmes këtij pasazhi duket mirëfilli se është ajo vuan nga kompeksi delirant i madhështisë i dikur perandorisë franceze, një vendi kolonizator, i mësuar t’i diskriminojë kolonitë e veta. Natyrisht Zvicra nuk është koloni e Francës, as e Gjermanisë, por megjithatë, paçka se një vend i vogël, i hap dyert dhe i mirëpret francezët, gjermanët, italianët. Pretendimet e gazetares se francezët ndihen të diskriminuar dhe mbajnë gojën mbyllur më duket një bullshit i vërtetë. Tregu i punës ka rregullat e veta, konkurenca po ashtu, ka edhe raste të racizmit, por përse nuk hedh sytë gazetarja në Francën e saj, ku francezët me origjinë nga vendet kolonizatore të Hegzagonit ndihen të diskriminuar dhe të poshtruar aq sa kalojnë në akte çmendurie terrori.
Zvicra nuk është Eldorado për emigrandët që vijnë nga zonat e luftës, për ata që kanë vështirësi integrimi se nuk njohin gjuhën, se kanë kulturë tjetër, se mbartin me vete drama e trauma, nga vende e kontinente të tjera, por jo francezët. Francezët gjejnë në Zvicër komoditetin që nuk ua jep Franca. Zvicra natyrisht për ta nuk është Francë. As Franca për zviceranët nuk mund të jetë Zvicër.
Një ditë ndofta gjithë Europa do të jetë pa kufij de jure dhe shpirtërisht, ku nacionaliteti i qytetarëve të saj do të mjaftohet të shkruhet në pasaportë apo ID vetëm si europiane. Duhet të punohet në këtë drejtim, me dashuri dhe assesi jo duke krijuar skandale mbështetur në spekulime.
Franca ka shumë probleme me vetëveten për t’i zgjidhur. Edhe Zvicra ka problemet e saj, siç është rasti i partisë të djathtë UDC e cila mban qendrime ekstremiste ndaj të huajve, por UDC përbën rrezik për emigrantet e varfër dhe pa mbrojtje, jo për francezët, as për gjermanët apo italianët.
Të duket më tepër se absurde që Marie Maurisse e sheh zonën frankofone të Zvicrës si rrezik për francezët, kur në fakt kjo zonë ku kanë jetuar Jean-Jacques Rousseau dhe Voltaire është simbol i tolerancës dhe një melting pot i vërtetë. Mjafton të përmendet se 40 % e rezidentëve në Gjenevë janë të huaj që vijnë nga 187 vende të botës!
Po sjell edhe disa statistika që flasin vetë. Për vitin 2016, nga Franca e kalojnë kufirin për çdo ditë më tepër se 166 mijë francezë të punësuar në Konfederatën Helvetike, kur papunësia në Zvicër kap nivelin e 3.6 % e cila në numër shprehet në rreth 156 mijë të papunë. Sigurisht, kjo mund të shkaktojë e mund t’i bëjë zviceranët të thonë se “përse ne t’i lemë qytetarët apo rezidentët tanë pa punë e u japim punë në zonat kufitare francezëve, italianëve apo gjermanëve” ! Këto pretendime mund t’i kenë persona, janë qendrime individuale, mund të jenë qendrime politike, por Zvicra nuk funksionon kështu, është një vend i lirë me një kushtetutë të Napolon Bonapartit, ku tregu dhe konkurenca e lirë funksionon më mirë se kudo në Europë, edhe se në Francë. Francezët që punojnë në Zvicër ekonomikisht janë shumë më mirë se francezët që punojnë në Francë, pastaj Francën e kanë dy hapa larg për t’u shmallur.
Nëse Marie Maurisse do ta shkruante librin e saj për emigrantët që vijnë nga Afrika, Azia apo Ballkani, do të gjente çfarë të ndreqte në Zvicër, por gjithësesi qendrimi i saj nga pozitat e një hegzagoniste të egër, duhet ta bëjë Zvicrën që t’i kthejë sytë dhe kujdesin jo për ata që kërkojnë ta imponojnë Konfederatën t’i trajtojë si qytetarë më të privilegjuar se vetë zvcieranët, por për emigrantët e vërtetë që janë shtresa më vulnerabël e Zvicrës./Elida Buçpapaj
Komentet