Rreth librit Perëndimi Mistik – Publicistikë letrare – të Gazetares, publicistes, shkrimtares Albana Melyshi Lifschin
Shënime
Tek lexoja, i përqëndruar me kërshëri dhe interes profesional shumicën e shkrimeve të përmbledhura në këtë botim, ndërmendja gazetarin, studiuesin e shquar anglez, David Randall, që çdo ligjëratë, në auditoret universitare për artin e të shkruarit në gazetë, e fillonte me përkufizimin: “Gazetaria nuk është letërsi. Por asgjë tjetër nuk është më afër letërsisë”. ( David Randall – Gazetari Universal –përkthyer e botuar na Institutit Shqiptar i Medias, Tiranë, f. 134 )
Këtë tezë të Randallit e shoh të mishëruar në mënyrë krijuese, me përvojen shumëvjeçare të gazetares e publicistes, si dhe me intuiten e shkrimtares, autore e një vargu librash, promovuar në qarqet publicistike e letrare edhe në auditoret universitare në Tiranë.
Libri “Perëndimi Mistik”, sa i larmishëm në tematikën objekt shqyrtimi e paaqyrimi; aq i larmishëm është edhe në format e pasqyrimit publicistik, të tregrupllojeve: informative, analatike dhe letraro-publicistike. Përzgjedhja dhe ushtrimi i tyre janë përftuar në funksion të vërtetësisë dhe të qartësisë së fakteve, të ideve dhe të “ligjërimit” publicistik në komunikim me lexuesin, thënë ndryshe, audiencën.
Që në rreshtat e parë të reportazhit “Fundjavë, buzë lumit Mistik”( fq. 94), lexuesi ndjehet si “bashkudhëtar” a “vizitor” në krah të reporteres kudo ku shkel këmba e saj. Gazetarja komunikon e “bisedon” me lexuesit që “shoqëron”, i informon për gjithçka sheh e dëgjon në qytetin “Mistik”. U jep dijeni për zanafillën e historisë së “ Fshatit të vjetër Mistik”, që tani ka “Bankën Mistike”, “Shtypin Mistik” e…; qytet i shndërruar në një prej muzemeve më “të gjalla historike të ShBA” dhe çdo vit pret e përcjell 400.000 vizitorë.
Nga mënyra se si janë dhënë faktet, si është paraqitur dinamika e asaj vizite, shetitja në qytet, dhe në lumin “Mistik” të mbeten në kujtesë për shumë kohë. Lexuesi i interesuar mban shënim në “ditarin” e tij: për tri shtëpitë karakteristike, ndërtuar në krah të njëra tjetrës me një stil të veçantë të kohëve të hershme; për vëllezërit Greenman, që nga babai i tyre kishin trtashëguar mjeshtërinë e ndërtimit të anijeve prej druri, duke prodhuar, përveç varkave të peshkimit, edhe më shumë se 100 anije me stile të ndryshme një dhe dykatëshe. Lexuesit mësojnë se edhe në atë “botë përrallore” kishte të papritura shqetësuese. Një thirrje telefonike, gjoja nga recepsioni i hotelit, u bë shkas për të mësuar se edhe atje tentonin grabitjen e turistëve. Ai që telefonoi “nga recepsioni i bujtinës” kërkonte numrin e Kartës së Kreditit”. Kjo dredhi hajdutësh profesionistë u shmang nga inteligjenca, përvoja dhe veprimi i urtë i buejtësit në një nga hotelet “Mistikë”.
Kështu, për përshkrime të kthiellta, shkruar natyrshëm, me mjeshtëri publicistike, në nënyrë krijuese letrare, dallojnë reportazhet e këtij vëllimi; jo stisje e trille, “letrarizime’, por pasqyrime realitetesh ku autorja është dëshmimtare.
Këto tipare i gjejmë edhe në llojet e shkrimeve “Shënime udhëtimi” si “Piktura dhe vera…” ( fq. 102); si rrëfenjat “Sekreti i zonjës së pare të Oregonit” ( fq. 108) dhe “Nanice Atwell-Mësuesja më e mire në botë” (fq. 115) dhe “Legjenda e kalorësit pa kokë”. (fq. 145)
Njohja dhe zotërimi i mjeshtërisë publicistike e autores së del në pah edhe në llojet tjera të shkrimeve të grupllojit të publicistikës letrare,në skicat, përshkrimet, portretet dhe vizatimet gazetareske. Kur lexon titullin e shkrimit “Lindja e shtypit të lirë amerikan…” (fq. 48) pret të njihesh me të dhëna e fakte, kumte historike, por në të vërtetë kemi të bëjë më një tip shoqëror, gazetarin Xhon Pitër Zenger, botues i gazetës “New York Weekly journal”. Pitër Zengër me kurajo e ndjenjë përgjegjësije shkruan dhe publikon një shkrim investigativ kundër padrejtësive në administratën e guvernatorit të Nju Jorkut, Uilliam Kozbi. Pasqyrimi i “duelit” polemist gazetar-guvernator, i pari përfaqësues i opinionit publik, ndërsa i dyti pushtetar autoritar, i jep dorë autores të zbulojë e theksojë tiparet më qenësore etiko-profesionale të një gazetari të vetë dijshëm për barren që ka marrë përsipër në shoqëri.
Të kësaj natyre janë disa portrete si i të pares gazetare-femër amerikane, “Margaret Fuller” (fq. 61) dhe të zonjë së parë “të botës”, Ellinor Ruzvelt ( fq. 36). Margaret Fuller karakterizohet si shembëlltyre e emancipimit femror, lektore, kritike letrare dhe gazetare, korrespondente ndërkombëtare e shtypit amerikan”; ndërsa zonja Ellinor, gruaja e presidentit Frenklin Delano Ruzvelt” me paraqitjen dhe veprimet e saj rekomandohet si model, si duhet të jetë “zonja e pare e presidentit të vendit”.
Disa trajtesa të zhanrit “”Përshkrim” vijnë si dëshmi e argument për individualitetin dhe kontributin e Albana Melyshit (Lifschin) në publicistikën tonë.
Shkrimet me titullin e përbashkët “Shënime udhëtimi nga Atdheu” përbëjnë pjesën e dytë vëllimit: reportazhe, përshkrime dhe tregime, përjetime të auores nga realitete historike e bashkëkohëse, kushtuar atdheut, Shqipërisë.
Njihemi me shumë episode e detaje, me tipa shoqërorë, si me taksistët, që i dalin pëpara sapo udhëtarja zbret në aeropotin e Tiranës apo me atë vajzën në barin e aeroportit, që i solli kapuçinon dhe me një buzëqeshje hyri në një bisedë të çiltërt, e…
Shumica e shënimeve janë copëza tregimesh apo ditare me përshtypje, kujtime, biseda me njerëz të moshave e shtresave të ndryshme, jo rrallë ngarkuar me emocione. (“Lekë “të vjerta””, fq 188; “Trafiku, fq. 189; “Kam jetën time, o ba!”, fq. 189; “Zhgënjime “të vogla””, fq. 191; “Fallco, vëlla,fallco!”, fq. 208; “A ke nevojë për ndonjë diplomë ti”, fq. 210). Me ndjenja të thella e kujtime përshkruan shtëpinë e vëllaut, që ndodhet disa minuta larg kryeqytetit, ndërtuar në një faqe kodre me pamje nga veriu…”, ku “ nëna verës “ e kalon (te) pothuaj tërë ditën duke u marrë me lulet dhe oborrin. Pastron (te) barishtet rreth pemëve dhe trëndafilave. Trëndafilat në oborr janë të çdo njgyre, të bardhë, të verdhë, rozë, të kuq, trëndafila me aromë. “Kjo shtëpi më ka zgjatur jetën – thoshte shpesh tek pinim kafen e mëngjezit në oborr…” (Përshkrimi “Të shtëna nën dritën e pishtarit”) që nis kështu: “Koha që po kaloja vetëm me mamanë për mua qe bërë e paçmueshme. Jeta na merr me vete me rutinën e saj dhe vetëm në momente të caktuara e kuptojmë se sa pak kohë-jete kemi kaluar me nënat” (fq. 201).
“Djegia e kullës” – Nga rrëfimi i nënës – (f. 246-251) është nga nga përshkrimet, që, po të mos njiheshin dhe identifikoheshin tipat shoqërorë, po të mos diheshin faktet dhe të vërtetat historike, nund të bëhej fjalë për një tregim mirëfilltas letrar, artistik.
Është rrëfim i ngjarjeje të hidhur. Kulla digjej për të tretën herë. Episode, detaje, përjetime, shkruar me aq detaja e ddjesi: emra e fakte historike, dialogë, monologë, paranteza, figurshmëri, një botë e tërë dhimbjeje dhe krenarije.
“Gjyshja”, një tjetër tregim, kuështë skalitur, portretizuar gjyshja; personaliteti, bukuria, urtia, madhështia dhe krenarinë e saj. Autorja është protagoniste, që ndërthur kujtimet me ngjarje nga jeta e saj pranë gjyshes dhe me gjyshen; sjell në kujtesë fëmijërinë e saj, lodrat e bëmat e moshës, po me rrëfime të çiltërta.
Në pasqyrimin e vlerësimin e romanit “”Lulja” e Barkatës” me autor franceskanin austriak Fabian Barkata, famullitar në Rrubig, Albana skicon “Lulen”, një vajzë ““një lule malësie kristal në shpirt e në ndjenja, një engjëll” me “ një bukuri të jashtëzakonshme..”,që “bije viktimë e paragjykimeve dhe bestytnive të trashëguara”. Gazetarja u kumton lexuesëve: “Përjetoja njëherësh të mpleksura disa ndjenja: admirimm trishtim, zhgënjim, triumf”. (f. 234) E përfshirë nga ndjenja të fuqishme shpreh qëndrimin e saj kundër atyre që për hire të zakoneve e paragjykimeve sakrifijkojnë edhe jetë njerëzish. Tregimi i jetuar (“Nusja e vdekur).
Vëllimi përmbyllet me kujtime të fëmijërisë: “Fqinji ynë Petro Marko”. Natyrshëm skicon portretin e shkrimtarit të madh, “njeriun e thjeshtë “të zakonshëm”, që edhe kur bënte pazar, nuk e hiqte cigaren nga buzët; me dashuri e shumë mallëngjim shkruan për bashkëshorten e tij, piktoren e shquar Safo dhe pasardhësit e tyre, Arianiten dhe Jamarbërin. Kjo ishte e tërë familja Marko, që “banonte në shkallën e dytë te pallatit me xhama të thyer”. Shkrimi përfundon me nje referencë nga letra që Ernest Heminguej i kishte dërguar Petro Markos për romanin Hasta la Vista.
Siç shihet, tematika dhe problemet që janë bërë objekt pasqyrimi publicistik janë kompleksë, shumëdimensionalë, duke i krijuar mendimin lexuesit se kemi të bëjë me një libër të natyrës enciklopedike. Kësisoj informacioni që marrim, jo vetëm na shuan kërshërinë, por zgjerojmë horizontin diturak. Prej autores mësojmë etimologjinë e togfjalësit “Gjuetia shtrigash”, që, jo rrallë e dëgjojmë,por ka edhe prej tyre që e provojnë në kurrizin e tyre. Ajo zbulon rrënjët e një dukurie të trishtë me pasoja të hidhura, një ndodhi në dhjetëvjeçarin e fundshekullit XVII në fshatin Salem (sot Danver në Massachusets të ShBA. Njerëz të molepsur me paragjikime, të luftën kundër “të implikuarve me djallin” burgosën 200 bashkëfshatarë dhe 20 të tjerë i ekzekutuan me varje. ( fq. 57).
Djegia e flamujve kombëtarë në çfarëdo rrethane kudo e kurdo shihet si krim e dhunë. Ndërsa në ShBA një delikt i tillë është i ligjëruar. Këtë na e shpjegon albana në shkrimin: “Pse djegia e flamurit amerikan është e lejueshme ? “. Njoftimi: “ Më 1989 Kongresi kaloi aktin për Mbrojtjen e Flamurit, që e konsideronte krim denigrimin e flamurit amerikan, pavarësisht nga motivi”. Arsyetimi: “…më 11 qershor 1990, Gjykata Supreme e ShBA doli me vendimin se ai ligj ishte antikushtetues, shkelje e të drejtes kushtetuese të lirisë së shprehjes”.
Albana na tregon “Si u krijua Njy Jorku ?” (fq. 14), populluar për së pari . nga hollandezët, që e blenë nga indianët për 24 dollarë; na përshkruan “Historinë e bejsbollit”, sportit më të preferuar të amerikanëve. Ajo hulumton e zbulon” ngjarje e histori si “Goditja e Hollivudit”, pas fjalimit të senatorit Xho Makart më 20 shkurt 1950, që, duke folur për rrezikun komunist në ShBA, deklaroi se në Hollivud kishte më shumë se 2000 nijë skenaristë, regjizorë e producentë komunistë”; marrim dituri për masakren e 18 nëntor 1978, vetëvrasje masive të 918 qytetarëve në Xhonstan (Jonestown); për skandalin “ Uotërgejt”, që adienca u informua nga kroikat e lajmet e mediave më 17 qershor 1972.
Dy veçori, tipare të tjera, alternativa profesionale dhe të përmmbajtjes së kësaj përmbledhjeje:
E para, karakteri dhe fryma atdhetare…
Edhe pse një çerekshekulli në emigrim, Albana jeton shpirtërisht e mendërisht me Shqipërinë. E kemi parë këtë në librat e saj, kur flet me ndjenja të fuqishme dashurie, jo vetëm për Tiranën, por edhe për Vlorën e Shkodrën, Mirditën e çdo qytet a fshat ku këmba i ka shkelur si gazetare. Ndaj, në reportazhin “Shi në Nju Jork” shkruan; “Stuhia vazhdon.Televizioni i këtushëm transmeton lajme përmbytjesh, makina të zhytura në ujë, njerëz të future në ujë deri në gju” kujton ngjarje të tilla në atdhe dhe, në shoqërim idesh e përfytrimesh krahason: “si në Lezhë, Malbardhë, në Shqipëri”. Gjatë një vizite në një krahinë ku ruhen e përcillen traditat në mënyrën e veshjes dhe të ushqimit, tek sheh gruan që tund dybekun, sjell në vëmendje: “gruaja me dybek, më kujton shumë gjyshet tona në kohën e tyre, kur gjalpin e djathin e zinin vetë…”. Ndërsa shoqëruesja e turistëve u flet për mergimin, gazetares i ringjallet përfytyrimi e përjetimet e eksodit masiv të shqiptarëve të kohëve të errëta të vitit 1990 e më pas dhe shprehet e revoltuar: “Mjerisht edhe pas fitores së demokracisë, ky mendim i përbindshëm, që i rrëmben nënës fëmijën, familjes babain, gruas burrin, motrës vëllain, është ende prezent”.
E dyta, autorja, protagoniste në ngjarje…
Përvoja e gazetares dhe e publicistes profesioniste, ushtruar prej më shumë se gjysëmshekulli e ka bëë të vetëjshme për të komunikuar me lexuesit, dëgjuesit e radios dhe teleshikuesit me atributet dhe përgjegjësinë e dëshmitarit okular dhe si ndërvepruese apo protagonist e ngjarjeve që rrëfen apo veprimeve që përshkruan.
Të tillë e shohim nëartikullin “Ku ishe me 11 janar ?
Drejtpërdrejti përgjigjet: “Unë ndodhesha me punë në bazen ushtarake të Fort Pollkut në Luiziana, larg nga familja në Nju Jork”. Dhe vijon të “lexojë” shënimet, ditarin e saj “Fort Polk, Luiziana, 11 shtator 2001”. Më tej tregon si e priten (dhe si e priti ajo) lajmin ne bazën ushtarake, që përgatiste ushtar për në Kosovë: “E tronditur shkova në Stacionin e Radios “Ballkan”… “Ndjeva lotët që më shkisnin në mënyrë të pavetdijshme”… “Zërat e spikereve të lajmeve kanë mbushur zyrat. Më rrëqethet mishi. Thirrje njerëzish në panik…”.
E tillë, protagoniste përshfaqet edhe në shkrimin problemor “Ikja nga lavditë fallco”. (f. 175) tregon përvojen e saj me truket e të ashtuquajtures “Shoqëria Ndërkombëtare e Poetëve (International Society of Poets) dhe të vetëquajtura institucione apo organizma ndërkombëtare “që luajnë me ndjenjat e krijuesve e budallepsin ata që i besojnë”.
Ky shkrim-mesazh shoqërohet me një letër të profesorit shqiptaro-amerikan, Pitër Priftit,që ndërtë tjera i shkruan: “E di, Albana, ky shkrimi yt më kujton pragun e Milleniumit të Ri, vitin 1998-99, kur institute, gjoja shkencore, këtu në Amerikë, ngriten kurthe për të xhvatur lekë nga xhepat modeste të shtresës intelektuale shqiptare, shkrimtarë e poetë, profesorë e artiste të ndryshëm…” I mashtronin ata “ me lëvdata të pafund për arritjet e tyre të shquara, që kishin tërhequr vëmendjen dhe admirimin e botës së jashtme, dhe për këtë arsye ata ishin “emëruar (nominated) nga institutet në fjalë që të dekoroheshin, p.sh., me Medaljen e Nderit të Milleniulit 2000 {“The 2000 Millennium Medal of Honor”). Por për këtë nder të pashoq në analet e tyre shkencore atyre u kërkohej një shumë të hollsdh, nuk e di sa…Plot shqptarë u bënë viktima të këtyr institutive hajdute”…”Sidoqoftë, ti, e dashur Albana Lifchin, me shkrimin tënd të guximshëm, pa tjetër që ia hoqe petkat lakrorit të hidhur, dhe u hape sytë bashkatdhetarëve që të njohin realitetindhe të mos ëndërrojnë me sy hapur”.
Ma atribute e vlera të protagonistes, pjesëmarrëse aktive në trajtimin e problemeve të natyrës socialpedagogjike e psikologjike me fëmijët dhe për ta. Gazetarja organizon një debat, emërtuar “Na mungon modeli”; ligjëron dhe hyn në botën e adoleshenteve (ndoshta si reflekse profesionale të kohës kur drejtonte në TVSh redaksinë për fëmijët); zhvillon biseda interesante me një grup nxënësesh të klasave të nënta të Shkollës “Jeronim De Rada” në Tiranë. Dhe pas shkëmbimit të mendimeve tejet delikate, shtron për audiencën pyetjen retorike: Çfarë po nodh me fëmijët adoleshentë? Mos janë lënë nën mëshirën e fatit, si një anije në oqean të hapur në mes stuhive, pa asnjë orientim?…”. (f. 197)
E tillë, protagoniste, e pranishme me qënien, veprimet e mendimet e saj, autorja është në përshkrimin “Fuqia e pabesueshme e shpirtit njerëzor” (fq. 24); në reportazhin “Fundjavë, buzë lumit Mistik” (fq. 24); në skicën “ Në mëngjesin e kësaj të dielë” (fq.. 135); në “Ikje nga ditët e nxehta të Njy Yorkut” (Shënime udhëtimi, fq.164) etj, si edhe në rrëfimin “Profesor Gashi dhe ne, nxënësit e tij” . (fq. 242).
…
Dhe vijmë në arsyetimin se edhe në këtë botim shpërfaqet e përvijohet profili, personaliteti i autores Albana Melyshi Lifschin, me formim intelektual, kulturor e qytetar; me ndjenja e vetëdijë të çlirtë; me aftësi për të kuptuar, përjetuar, vlerësuar e pasqyruar realitete a dukuri shoqërore; studiuese e zellshme me mdihmesë tejet të vlertë, shquar edhe në jetën komunitetit të gazetarëve shqiptarë të diasporës, që ajo themeloi dhe e drejtoi më shumë se dhjetë vjet. .
Komentet